MENU
klinika

"Corriere D'Italia": Do ta dorëzonit... Romën?!

Në Romë, Isa dëshmon për Shkodër e Janinë!

13.07.2021 - 16:42

       Nga Aurenc Bebja*, Francë

“La Stampa” ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, në faqen n°2, intervistën e Isa Boletinit me gazetën “Corriere d’Italia”, që, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shpresat dhe shqetësimet e Isa Boletinit

Romë, 3 prill

“Corriere d’Italia” i kërkoi Isa Boletinit, liderit të njohur shqiptar, i cili është aktualisht në Romë, përshtypjen e tij për Shkodrën dhe Janinën, në rast se ato u atribuoheshin (jepeshin) përfundimisht aleatëve.

“Nëse Shkodra dhe Janina do t’u jepeshin aleatëve, – u përgjigj Boletini, – do të ndieja të njëjtën dhimbje që do të ndienin italianët nëse Roma, do të dorëzohej! Nëse do të kisha mjaft njerëz dhe armë, nuk do të ngurroja asnjë moment të vrapoja mbi Bunë, për të rrëmbyer me armë qytetin nga pushtuesit. Më dhemb zemra, kur mendoj për qytetin e Shkupit, Manastirit, Kosovës, të dhëna serbëve, sepse ne i kemi ruajtur të gjitha këto territore dhe qytete duke derdhur shumë gjak, duke i mbrojtur nga veprat penale të xhonturqve.”

“Thuhet se i gjithë vilajeti i Kosovës u është dorëzuar serbo-malazezëve, por ju e dini që unë refuzoj ta besoj këtë zë! Unë gjithmonë kam pasur një besim të madh në drejtësinë e Evropës së civilizuar dhe nuk mund ta mendoj, se Evropa ka lejuar një luftë për pohimin e parimit të kombësisë dhe më pas, duhet të pranoj një epilog që vjen për të asgjësuar kombësinë tonë, që përmes shumë ngjarjeve kemi mundur ta pohojmë dhe ruajmë.

Pastaj është çështja e fesë: katolikët dhe myslimanët janë të bashkuar, për të luftuar për të njëjtin parim.

Organizimi i Shqipërisë së sotme, na privon nga e drejta jonë e shenjtë dhe na largon nga përfitimi i paqes. Për këtë, do të kishim preferuar zgjedhën turke, që, në mos asgjë tjetër, na ka lejuar të vazhdojmë me një farë lirie.”

Për çfarë qëllimi keni ardhur edhe ju në Itali?

“Megjithëse e di që personi im, nuk ka një rëndësi të domosdoshme në shkallë politike, gjithsesi kam ardhur këtu dhe do të shkoj në kryeqytetet evropiane, së bashku me Ismail Qemal Beun, për t’i dëshmuar Evropës protestën time më të fortë ndaj vendimeve të saj dhe për të dhënë një shembull konkret të padrejtësisë që është bërë, duke lënë edhe një milion e gjysmë shqiptarë nën zgjedhë.”

“Shqiptarët nuk janë të sllavizuar, as nuk janë të sllavizueshëm.

Kam ardhur të protestoj në Evropë, se asnjë shqiptar nuk do ta njohë ndarjen e Shqipërisë, në paqe. Unë erdha të deklaroj, se, nëse kjo ndarje është përfundimtare, unë dhe vëllezërit e mi do të marrim armët për të mbrojtur integritetin e vendit tonë dhe do të jetë një luftë e ashpër, e paepur e me të gjitha mënyrat.

E drejta e pushtimit është një titulli i së vërtetës së dyshimtë.

Unë vetë, që për pesë vjet isha zot i vilajetit të Kosovës dhe gjatë kryengritjes së fundit, hymë triumfues në Shkup, duke shkaktuar dorëzimin e xhonturqve, mund të deklarohesha princ i atij vilajeti. Ne do të duhet të shohim sesi do të zgjidhen punët e më pas, të marrim një vendim…”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit