MENU
klinika

"Selia e PD nuk ndihet"

Nishani kritikon Bashën: Heshti, tani le të presim shtatorin

08.07.2021 - 17:40

Nga Bujar Nishani

Para pak ditësh në pararendje të takimit në kuadër të Proçesit të Berlinit u mbajt në Ohër Forumi i Prespës.

Forumi i Prespës duhet të ishte një platformë e reflektimit dhe adresimit të asaj që mbart si Narrativë politike proçesi i Prespës (Marrëveshja Greqi- Maqedoni e Veriut).

Kompromisi në shërbim të Integrimit drejt Perëndimit !

Rrugëtimi Euro-Atlantik i Ballkanit !

Çuditërisht Shqipëria dhe Serbia (në sintoni të përbashkët) përmes kryeministrave të tyre, jo vetëm devijuan nga platforma e Forumit por deformuan përmes qëndrimeve të tyre edhe vetë Narrativën e proçesit simbol të Prespës.

Shqetësimi parësor për ne në Shqipëri nuk është platforma dhe qasja e Serbisë, pasi ajo i përket politikës së saj të brendëshme (megjithëse me impakt rajonal), por për ne përbën shqetësim platforma dhe qasja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Edi Rama e përdori Forumin e Prespës  jo vetëm për të përsëritur por për të agravuar në tonacion dhe në fjalor fyes, stigmatizimim ndaj Evropës, që dmth ndaj Perëndimit.

Platforma simetrike Shqipëri-Serbi ishte fokusimi tek projekti serb i Nishit, të Jugosllavisë Bis (quajtur “minishengen” nga Edi Rama për të relativizuar dëmin e tij ndaj shqiptarëve).

Projekti serb i Jugosllavisë bis, është një projekt tërësisht fake (në kontekstin ekonomik dhe të sigurisë), pa asnjë potencial real në ato që pretendohen publikisht, por në realitet një projekt politik anti integrimit në Evropë të vendeve të Ballkanit e për më tepër kundër interesave shqiptare.

Modelit “titist” të ish Jugosllavisë, të shantazhit ndaj Perëndimit dhe flirtimit politik mes kundërshtarëve gjeopolitik, që vijon Serbia sot, po tenton ti bashkohet edhe Edi Rama.

Shqipëria po tenton ti bashkëngjitet narrativës serbe të mardhënieve ndërkombëtare në Ballkan !

Prespa ishte në fakt vendi më i gabuar për lançimin e kësaj narrative politike !

Narrativa e krijuar në Prespë (Greqi-Maqedoni e Veriut) ishte kompromisi për tu integruar me Perëndimin, jo shantazhi ndaj Perëndimit !

“Minishengeni” i Edi Ramës është tërësisht një projekt politik i A. Vuçiç, i cili synon trajtimin “de facto” të Kosovës prej Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit si një Krahinë Autonome, platformë  që i konvenon edhe atyre vendeve të BE që refuzojnë të njohin realitetin e ri në Ballkan.

Fabula e këtij projekti serb është e qartë për habitatin ndërkombëtar ; “nuk është se ka ndonjë farë rëndësie që  Kosova të njihet apo trajtohet si shtet, se ja bashkëpunimi midis popujve e vendeve atje është normal, ata funksionojnë bashkarisht  si treg, si shoqëri e hapsirë integrale brenda vetes, ndaj status quo është në rregull” !!!!

Kështu që koha punon veç në interes të ekspansionit serb (në shërbim afatgjatë të të tretëve në rajon) dhe integrimi Perëndimor i rajonit bëhet gjithnjë e më i largët ndërsa bota shqiptare mbetet e dobët, ekonomikisht e izoluar dhe pa vokacionin që i takon.

Edi Rama propagandon tek të vetët se është i investuar për hapsirë ekonomike të përbashkët e lëvizje të lirë në këtë hapsirë sipas modelit të “Shengenit” !

Në fakt askush nuk e mohon (do të ishte e gabuar të mohohej) b/punimin ekonomik në tregun ballanik, partneriteti dhe mardhëniet miqësore midis vendeve të rajonit.

Po ashtu, askush nuk e pengon sot lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve të rajonit.

Shqipëria ka arritur marrëveshje të lëvizjes me karta identiteti me Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut shumë kohë përpara se Edi Rama të vinte në pushtet !

Bashkëpunimi dhe partneriteti në Ballkan është domosdoshmëri dhe kurimi i gjithshkaje që ka lënduar në të kaluarën.

Por kurrë nuk mund të ketë më një palë të privilegjuar e një palë të diskriminuar.

Kurrë nuk mund të ketë më një palë superiore e pala tjetër inferiore.

