MENU
klinika

Medaljet e arta në ‘’Tokio 2020’’

Nazarko: Kosova ka sot mundësinë e artë për diplomaci sportive, duke iu drejtuar vendeve jonjohëse, Rusisë më së pari…

26.07.2021 - 18:58

”Është krejt e qartë se suksesi i njohur botërisht i sportistëve kosovarë krijon potencial për diplomaci sportive ndaj vendeve jonjohëse, për shembull Rusisë”- tha Mentor Nazarko, editor në Konica.al i ftuar në rubrikën Opinion në News24.

Nazarko thotë se Kosova po fiton shumë nëpërmjet medaljeve të arta të sportistëve të saj duke përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare dhe ky është momenti më i përshtatshëm për t’iu drejtuar vendeve jo njohëse.

Veçanërisht, Nazarko kërkon që Kosova ti drejtohet Rusisë me një thirrje publike pasi është vendi që mund të shkrijë gjithë akujt botërorë dhe të turbullonte pozitat e Serbisë në dialog. Kjo sipas analistit mund të bëhet nga sportistët kryesisht të ndihmuar nga ekspertë të komunikimit dhe në bashkëpunim me politikanët e Kosovës.

PYETJA: Sa vlerë kanë këto medalje për Kosovën?

MENTOR NAZARKO: Kanë vlerë të jashtëzakonshme. Nuk e kam ndjekur kontekstin e përdorimit politik të medaljeve nga sportistë të tjerë, por ky kontekst politizues i tyre konfirmon atë që Kosova mund të humbë, një kartë të fuqishme të diplomacisë sportive. Është mjet i jashtëzakonshëm i ndikimit, aq më tepër për Kosovën që lajmin më të mirë që prodhoi sot, botërisht i njohur është suksesi sportiv.
Po ju sjell një shembull nga vitet ’70 -diplomacia e ping-pongut mes SHBA e Kinës. Për koicidencë ishte olimpiada po në Japoni, kur një ping –pongist kinez humbi autobusin e shokëve të vet dhe ju bashkua atyre të SHBA. U mor vesh me shenja me ta, e ftoi kolegun e vet amerikan ne Kinë. Atëhere nuk kishte marrëdhënie diplomatike Kina e Maos me SHBA, por me republikën kineze, dhe Mao Ce Duni i informuar për rastin, e pa, e studioi dhe luajti kartën e sportit si një mundësi për të shkrirë akujt me SHBA- e pasuar nga vizita e Niksonit, etj. Natyrisht se ka ekzistuar vullneti i përbashkët për të vendosur marrëdhëniet mes SHBA e Kinës që ekzaltuan episodin në fjalë, madje edhe Shqipëria ka rol në futjen e Kinës në OKB, asokohe.
E thashë këtë pse Kosova sot ka mundësi të luajë kartën e diplomacisë sportive kundrejt vendeve jonjohëse, Rusisë kryesisht sepse vendet e tjera kanë pazar tjetër. E kam përpunuar këtë ide për një kohë të gjatë. Majlinda Kelmendi që është medalistja e parë e Kosovës, ishte kampione Europe në xhudo në një aktivitet në Kazan të Rusisë në 2016. Federata ruse mendonte mos e qaste ekipin kosovar, por prej angazhimit të Putin, njëlloj lojtari profesionist i xhudos, ajo hyri e u pranua, dhe Kosova në atë aktivitet falë Kelmendit, trajnerit Toni Kuka, mori medaljen europiane. Ajo pati rastin të mundte trajneren personale të xhudos të Presidentit të Rusisë ; himni i Kosovës u luajt në një sallë me rusë dhe me praninë e Putinit dhe flamuri i Kosovës u ngrit aty. Sot sportistët kosovarë kaq të famshëm botërisht mund ti drejtohen vendeve jonjohëse si Rusia që ta njohin Kosovën në një letër publike. Pengesat diplomatike nuk i kapërcejnë dot politikanët e Kosovës- le të jemi realistë, por sportistët mund të tentojnë dhe minimalisht krijojnë opinion posaçërisht tek rinia, për të favorizuar një zgjidhje diplomatike. Sportistët në bashkëpunim me ekspertë komunikimi dhe politikanë mund ti drejtohen Rusisë, në një thirrje publike . Ajo mund të ishte një gjest që do të shkrinte akujt botërisht dhe do të turbullonte Serbinë në dialog.
Është momenti që Kosova ta luajë këtë kartë : pas një jave, pas një muaji ndoshta nuk është më e njëjta situatë.
Pse Rusia ?. Rusia qeveriset nga një President autoritar që ka simpati për xhudon. Ai mund të bëjë një hap jo thjesht voluntarist drejt Kosovës, dhe Rusia ka interes në pranimin e Kosovës si realitet shtetëror që të ekuivalentohet me Krimenë.

PYETJA: Vëmendja e Shqipërisë për kampionët e Kosovës?
MENTOR NAZARKO: Shpjegohet me suksesin në kohë rrjetesh sociale. Kur ndodh një sukses i tillë me rezonancë botërore të gjithë i bëjmë thirrje përkatësisë së përbashkët me personin e suksesshëm. E dimë se ata janë realitet tjetër, i përkasin një shtet tjetër, por jemi i njëjti komb. Kjo që po ndodh, na vendos, na përkujton atë që Kosova ka krijuar një traditë të shkëlqyer në sportin e xhudos, falë trajnerit Driton Kuka, ai është burimi i suksesit. Kosova i trajton sportistë olimpikë në mënyrë shumë më të shkëlqyer se Shqipëria. Një lajm sporti e ndryshon rrënjësisht imazhin e vendeve apo kombeve të vogla siç jemi ne.