MENU
klinika

Poeti i harlisur

Pol Verleni në fjalët që veshin universin

27.07.2021 - 17:39

         Edhe pse për miqtë dhe admiruesit njihej si “Mjeshtri”, deri ditën që dha jetë më 8 janar 1896, gjatë gjithë jetës poeti francez Pol Verlen duroi një marrëdhënie të ngurtë me publikun. Vitet e fundit filloi t’i zbehet edhe reputacioni letrar: pjesërisht për shkak të sjelljes skandaloze, madje edhe pasi ai u identifikua si një ndikim i madh në mugullimin e rrymës simboliste. Verleni ishte gjithashtu një nga modelet për lëvizjen “Dekadente”, fillesat e së cilës datojnë në vitet 1870. Sa i përket reputacionit të tij letrar, fama e Pol Verlenit, mbështetet kryesisht në marrëdhënien e stuhishme personale me poetin Artur Rëmbo. Duke preferuar më tepër zymtinë se sa kthjelltësinë, duke kërkuar idenë e thjeshtë dhe sugjerimin e heshtur se sa formulat formale, Verleni i afrohet poezisë tamam si një muzikant, duke evokuar përmes fjalëve magjike dhe risive metrike, ndjenja dhe një atmosferë të vështirë për ta identifikuar. Poemat e tij janë njëkohësisht melankolike dhe të thjeshta. Për të, poezia duhet t’i apelojë pavetëdijes, vullnetit dhe rastësisë. Pol Verleni, një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XIX, pasardhës i drejtpërdrejtë i artit të Bodëlerit, përfaqësues i poezisë moderne që zuri fill në Francë me të ashtuquajturën rrymë simboliste./Konica.al

U lind në Metz, më 30 mars 1844, fëmijë i vetëm i ushtarakut Nikolas dhe znj. Dehée. Prej nënës, Poli trashëgoi gjallërinë, por në vijim duket t’i ketë ngjarë më tepër gjyshit nga i ati, njeri ky i paqetë, rebel e alkoolist. Në moshën 18-vjeçare shkon të jetojë në shtëpinë e kushërirës, Elisa Moncomble dhe këtu shfaqen shenjat e para të çrregullimeve të tij shpirtërore, teksa dashurohet me kushërirën e martuar dhe tetë vjet më të madhe. Elisa, e cila vdiq në moshë të re, la gjurmë të thella në ndërgjegjen e djaloshit Verlen dhe tiparet e saj, së bashku me natyrën e marrëdhënieve të ndërmjetme, janë skicuar te disa prej poezive të tij. Poezi si “Përgjëratë”, “Ëndrra ime e përnatshme”, “Ankth”, “Çavitri”, tërheqin edhe vëmendjen e Malarmesë, i cili nuk nguron ta përshëndesë. Pas vdekjes së të atit dhe kushërirës, jeton me të ëmën dhe ngryset e gdhihet i dehur. Boton njërën pas tjetrës përmbledhjet “Miqtë” (1867) dhe “Festat galante” (1869). Verleni nuk është një fanatik i “poezisë së kulluar”. Këtë lloj poezie ai, sikurse ka ndodhur edhe me gjithë simbolistët pothuaj, vetëm sa e çik kur e kur, pa iu përfalur asnjëherë. Po kështu, larminë e strofave nuk mund ta gjejmë te asnjë poet i mëparshëm apo bashkëkohës në atë masë, që e ka zbatuar Verleni. Nga testamenti i paçmueshëm i Bodëlerit, pjesa që i takon krejtësisht Verlenit është melankolia, një melankoli gjendjesh shpirtërore, peizazhesh dhe ëndrrash, por, në ndryshim nga satanizmi i mësuesit, ajo është e dlirë, e brishtë e gati naive. La gjithashtu edhe prozë: “Poetët e mallkuar” (1884), “Kujtimet e një vejani” (1886), “Spitalet e mi” (1891), “Burgjet e mi” (1893) etj.

Më 1895, teksa ishte në grahmat e fundit të jetës, Verleni u zgjodh “Princi i Poetëve” nga bota letrare franceze. Disa ditë para vdekjes, ai botoi poezinë e tij të fundit: “Vdekja”. Më 8 janar 1896 ai vdiq nga kongjestioni pulmonar. Tre mijë vetë morën pjesë në funeralin e tij, dy ditë më vonë.

Pol Verleni kontribuoi në rinovimin e shprehjes poetike. Arti i tij nuk është revolucionar, por kulminacioni i një tradite poetike të zotëruar në përsosmëri. Ai hulumton, kompozon, përtërin dhe përkthen jetën. “Poezia është ritëm”, – shprehet Verleni. Por ritmi është gjithashtu muzikë dhe në poezinë e Verlenit, këto dy elemente janë të pandashme. Ai është në gjendje të përfshijë kohën, vendin me një pulitje sysh./Konica.al

Metafora e Pol Verlenit, duket se është një tepri e realitetit dhe ndjesi të zmadhuara. Puna e tij është një vepër që sublimon perceptimin e universit.

 

NJË GJUMË PA MBARIM…

Një gjumë pa mbarim

Pllakos jetën time:

Ju, o shpresa, flini,

Flini, ju qëllime!

Kujtesa m’është vdirë,

Asgjë përreth nuk shoh

Të keqe a të mirë…

Ç’jetë e trishtë kjo!

Prej dorës kujdestare

Përkundem djep tani

Thellinës së një varri:

Qetësi, vetëm qetësi!

 

TRISHTIMI, KAPITJA E TRUPIT NJERËZOR

Trishtimi, kapitja e trupit njerëzor

Më tretin, më prekin, rrënqethin pa kufi.

Ah, më shumë kur shtrojet e gjumit të zi

I rrudhosin lëkurën dhe i ndrydhin dorën!

Ende i vakët prej banje ku djersën shporri,

Ankthi i së nesërmes e kap përsëri,

Si trumcaku, që drithëron përmbi çati!

Dhe këmbët, nëpër rrugë gjithherë të gjorat!

Dhe goja e kuqe rishtazi një plagë!

Dhe gjoksi në shenjë prej grushtit të dyfishtë!

Dhe mishi fërgëllues, zbukurim i brishtë!

Dhe syt’ e mjerë e të bukur diku larg,

Ku dhimbja e vështrimit ende e pashuar

Trup i shkretë ! Sa i dobët, aq dhe i ndëshkuar!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN