MENU
klinika

Gjenia e lindur

Pa shkollë… me NOBEL!

25.07.2021 - 17:36

         Një nga çmimet më prestigjiozë, që një person mund të marrë në rrugëtimin e jetës, është çmimi “Nobel”. Kur flasim për laureatët e “Nobelit”, mendojmë rëndom për njerëzit më të vlerësuar në fushat e tyre përkatëse. Zakonisht, kjo përkthehet në individë që kanë pasur arsimin më gjithpërfshirës. Gjithsesi, disa prej këtyre laureatëve në të vërtetë e braktisën shkollën e mesme!/Konica.al

Zhozef Brodski (Joseph Brodsky)

Një nga poetët më të famshëm në botë, Zhozef Brodski lindi më 24 maj 1940, në Leningrad. Ai e braktisi shkollën që në moshën 15-vjeçare, duke kryer punë të ndryshme. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ai mësoi autodidakt gjuhën polake dhe angleze dhe filloi të shkruante poezi. Po ashtu, njëfarë kohe studioi me poeten ruse Anna Akhmatova para se të dëbohej nga Bashkimi Sovjetik në 1972. Brodski u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku shkroi nëntë vëllime me poezi. Punoi si profesor në universitetin e “Columbia”-s, si dhe në Kolegjin “Mount Holyoke”. Në vitin 1987 mori çmimin “Nobel” për Letërsi. Vazhdoi të bashkëpunonte me Projektin Amerikan Poezi & Letërsi me Andrew Carroll. Vdiq më 28 janar 1996 nga ataku në zemër.

Albert Ajnshtajni (Albert Einstein)

Albert Ajnshtajni lindi në 14 mars 1879, në Gjermani. Edhe pse ishte student mesatar, tregoi interes të madh për shkencën dhe matematikën. Kur mbushi të 15-at, Ajnshtajni vendosi të braktiste shkollën. Për të kompensuar arsimin e humbur, ndoqi një shkollë në Zvicër për të marrë nivelet-A para se të vijonte studimet në Zyrih. Pasi u transferua në Bern, Ajnshtajni filloi të punonte në Zyrën e Patentave, ndërsa në kohën e lirë merrej me fizikën teorike. Me kalimin e kohës, Ajnshtajni botoi punime të shumta të rëndësishme shkencore, përfshirë edhe me teorinë speciale të relativitetit dhe teorinë e përgjithshme të relativitetit. Në vitin 1921 u laureua me çmimin “Nobel” në Fizikë. Për shkak të çështjeve politike në Gjermaninë naziste Ajnshtajni u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku vitet e fundit i kaloi i vetmuar në Prinston. Vdiq në 1955.

Artur Henderson (Arthur Henderson)

Artur Henderson lindi më 13 shtator 1863, në Glasgow, Skoci. Kur i vdiq i ati, u detyrua të braktiste shkollën për shkak të varfërisë. Pas rimartesës së nënës, Henderson iu rkthye shkollës për tre vjet, për ta braktisur sërish. Njohuritë i mblodhi në fonderinë ku punonte dhe nga gazetat. U bashkua me Unionin “Ironfounders” kur ishte vetëm 18-vjeç dhe, brenda një kohe të shkurtër, u zgjodh sekretar i degës së Newcastle. Karrierën politike në Britani e filloi në vitin 1892. Henderson themeloi Partinë Laburiste në 1906 dhe sekretar i saj për 23-vjet. Në 1929 u emërua Sekretar i Jashtëm, kurse në 1934 fitoi çmimin “Nobel” për Paqe.

Albert Kamy (Albert Camus)

Albert Kamy lindi më 7 nëntor 1913, në Algjeri. Një vit më pas, i ati iu vra në Luftën e Parë Botërore, si rrjedhojë familja u zhvendos të jetonte me gjyshen nga nëna dhe dajën e paralizuar në një apartament me dy dhoma. Krijimtaria e Kamysë pasqyron vdekshmërinë e brishtë njerëzore, si dhe bukurinë e përjetshme të natyrës. Fitoi bursë në një kolegj prestigjioz, por iu desh ta braktiste për shkak të tuberkulozit. Megjithatë, pasi u zhvednos e mbajti vetë veten, derisa frekuentoi Universitetin e Algjerit për filozofi. Kamyja shfaqi një dashuri të thellë për teatrin edhe pse dramat e tij janë pjesa më e nënvlerësuar e krijimtarisë letrare. Punoi si gazetar në Francë dhe fitoi reputacionin e një prej figurave kryesore letrare. Kamy mori çmimin “Nobel” në Letërsi në moshën 44-vjeçare në 1957. Fatkeqësisht, vdiq në një aksident automobilistik më pak se tre vjet më vonë.

