MENU
klinika

Mes të arrestuarve janë dhe dy biznesmenët

“Pazari” që çoi në pranga zyrtarët në Lushnje

07.07.2021 - 13:02

Kreu i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe dhjetë persona të tjerë, përfshirë zyrtarë lokalë dhe biznesmenë, përfunduan në prangat e Policisë gjatë ditës së djeshme me urdhër të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ata akuzohet si të përfshirë në afera korruptive, ndërsa vetë kryebashkiaku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. Arrestimet e të dyshuarve u bënë në mënyrë demonstrative në Bashkinë e Lushnjës, ku edhe vetë kryebashkiaku u prangos në zyrën e tij. Tre furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit zbarkuan në bashki e më tej në zyrat e Ndërmarrjes së Pasurive Publike për të zbatuar urdhër-arrestet. Akuza për të cilën janë arrestuar zyrtarët është një tender për rehabilitimin e një kanali ujitës, me vlerë 24 milionë lekë të rinj. SPAK thotë se ka kryer hetimet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve”.

“Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ në bashkëpunim, ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, ‘Falsifikim i dokumenteve’, kryer në bashkëpunim”, tha SPAK.

ARRESTIMET E ZYRTARËVE

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 50, datë 05.07.2021, ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Fatos tushe, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Gjithashtu, në pranga kanë përfunduar edhe Flamur Peqini, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë, i dyshuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim;

Gazmend Çela, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Në pranga ka përfunduar gjithashtu Bektash Nexha, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Midis të arrestuarve me urdhër të SPAK është edhe Blerta Turku, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, në arrest shtëpie janë vendosur zyrtarët Xhemal Hasko, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim;

Margarita Gjermeni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim; Andri Musho, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Gjithashtu, nën arrest shtëpie është vendosur Ani Simoni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

ARRESTIMET E BIZNESMENËVE

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, përfunduan në pranga edhe biznesmenët Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti shpk”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim. Bujar Murati, administrator i kompanisë “Euro Alb shpk”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, në zbatim të vendimit nr. 227, më datë 3 korrik, Policia Gjyqësore ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuara dhe të tjerë. Kryebashkiaku Fatos Tushe drejton prej tri mandatesh Bashkinë e Lushnjës. Kujtojmë se më 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur në zyrë, pasi shoferi i tij, Gëzim Saraçi, në debat e sipër i hodhi një granatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


24 mln lekë tender për kanalin vaditës

Firma e gabuar që çoi pas hekurave Fatos Tushen