MENU
klinika

"Atëherë zhbllokohet vendimi për BE"

RMV pret ndryshime nga zgjedhjet në Bullgari

11.07.2021 - 21:42

Maqedonia e Veriut pret ndryshim në politikën e Sofjes pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Bullgari.

Në nëntor të vitit të kaluar, Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropan, ka përdorur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Sofja kërkon fillimisht zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën maqedonase, identitetin dhe aspekte të tjera historike, me pretendimet se ato kanë prejardhje bullgare.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se pavarësisht qëndrimit të fortë të zyrtarëve bullgarë, pret ndryshim të politikës së tyre kundrejt Maqedonisë së Veriut.

“Këtë herë presim që nga zgjedhjet të dalë një Parlament funksional dhe Qeveri politike për marrjen e dritës jeshile, pra për zhbllokimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së. Personalisht, mendoj se i kam adresuar të gjitha çështjet e rëndësishme në bisedimet dypalëshe më 17 qershor, kur e vizitova Bullgarinë. Mbetet të zgjidhet Parlamenti bullgar, që të ketë shpresë se do të merret një vendim për zhbllokimin e procesit integrues”, ka deklaruar Zaev.

Por, presidenti bullgar, Rumen Radev, ka thënë të dielën se zgjidhja e kontestit varet nga Maqedonia e Veriut.

“Ne presim që miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut, udhëheqësia më e lartë e këtij vendi ta heqë vetë bllokadën. Ajo nuk është e jona, ne presim rezultate reale dhe të qëndrueshme, të lexohen kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, të ndryshojnë librat shkollorë. Këtë e presim tani e katër vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes në vitin 2017…”, ka deklaruar Radev.

VMRO DPMNE-ja, partia kryesore opozitare maqedonase, refuzon çdo kompromis me Bullgarinë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, ndërsa kërkon që “vijat e kuqe” të zyrtarizohen me një rezolutë që ka paraqitur për votim në Kuvend.

“Duhet të presim dhe të shohim se cilat do të jenë rezultatet në Bullgari. Kërkojmë sa më shpejt të votohet rezoluta e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja në Parlament, sepse do të na vendosë në rrugën e duhur, d.m.th. do t’i përcaktojë postulatet e duhura për funksionimin e mëtejshëm të politikës sonë të jashtme”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Sondazhet e opinionit, që janë publikuar para zgjedhjeve në Bullgari, fitues të zgjedhjeve kanë nxjerrë partinë “Ka një popull të tillë”, të udhëhequr nga një drejtues emisionesh televizive, Slavi Trifonov.

Në raport me Maqedoninë e Veriut, ai udhëheq një politikë edhe më të fortë se partia GERB e ish-kryeministrit bullgar, Bojko Borisov.