MENU
klinika

“Do ishin nën akuzë 2/3 e shqiptarëve”

Prokurori i Vlorës nxjerr provat në Gjykatë

05.07.2021 - 10:58

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Posaçme, ka paraqitur prova që sipas tij hedhin poshtë dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Donial Drolli, se ai ka pasur lidhje me kreun e bandës për trafikun e drogës, në kuadër të operacionit “Shpirti”.

Duke i mohuar të gjitha dëshmitë, Sota tha se nuk ka lidhje me Ilirjan Zaimin dhe se nuk ka jetuar në një shtëpi me qira të paguar nga kreu i bandës së drogës.

Ndër të tjera, prokurori ka sqaruar se nuk ka marrë asnjëherë shtëpi me qira, dhe që prej vitit 2010 ka jetuar në banesën e blerë nga vëllai i tij, Ilir Sota në lagjen “Plazhi i Vjetër” pranë portit të Vlorës.

Prokurori ka paraqitur në seancën e GJKKO-së edhe certifikatën e pronësisë së apartamentit të vëllait, dokument i siguruar edhe nga “Panorama”.

Gjatë seancës për njohjen e masës së sigurisë prokurori i ka konsideruar deklaratat e rreme, duke kërkuar revokimin e masës “Arrest shtëpie”, vendosur ndaj tij. Ai rendit të gjitha faktet që sipas tij vërtetojnë të kundërtën.

KËRKESA E SOTES

Unë Maksim Sota ushtroj detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë që prej datën 02.10.2006 dhe sot ndodhem para jush si person nën hetim, ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në datën 02.07.2021 jam njohur me vendimin nr. 45 data 30.06.2021, si dhe me pjesën arsyetuese të këtij vendimi, në të cilën janë arsyetuar provat në ngarkimin tim si person i marrë në hetim për kryerjen e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.

Po në këtë datë, kam paraqitur menjëherë kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për pezullimin tim nga ushtrimi i detyrës së prokurorit, pasi kam konstatuar se jam subjekt i një procedimi penal dhe këtë herë jo si prokuror, por si person nën hetim.

Kam kërkuar pezullimin deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje të krijuar ndaj meje dhe marrjen e një vendimi përfundimtar për të vërtetën e dyshimeve të ngritura ndaj meje.

E nderuar zonja gjyqtare! Kam lexuar me vëmendje të gjithë vendimin e arsyetuar nr. 45 datë 30.06.2021 prej 129 faqe, në të cilin është shkruar dhe arsyetuar vetëm 1,5 faqe për provat në ngarkimin tim dhe arsyetimin se kam kryer veprime dhe mosveprime të paligjshme në ushtrim të detyrës time si prokuror, në lidhje me disa persona pjesëtar të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në këto 1,5 faqe arsyetim, më rezulton se kam shpërdoruar detyrën time si prokuror, pasi dy prej pjesëtarëve të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe konkretisht Donial Drolli dhe Mariglen Shusha, në cilësinë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe statusit të personit të penduar, kanë deklaruar se shtetasi Ilirjan Duçellari (Zaimi), i cilësuar si kreu i këtij grupi të strukturuar kriminal, ka pasur “lidhje” me mua dhe gjithashtu më ka paguar qiranë e shtëpisë ku qëndroja unë në qytetin e Vlorës.

Në këto kushte, sipas arsyetimit të Gjykatës, unë kam luajtur një rol thelbësor që grupi i strukturuar kriminal të ushtronte i qetë dhe i vendosur trafikimin e lëndëve narkotike që prej vitin 2014 e në vazhdim.

Me këto veprime dhe prova të cilësuara në faqen 121 dhe 122 të vendimin nr. 45 datë 30.06.2021, unë në cilësinë e prokurorit kam krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të shtetit, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale.

Kryerja e këtyre veprimeve nga ana ime, referuar arsyetimit të gjykatës, ka sjellë si pasojë; dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, të cilat mund jenë materiale ose jo materiale; mosushtrimin në kushte specifike prej meje të përgjegjësive dhe detyrave respektive ligjore në cilësinë e prokurorit; aktivitet të qëndrueshëm kriminal të personit nën hetim Ilirjan Duçellari (Zaimi), në cilësinë e drejtuesit të grupit kriminal.

E nderuar zonja gjyqtare, në qoftë se niveli i provës dhe të provuarit të një dyshimi të arsyeshëm është vendosur në këtë standard, i cili nuk mund të cilësohet as në standardin minimal të sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale, por shumë-shumë herë më i ulët, atëherë duhen të merren në përgjegjësi penale më tepër se 2/3 e të gjithë shqiptarëve, përfshirë prokurorë, gjyqtarë, oficerë Policie apo politikanë, për njohjen që kanë me persona që më pas dalin se kanë qenë në hetim apo arrestohen në kuadër hetimesh të nisura më parë në kohë.

E nderuar zonja gjyqtare, pavarësisht këtij arsyetimi ligjor, dua të deklaroj dhe të ndalem në rrëzimin si të pavërteta të pretendimeve dhe dyshimeve lidhur me “lidhjen” time me këta persona nën hetim apo supozimit për qëndrimin tim në një banesë me qira të paguar nga ata dhe konkretisht.

1. E para ka një ndryshim të madh midis fjalëve “lidhje” dhe “njohje” midis dy apo disa personave; Në rast ekziston një lidhje, atëherë ka marrëdhënie reciproke në mënyra dhe forma të ndryshme midis këtyre personave, të cilat normalisht duhet të evidentoheshin në vendimin e gjykatës; Në rast se flasim për “njohje” midis dy apo disa personave, ka një ndryshim të rrënjësor me rastin e një lidhje midis tyre;

2. Lidhur me pretendimin e përdorimit/qëndrimit tim në një banese të paguar nga personat nën hetim deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se ky fakt është tërësisht i pa vërtetë dhe kjo për arsyet e mëposhtme.

Unë kam lindur, rritur dhe jetoj/banoj në banesën time familjare të ndodhur në fshatin Zhym, të Njësisë Administrative Krutje Lushnje. Në qytetin e Vlorës nuk kam marrë ndonjëherë banesë me qira, me kontratë apo pa kontratë formale dhe as kam poseduar banesë të ndonjë prej personave të tjerë të përmendur apo jo në këtë ketë vendim, apo persona të tjerë të tretë.

Që prej vitin 2010 kam qëndruar herë pas herë, sidomos në rastet e ditëve të gatishmërisë, por jo vetëm, në një apartament të blerë nga vëllai im Ilir Sota dhe të përdorur edhe nga familjarët e mi (prindërit) në periudhat e verës;

Këtë apartament dhe qëndrimin tim në të, e kam deklaruar edhe në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave që në vitin 2011- 2012; Po kështu, këtë apartament vëllai e disponon edhe aktualisht dhe ndodhet në hyrjen e lagjes Plazhi i Vjetër, pranë Portit Detar Vlorë;

Nëse këta persona kanë paguar qira te vëllai im, për qëndrimin tim në këtë apartament, deklaroj se nuk jam në dijeni të këtij fakti dhe do të mbaj përgjegjësi ligjore nëse ky fakt qëndron i vërtetë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Më gjeni një provë të vetme dhe do shkoj në burg"

Maksim Sota thyen heshtjen: Më shkaktuan dhimbje në familje