MENU
klinika

"Unë jam zjarri"

Mikelanxhelo në rrëfimin shpirtëror për gjeninë!

28.07.2021 - 16:28

         Dua të të rrëfej se çfarë më shtyu të krijoj, përse nuk kam ndier kurë lodhje, të të rrëfej momentet kur kam qenë gati duke u shembur përdhe dhe sesi u ringrita në këmbë. Dua të ndaj me ty, zjarrin që ende vlon në gjoksin tim, sepse më ka mbetur vetëm zëri për ta bërë të digjet. Sepse jam ende skulptor. Unë jam zjarri.

Kam arritur deri aty sa ta mendoj si Leonardo Da Vinçi, edhe pse nuk kemi rënë kurrë dakord, për asgjë. I pacipë dhe grindavec siç ishte, një ditë deklaroi në praninë time, se skulptura ishte punë për punëtorë të mermerit dhe muratorë, një praktikë mediokre dhe e papëlqyeshme, e mirë vetëm për të të mbushur me pluhur dhe lodhur gjymtyrët, ndërkohë që piktura, ajo po, është një zanat fisnik, që mjafton të lëvizësh penelin mbi një tryezë, për t’i dhënë jetë një kryevepre. Ndoshta nuk e kishte gabim…

Nuk do ta besosh, po nuk është hera e parë që mendoj të hedh tutje gjithçka. Të marr gdhendësit e t’i hedh në Tevere. Të mbledh veglat e t’i hedh në rrymat e lumit, në ishullin Tiberina. Të djeg gjithë skicat, sepse e di që tashmë, nuk më mbetet më kohë dhe forca për të bërë skulptura.

Kam arritur deri aty sa ta mendoj si Leonardo Da Vinçi, edhe pse nuk kemi rënë kurrë dakord, për asgjë. I pacipë dhe grindavec siç ishte, një ditë deklaroi në praninë time, se skulptura ishte punë për punëtorë të mermerit dhe muratorë, një praktikë mediokre dhe e papëlqyeshme, e mirë vetëm për të të mbushur me pluhur dhe lodhur gjymtyrët, ndërkohë që piktura, ajo po, është një zanat fisnik, që mjafton të lëvizësh penelin mbi një tryezë, për t’i dhënë jetë një kryevepre.

Ndoshta nuk e kishte gabim.

Tani që kam mbërritur në të nëntëdhjetat, trupi im nuk i përgjigjet më shpërthimeve të mendjes. Kam kaq shumë ide të reja për t’i transformuar në statuja, por arrij t’i jap vetëm ndonjë goditje me çekiç asaj Pietà-së, që mbaj këtu në shtëpi në Romë, prej më shumë se dhjetë vitesh. Më ka hipur dëshira që ta rimarr dhe ta përfundoj. Nëse vjen të më takosh do të ta tregoj, edhe pse ende nuk ka përfunduar. Do të kuptosh se Maria nuk ka nevojë të mbajë trupin e Jezusit mbi këmbë, sepse biri është pothuaj pjesë e saj. I vdekur, rikthehet brenda barkut të nënës, i përthithur prej dashurisë së saj të pafund. Eshtë ajo që do të doja të më ndodhte mua, kur Zoti të më thërrasë. Në atë moment do të mundem më në fund të ndihem i mbrojtur, si një fëmijë që lëshohet në krahët e nënës. Një ndjesi që me zor e kujtoj. Nëna ime, gjyshja jote, Francesca di Neri – Zoti i dhëntë lavdi – vdiq kur unë isha vetëm 6 vjeç.

Daniele da Volterra (Daniele Ricciarelli) (Italian, Volterra 1509–1566 Rome)
Michelangelo Buonarroti (1475–1564), probably ca. 1544
Oil on wood; 34 3/4 x 25 1/4 in. (88.3 x 64.1 cm)
The Metropolitan Museum of Art, New York, Gift of Clarence Dillon, 1977 (1977.384.1)
http://www.metmuseum.org/Collections/search-the-collections/436771

Dhe ndoshta jam i shtyrë pikërisht prej saj, që ndjej ende energjinë për të punuar nga agimi, deri natën vonë, me atë copë mermeri. Siç kam bërë për një jetë të tërë, do të isha i gatshëm të vishja sërish atë kapelë ku vendosja një qiri, për të bërë atë pakëz dritë të domosdoshme, që të më tregonte pikën e saktë ku të vendosja daltën dhe të modeloja figurat. Por më kot, pas pak minuutash më duhet të heq dorë dhe të lejoj që çdo gjest të mbetet i bllokuar në duart e mia, ndërkohë që sytë e shohin veprën të përfunduar, dhe koka shpërthen prej detajeve që duhet ët nxjerë përjashtë.

Të irriton.

