Sllovenia do të jetë kryesja e radhës e BE-së, ndërsa Shqipëria shpreson për një qendrim pozitiv lidhur me çeljen e negociatave.
Qendrimin zyrtar për këtë çështje e ka sjellë sonte ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Peter Japelj, i cili deklaroi në emisionin “Frontline” se për vendin e tij Shqipëria i ka përmbushur kushtet.
Ai shtoi më tej se procesi për të dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është paketë dhe se është i lidhur, teksa u shpreh optimist për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.
A është kjo një ‘Jo’ e prerë, apo është një ndërprerje?
Është një proces që ka një ndërprerje të vogël. Dje në Bullgari pati zgjedhje. Po presim qeverinë e re brenda verës dhe është një momentum i ri. Gjermania dhe Portugalia punuan shumë, pasi kjo ishte pengesa e fundit për negociatat, dhe shpresojmë që këtë ta zgjidhim brenda presidencës sllovene.
Pse vendet anëtare nuk i dhanë dy vendeve një datë për tryezën e parë ndërqeveritare?
Vendimi duhet të merret në unanimitet. Shumica e vendeve ishin në favor, siç kanë qenë që në fillim, por në fund të gjitha shtetet duhet të thonë po.
Një vit më parë, shumë thanë që Shqipëria penalizoi Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave. A mendoni se tani është e kundërta?
Sigurisht është një paketë. Të dyja vendet të nisin bashkë këtë proces. Ka disa arsye pse vendimi u mor i tillë.
A i ka përmbushur Shqipëria kushtet e vendosura nga BE?
BE i kishte vendosur kushtet e qarta dhe në bazë të tyre përgjigjja është po.