MENU
klinika

Hetimet vazhdojnë

Misteri i helmimit: Dy serbë të dyshimtë vizituan Deçanin

15.07.2021 - 10:37

Ende nuk është dhënë një vendim mjeko-ligjor sa i takon arsyes së helmimit të qindra qytetarëve në Deçan të Kosovës. Në fillim u tha se helmimi kishte ardhur prej ujit, por kjo tezë ra poshtë pas ekspertizës së disa mostrave të marra nga autoritetet.

Mirëpo ende mbetet si alternativë ku po hetohet.

Kompania e ujësjellësit “Hidrodrini” në Komunën e Deçanit ka 18 puse që kosovarët i quajnë “pushimore uji”. Njëra nga to të martën paradite, në afërsi të fshatit Hulaj në Deçan, ishte gjysmë e hapur, dhe kapaku i betonit mbi të ishte i lëvizshëm dhe i pa siguruar.

Drejtori i ujësjellësit rajonal Hidrodrini, Agron Tigani dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit të ujësjellësit të Deçanit, Petrit Januzaj e mohonin kategorikisht se ato puseta mund të keqpërdoren lehtësisht nga keqbërësit.

Më 27 qershor, Naim Muçaj, pronari i një restorani, 500 metra në rrugë ajrore larg këtyre pikave të ujit, është vizituar nga dy të rinj serb, të cilët kishin ardhur me një veturë me tabela të Novisadit, të cilët e kishin pyetur për Manastirin e Deçanit, raportojnë mediat serbe.

Për shkak se këta djem i ishin dukur shumë të dyshimtë, Mucaj kishte njoftuar Policinë e Deçanit dhe u kishte përcjellë pamjet e kamerave të sigurisë, për t’i identifikuar ata. Ende nuk dihet nëse këta persona kanë lidhje me incidentin, por policia po heton rastin në fjalë.