Demagogjia e Edi Ramës për të relativizuar përfshirjen e tij në këtë projekt serb, diskreditohet menjëherë duke trajtuar veç dy elementë thelbësorë brenda asaj teze që përdor si fasadë Edi Rama.

Ekonomia dhe lëvizja e lirë !

Nëse pranojmë se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç do arrinin të ndërtonin një platformë të re të b/punimit ekonomik e tregëtar midis vendeve të Ballkanit, çfarë do të bënin ata me CEFTA-n ?

Një marrëveshje që Shqipëria e ka nënshkruar dhe është palë !

A do ta anulojë Edi Rama atë ?

A do ta injorojë ? A do ta zëvendësojë ?

Çfar do të bëjë ? Nuk ka sqaruar asgjë !

Po ashtu lëvizja e lirë është një dimension human, një dimension lirie !

Por në këtë hapsirë të re që kërkojnë të ndërtojnë E. Rama dhe A. Vuçiç ka një kontradiksion të madh që lidhet drejtpërdrejt me Sigurinë (jo vetëm rajonale).

Shqipëria, Mali Zi, Maqedonia Veriut janë anëtare të NATO-s, Kosova ka trupa ushtarake të NATO brenda saj !

Serbia dhe Bosnjë & Hercegovina nuk janë anëtare të kësaj Aleance.

Në Serbi madje përkujtohet me armiqësi vijimësisht ndërhyrja ushtarake e NATO-s !

A e ka dakorduar me Aleancën, Edi Rama, çështjen e hyrje-daljeve dhe qarkullimit në Shqipëri pa asnjë kontroll kufitar të askujt nga këto dy vende, ndërkohë në Serbi funksionon prej kohësh një bazë ushtarake e madhe e Rusisë.

Retorika dhe platforma e Edi Ramës në Forumin e Prespës dukeshin sikur donin ti kundërviheshin e të zhbënin Proçesin e Berlinit, por në fakt ishte në sintoni bashkë me Serbinë në shantazhim ndaj Proçesit të Integrimit Evropian e në tërësi raportit me Perëndimin.

Edi Rama po tenton ti bashkohet narrativës serbe të mardhënieve ndërkombëtare në aspektin rajonal !

Edi Rama mund ta ketë ndarë mendjen për këtë qasje, më së pari sepse nuk ka asnjë barrierë politike brenda vendit e nuk ndien asnjë frikë politike prej askujt brenda vendit !

Edi Rama me platformën serbe të Jugosllavisë së Re, ka injoruar totalisht interesin dhe dinjitetin e Kosovës.

Deri në vitin 2013 (kur E. Rama erdhi në pushtet), Shqipëria nuk merrte pjesë në asnjë tryezë apo iniciativë rajonale ku mungonte Kosova !

Disa tentativa për krijimin e nismave të tilla ku përjashtohej Kosova, dështuan pikërisht se ishte presioni dhe mospjesmarrja e Shqipërisë.

Serbia nuk lë rast pa lobuar e shantazhuar vende të treta për mosnjohjen e Kosovës prej tyre.

Shqipëria nuk tenton asnjë demarsh për ta vënë Serbinë nën presion për tu frenuar nga sjelljet malinje anti Kosovë !

Sot, E. Rama bëhet “flamurtar” e frymëdhënës i projekteve rajonale ku Kosova, qartësisht në mbrojtje të integriterit të saj, nuk merr pjesë.

E papranueshme në këtë situatë është edhe heshtja nga Selia e Partisë Demokratike si zëri i opozitës në vend !

Në qëndrimet prej provokatori ndaj Perëndimit dhe injorimi ndaj Kosovës, Edi Rama nuk po flet si kryetar i PS por si Kryeministër i Shqipërisë.

Ndaj dëmi që i bën  Kosovës, interesit kombëtar dhe imazhit të Shqipërisë nuk mund të kalojë pa u dënuar nga PD !

Selia e PD hesht e nuk ndihet për ta denoncuar këtë kurth Rama-Vuçiç në dëm të proçeseve integruese si shtet i Kosovës.

Edi Rama ka heshtur dhe nuk ka marrë asnjë iniciative për një Rezolutë në Parlamentin shqiptar për të dënuar gjenocidin e Srebrenicës në këtë përvjetor të atij gjenocidi, siç bëri Parlamenti i Malit të Zi dhe ai i Kosoves.

As Selia e Partisë Demokratike ,(si opozitë) nuk ja kërkoi që ta bënte këtë Parlamenti në Shqipëri !

Le të presim e të shohim a do ta marrë këtë iniciative grupi parlamentar i PD në shtator pasi të hyj në Parlament ?!!!

Deri atëhere koha vijon të punojë kundër interesit kombëtar shqiptar !