MENU
klinika

Historia e ish-portierit të Milanit

La Buffon në stol, kokaina i shkatërroi karrierën

31.07.2021 - 21:00

Nga heroi i mbrëmjes së Barcelonës, një natë që dukej se nuk do mbaronte kurrë, në një jetë të dytë dhe modeste që ka nisur një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit italian.

Dy skualifikime për doping, 10 vite jashtë futbollit. Mes një pune dhe një tjetre, sot Angelo Pagotto është një magazinier, por ndoshta me një rikthim të shpejtë në botën e futbollit.

Në pak sekonda mund të hedhësh në erë gjithçka, jo vetëm karrierën, por edhe dhuntinë që të jep Zoti dhe vetëm e vetëm për të qenë pjesë e një grupi. Të gabuar fatkeqësisht…

“Qëndroja mes djemve të rinj që dilnin xhiro me pistoleta, por që më bënin të ndihesha një pjesëtar i familjes. U tregova idiot. Dhe këtë gjë fatkeqësisht tani më duhet ta paguaj gjatë të gjithë jetës” – thotë Pagotto, sot 45 vjeç.

Brenda vetes ka rigjetur forcën për të folur për gabimet e tij. Në vitin 2015 përfundoi dënimin prej 8 vitesh skualifikim, për një të thithur kokainë, kur luante në radhët e Crotones. Dhe kjo ishte hera e dytë që “kapej”.

“Herën e parë te Perugia isha i pafajshëm”. Ky rrëfim nis nga e tashmja e një portieri që jo vetëm hodhi dorezat, por ndryshoi dhe uniformë për keq. Sot mund të kishte qenë në një plazh diku larg, në një ishull, duke shijuar paratë që mund të kishte fituar nga futbolli.

Ndërkohë i duhet të zgjohet shumë herët në mëngjes për të bërë një punë normale, si shumica e njerëzve të fortë. Bar, sektori tekstil, magazinier i një kompanie veshjesh.

“Kjo është jeta ime sot. Shtatë orë çdo ditë. Por nuk më tremb, madje falënderoj motrën time që më gjeti këtë punë. Që kur m’u desh të hiqja dorë nga futbolli, kam përveshur mëngët.

Kam bërë kuzhinierin, picaiolin, çfarë të më dilte përpara, kur shkova fillimisht në Gjermani. Punoja ditë e natë, laja pjatat për të marrë një grusht para dhe për të rimarrë në dorë jetën time. Dhe jam ku jam sot, ende në këmbë!” – shpjegon ish-portieri.

Për vite me radhë, Angelo Pagotto konsiderohej si një prej portierëve me perspektivën më të madhe në futbollin italian dhe jo vetëm. Një portier që kishte gjithçka për të qenë titullari i kombëtares italiane. Karriera e Pagottos, gjithsesi, nuk ishte asnjëherë në lartësinë e pritshmërive.

Ajo që e frenoi në mënyrë decizive ishin problemet jashtë fushe, të cilat nuk i lejuan të bëjë atë çfarë kishte cilësitë për ta bërë në mënyrën më të mirë. Ish-portieri i Milanit, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” e kujtonte ende se ishte ai titullari i Shpresave të Italisë, në Europianin U-21 të vitit 1996, ndërsa Buffon ishte zëvendësi i tij.

Dhe pikërisht në finalen e atij Evropiani, Pagotto bënte çmendurira, pasi edhe pse me 9 vetë, Italia e dërgoi Spanjën deri te penalltitë, ku Pagotto i ndalonte gjuajtjet Raul Gonzales dhe Ivan De La Penas, duke u shndërruar në një hero kombëtare dhe duke i dhënë trofeun “axurrëve”.

“Në atë periudhë Buffon nuk ishte ende ai që është shndërruar sot. Ishte pak më i vogël se unë në moshë, por Shpresat në atë kohë më preferonin mua. Gjithsesi, unë dhe Gigi dukej që ishim të destinuar të bëheshim dy prej portierëve më të mëdhenj në Itali dhe në botë” – kujton ish-“gardiani” italian.

Në atë periudhë edhe Juventus ia vuri syrin, por Pagotto e injoroi ofertën e bardhezinjve: “Nuk e di nëse gabova apo jo me atë zgjedhje. Nëse e shoh veten time tani, sigurisht që do kisha bërë mirë të kisha firmosur me Juven. Unë dhe menaxheri im menduam se ndoshta zgjedhja më e mirë mund të kishte qenë Sampdoria, ku Zenga ishte në fund të karrierës. Te Juventus do më ishte dashur të djersija për vendin e titullari. Dhe pasi i thashë ‘jo’ Luciano Moggit, m’u mbyllën si me magji të gjitha dyert e klubeve të tjera”.

Në verën 1996 vjen firma me Milanin, akomodimi në një klub të madh: “Ishte një qytet i ftohtë dhe akoma më i akullt ai klub. Sebastiano Rossi kishte probleme familjare dhe nisi të bëjë gafa në vazhdimësi. Kështu që më hodhën mua mes turmës dhe nisa të mbyll vrimat.

Dhoma e zhveshjeve të Milanit të sezonit 1996-1997 përmblidhej e gjitha në një fytyrë: Franco Baresi komandonte brenda dhe jashtë fushe. Unë kisha më tepër miqësi me francezët sesa me italianët. Ishte edhe Maldini me mua, por në atë kohë nuk ishte ende kapiteni që të gjithë njihnin. Teknikisht ishte i jashtëzakonshëm, por karakterialisht ishte ‘uthull’”.

Në vitin 1999, kur ishte te Perugia vjen pozitiviteti ndaj kokainës: “Në ato vite mund ta trukoje një test antidopingu dhe nëse do të kisha pasur një ndërgjegje të pisët, mund ta kisha bërë. Por isha i qetë, pasi kisha rezultuar negativ dy javë më parë në Parma, javën më pas në Padova.

Ndërsa në testin e tretë, pas ndeshjes me Fiorentinën, rezultova pozitiv. Çudi…Isha i pafajshëm, këtë herë e dija, por edhe në hetim, ndonëse u thanë se provëzat ishin hapur dhe ishin pa emra, mes katër lojtarëve, i vetmi që u dënova isha unë. Çudi!”.

Pas dënimit të parë me dy vite, Pagotto i dalë jashtë botës së futbollit u gjen papritur i vetëm: “U zhdukën të gjithë. Nuk kishte më miq. I kalova ato dy vite në Liguria me mamanë time, në hotelin që kishim hapur. Ajo më besonte.

Ndërsa unë, e kisha të vështirë të zgjohesha shumë ditë me radhë në mëngjes, pas mbrëmjeve që nisa të kaloj nëpër diskoteka. Bëja një jetë të shthurur, por kur e kuptova se jeta po më shpëtonte nga duart, pashë veten në pasqyrë dhe vendosa të ndryshoj. Nuk më vjen turp ta pranoj se m’u desh psikiatri që të mposht depresionin. Ndryshe nuk do ia kisha dalë”.

Pas rikthimit në fushë vjen goditja definitive, pozitiv ndaj dopingut në vitin 2007, kur vishte bluzën e Crotones: “Këtë herë e dija se herët a vonë do të ndodhte. Nuk kisha më adrenalinën për të zbritur në fushë dhe atë e kërkoja te kokaina.

Nisa të frekuentoj shoqëri të gabuara që më bënin të ndihesha protagonist. Mund ta kisha mbyllur karrierën siç duhej, madje kisha firmosur edhe me Salernitanën, por e dogja veten sërish dhe përfundimisht”.

Sot, Pagotto bën përgatitësin e portierëve tek Avellino, por pas skualifikimit, ai kishte gjetur një punë krejt tjetër: “Shkova fillimisht në Gjermani, ku bëra picaiolin, kuzhinierin, larësin e pjatave dhe tani jam një magazinier i lumtur, falë edhe bashkëshortes Carolina, me të cilën do të martohem së shpejti”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Penalltitë vendimtare të legjendës

Historia e Buffon përmes…11 metrave

Legjenda e Gjermanisë jep vlerësimin

Rummenigge tregon portierin më të mirë të historisë