Leon Zhuho (Leon Jouhaux)

Leon Zhuho lindi më 1 korrik 1879, në Paris. I ati punonte në një fabrikë shkrepëseje, por të ardhurat u prenë për shkak të një greve, çka bëri që Leon të hiqej nga shkolla. U transferua në një institucion tjetër për një vit, para se të largohej përsëri për të mbajtur familjen. Zhuho filloi

punë në fabrikën e shkrepsave, më pas u bashkua me ushtrinë. Mirëpo, u thirr përsëri për të punuar në fabrikë, sepse i ati u verbua ngaqë punonte me fosfor të bardhë. Mori pjesë në grevën e tij të parë dhe u pushua nga puna, për t’u ripunësuar më vonë. U bë Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së lokalitetit të tij, CGT dhe mbajti fjalime në shumë vende, duke nxitur sindikatat e punës të bashkohen në çështjen e paqes. Më pas, u emërua Nënkryetar i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave të Lira. Në 1949, u emërua President i Lëvizjes Evropiane. Megjithëse, u arrestua në dhjetor 1941 kur ra Franca, Zhuho u çlirua 25 muaj më vonë. Në 1951, u nderua me çmimin “Nobel” për Paqe./Konica.al

Hose Saramago (Jose Saramago)

Hose Saramago lindi në vitin 1922 në një qytet të vogël në Portugali. Pavarësisht nga ecuria e shkëlqyer akademike, Saramagos iu desh të braktiste shkollën për shkaqe financiare. Filloi të punonte si përkthyes dhe gazetar për “Diario de Noticias”. Së pari, mori vlerësime letrare në mesin e të pesëdhjetave me botimin e romanit: “Baltasar dhe Blimunda”. U bashkua me Partinë Komuniste në 1969 dhe doli haptazi ateist. Saramago nuk besonte në emrat e përveçëm, kështu që veprat dallohen, sepse shumica e personazheve të tij nuk kanë emra. Mori çmimin “Nobel” për Letërsi në 1988.

Heri Martinson (Harry Martinson)

heri Edmund Martinson lindi në 1904 në Jamshog, Suedi. Prindërit i vdiqën kur ishte ende i ri, duke e lënë jetim. Kur mbushi 16-vjeç, u largua nga institucioni ku u rrit dhe shkoi në det. Gjashtë vjet i kaloi në bordin e anijeve të shumta, duke punuar në vende të huaja. Martinson e përdori këtë përvojë dhe të gjitha takimet që pati si frymëzim për veprat e tij. Temat e veprave të tij përfshijnë përvojat gjatë një fëmijërie të ashpër. Punimet pasqyrojnë dashurinë dhe shqetësimin për natyrën, si dhe interesin e tij për shkencën. Martinsonit u lnderua me çmimin “Nobel” në Letërsi së bashku me Eyvind Johnson në 1974.

Xhorxh Bernard Shou (George Bernard Shaw)

Bernard Shou lindi më 26 korrik 1856, në Dublin. Arsimimin e hershëm e mori nga xhaxhai klerik, para se të frekuentonte shkolla të ndryshme lokale. Sidoqoftë, për shkak të mospëlqimit për trajnimin e organizuar, Shou e la shkollën dhe filloi të punonte që në në moshën 15-vjeçare. Në vitin 1876 u zhvendos në Londër dhe ndoqi karrierën në të shkruar. Për një dekadë, u rrek të shiste ndonjë nga veprat e veta dhe iu desh të jetonte me nënën dhe motrën. Më vonë, u tërhoq pas socializmit dhe u bashkua me Shoqërinë “Fabian”. Punimet e tij të hershme u përqëndruan në problemet sociale dhe fituan popullaritet për shkak të lehtësisë komike. Shou u vlerësua me çmimin “Nobel” në Letërsi në 1925. Trembëdhjetë vjet më vonë, e nderuan me çmimin e Akademisë për Skenarin më të Mirë të Adaptuar për adaptimin filmik të veprës së tij “Pygmalion”.

Herbert C. Braun (Herbert C. Brown)

Herbert Braun lindi më 22 maj 1912, në Londër. Dy vjet më vonë, familja e tij u transferua në Shtetet e Bashkuara. Shkëlqeu në shkollë, por u detyrua ta braktiste atë pas vdekjes së të atit. Sidoqoftë, pasi e kuptoi që biznesi nuk ishte për të, Braun iu rikthye shkollës, në kolegj, ku ndoqi kiminë. Për fat të keq, kolegji u mbyll. Iu bashkua një kolegji tjetër para se të transferohej në Universitetin e Çikagos. Në 1938 mori doktoratën. Braun vazhdoi të asistonte kërkimin në materin alma, ku, së bashku me një instruktor tjetër, ai qe në gjendje të sintetizonte uraniumin e avullueshëm borohidrid (IV) si dhe shumë zbulime të tjera novatore. Vazhdoi të jepte mësim në universitete të ndryshme, u bë anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave. U laureua me çmimin “Nobel” në Kimi në 1979, së bashku me George Wittig. Vdiq më 2004 nga një atak zemre.

Uilljam Folkner (William Faulkner)

Uilljam Folkner lindi në 25 Shtator 1897, në Misisipi dhe ndoqi një edukim të vërtetë jugor me prindër të shtresës së mesme. E braktisi shkollën e mesme, por iu përkushtua leximit dhe studimit, së pari audodidakt dhe mandej nën kujdesin e një miku të familjes. Në 1918, Folkner u bashkua me ushtrinë britanike, për t’u kthyer në shtëpi vetëm disa muaj më vonë. U regjistrua në disa kurse universitare, ndërsa botonte poezi në gazetat e kampusit. Vazhdoi të botonte romane të shumta dhe iu përkushtua gati në izolim, të shkruarit. Folkner ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, punimet e tij eksploruan çështje themelore që konsiderohen të dhunshme nga disa kritikë. U nderua me çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1949./Konica.al