Po të isha duke u marrë me një pikturë, do të mund të rrija ulur, me një tryezë të vockël në anë dhe një penel në dorë. Do të më duhej vetëm të merrja bojërat e përgatitura tashmë nga nxënësi im, Antonio dhe do të punoja ashtu si di unë. Do të kënaqesha, të punoja aq sa do të më lejonte drita e ditës dhe me të rënë muzgu, do të mund të mbyllja studion, të lija pas derën me aromë terpentinë dhe të lija pushim sytë. Por, është trupi që vendos se kur duhet të ndalem, sepse gishtërinjtë nuk përgjigjen më siç do të doja dhe ndiej çdo goditje çekiçi të më kthehet mbi shpinë, a thua jam unë mermeri që duhet të punohet. Pluhuri që vdisja ta largoja nga hunda, me frymëmarrje të forta që më dilnin nga gjoksi, tani zë vend në gojë dhe nuk çlirohem dot prej tij. Kollitem, kollitem dhe ai mbetet aty për orë të tëra, deri kur arrij ta kapërdij. Pas kësaj, marr takëmet dhe godas sërish mermerin, por ndiej që lufta është e pabarabartë: tashmë, ai është më i fortë se unë.

Dje natën, i befasuar prej pagjumësisë që më parë e mbushja me punë, ndjeva nevojën që të kthehesha e të shihja Pietà-në time, që ndodhet në Shën Pjetër. Doja të prekja atë mermer, të butë e të ndriçuar, që kisha mundur ta zbus si një teshë, dhe poroz si lëkura. Një punë që zgjati me muaj, kur lënda ishte vënë në shërbimin tim. Por atëherë nuk kisha mbushur as 25 vjeç dhe nuk kishte gjë, që të më dukej e pamundur. Nuk kishte asnjë dallim mes trupit dhe mendjes: isha një rrjedhë energjie e pandalshme.

Pasi dola nga Macel de’ Corvi, u nisa drejt Ponte Sant’Angelo. Ajri ishte i lagësht dhe bënte ftohtë, siç ndodh gjithmonë këtu në shkurt. Nuk ishte nata më e mirë për të ecur nëpër rrugët e Romës. Drita e Hënës më lejonte të dalloja në çdo qoshe pallatesh, statujat e Virgjëreshës që më tregonin rrugën për të mbërritur në bazilikë. Herë pas here, drita e pishtarit të atyre që ktheheshin nga një dëfrim Karnevalesh më jepte zemër. Vija një këmbë pas tjetrës, duke bërë kudjes të mos ngecja.

Edhe pak dhe do të mbërrija në Shën Pjetër, nëse shiu nuk do të më kishte zënë në befasi. Kërkova strehë nën kolonat e Palazzo Massimo. Uji më depërtoi deri në kocka, flokët dhe mjekrra ishin bërë qullë. Ah, unë dhe vesi im për të mos marrë kurrë kapelë, as në dimër!

Krejt papritur, pashë të më afrohej një hije. “Mjeshtër, çfarë bën këtu? Eshtë natë, bie shi, ku po shkoni”? Ishte Tommaso Calcagni, një prej dishepujve të mi. “Dikush ju njohu dhe erdhi të më njoftojë. Po përse nuk më zgjuat? Eja, kthehemi në shtëpi”.

Nuk i dhashë shpjegime. “Tommaso, po nuk e di që unë nuk jam mirë në asnjë vend?” I humbur, u mbështeta në supin e tij dhe u ktheva me të, por me ritmin e hapave të mia. Kur u kthyem në shtëpi, e lashë të më thante dhe u ktheva në shtrat.

Nëse do t’i kisha thënë se çfarë më shtyu të dilja, nuk do të më kish kuptuar. “Përse nuk pritët mëngjesin? Do të kishim shkuar bashkë”, do të më kish thënë.

Por, unë në jetë, nuk kam pritur asnjëherë momentin më të përshtatshëm për të bërë diçka, nuk kam ditur kurrë të gjej kohën e duhur, duke rrezikuar gjithmonë që të dukem i rrëmbyer dhe i pangopur. Nuk e kam vrarë kurrë mendjen për opinionin që sjellja ime mund të nxiste tek të tjerët, kështu që më kanë marrë si sherrxhi, ziliqar, koprac, oportunist, rebel… një përbindësh nën veshjen e një gjeniu.

Pas episodit të natës së kaluar, kam dëshirë vetëm të djeg gjithçka: skicat, letrat, mermerët që ende nuk kam përfunduar. Nëse nuk arrij të eci përpara me skulpturën, më mirë të shkatërroj gjithçka.

Leonardo, nipi im i dashur, kam nevojë që ti të vish në Romë sa më shpejt, sepse mund të mos përgjigjem dot për veten time. Duhet të përdor atë pak kohë që më ka mbetur, për të gjetur kthjelltësi, përpara se zemërimi të më shtyjë të shkatërroj çdo gjurmë të veprës sime. Përveç trashëgimisë time, dua të të bëj ruajtës të kujtimeve të mia.

Dua të të rrëfej se çfarë më shtyu të krijoj, përse nuk kam ndier kurrë lodhje, të të rrëfej momentet kur kam qenë gati duke u shembur përtokë dhe si jam ringritur në këmbë. Dua të ndaj me ty, zjarrin që ende vlon në gjoksin tim, sepse më ka mbetur vetëm zëri, për ta bërë të digjet. Sepse unë jam ende skulptor. Unë jam zjarri.

 

Shkëputur nga: “Mikelanxhelo: unë jam zjarri”