MENU
klinika

Nga Kimete Berisha

Pedagogu i Vuçiçit!

22.07.2021 - 17:23

T’i tregosh Aleksandër Vuçiqit se shteti serb ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës është metodë pedagogjike e edukimit të ish ministrit për informim të Sllobodan Millosheviqit!

Aleksandër Vuçiqi e di më mirë se Ti se çfarë krimesh ka kryer shteti i tij ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Sepse atë punë ka pasur, të dijë çfarë ndodh dhe sa po zbatohen urdhërat shfarosës të shefit të tij…sepse ka qenë njëri nga ata.

Nuk është puna e Kryeministrit të Kosovës ta edukojë, ta bindë dhe ta vetëdijësojë Aleksandër Vuçiqin!

Sepse Aleksandër Vuçiqi nuk e fsheh mendimin dhe bindjen se Serbia e Sllobodan Millosheviqit ka pasur të ‘drejtë’ t’i vrasë, t’i shfarosë, t’i djegë për së gjalli dhe t’i përndjekë shqiptarët!

Nevoja për ta bërë ‘njeri të mirë’ Aleksandër Vuçiqin, dhe obesioni shqiptar që ta bindin kryetarin serb të pendohet, të kërkojë falje dhe të përmirësohet, është neveritëse.

Aleksandër Vuçiqi i ka lodhur aq shumë shqiptarët me mohimin e krimeve ndaj shqiptarëve, e ka çuar aq larg ‘pazarin’ e së vërtetës, sa që veç nëse do ta pranonte të vërtetën, shqiptarëve u duket boll, shumë gëzohen me ua qarë hallin Serbia!

S’e kuptoj Pse! .

Nuk varet e vërteta e shqiptarëve nga Serbia!

E vërteta ka ndodhur para syve të botës.

Shqiptarët e kanë dëshmitare krejt botën për krimet që i kanë përjetuar, ama nuk qetësohen pa e pranuar edhe Serbia të vërtetën.

Nuk është e nevojshme që krimineli ta pranojë krimin e të pendohet, krimineli duhet të gjykohet e të dënohet.

Politika shqiptare është aq patetike ndaj Serbisë, e ka prurë punën deri aty sa sillet sikur pa e pranuar krimineli krimin e tij, nuk mjafton e vërteta.

Pse ke nevojë si viktimë të ta pranojë vuajtjen krimineli yt!

Viktima shqiptare nuk gjen qetësi pa ia pranuar vuajtjen krimineli?

Drejtësi, zotni, veç drejtësia e rehaton shpirtin dhe mendjen!

Pyetja është pse bota demokratike ende i konsideron njerëz normal ata që pajtohen me krimet e milicisë dhe ushtrisë serbe të Sllobodan Millosheviçit dhe i glorifikojnë ato, siç bën Aleksandër Vuçiqi.

E vërteta ka ndodhur, gjenocidi ndaj shqiptarëve është shkaktuar nga Serbia dhe tash dukesh si budalla kur autorit (Aleksandër Vuçiqit) ia dhuron librin e përgjakur, që e ka shkruar vet!

Pra, është absurde t’ia dhurosh autorit librin që e ka shkruar vet!

Hero do të ishte ai që nuk e pranon në bisedë Aleksandër Vuçiqin, ashtu siç ka premtuar Kryeministri Kurti, që nuk pranon negociata me Serbinë, pa kërkuar Serbia falje për krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve.

‘Ai që flet ndryshe dhe vepron ndryshe, quhet manipulant’.

P.S. Qe edhe një zbërthim i çështjes:

Për shembull: dihet se unë jam e ‘pakapshme’!

Prandaj, është absurde nëse mundohesh të më bindësh me mish e me shpirt se jam ‘e pakapshme’,

sepse Unë e di!

(E pakapshme do të thotë: Që nuk mund të merret a të pushtohet dot nga kundërshtari).