MENU
klinika

Fiskalizimi/ Diskutimet në Komisionin e Ekonomisë

Pse qeveria shtyu afatin për gjobat ndaj bizneseve?

07.07.2021 - 13:54

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje aktin normativ të qeverisë dhe shtyu deri më 1 janar 2022 vendosjen e penaliteteve për bizneset në proces fiskalizimi.

Në mbledhjen e komisionit, e fundit për këtë sesion parlamentar, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero, u shpreh se ky akt normativ erdhi si kërkesë e bizneseve të ndryshme për të përjashtuar nga gjobat deri në përmbushjen e detyrimeve të tyre për fiskalizimin. Konkretisht, komisioni shqyrtoi dhe miratoi Aktin Normativ Nr. 27, datë 1.7.2021 “Për një shtesë në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar. Sipas tij, qeveria ka mirëpritur kërkesën e bizneseve dhe ka vendosur të mos aplikojë penalitetet, të cilat janë të parashikuara në ligjin për procedurat tatimore.

Ndërkohë, gjatë diskutimeve në mbledhje, kreu i komisionit, Anastas Angjeli, replikoi me deputeten e opozitës Edlira Hyseni për shkak të diskutimeve dhe pyetjeve të ngritura prej saj. Angjeli u shpreh se ato që janë miratuar dy vjet më parë nuk mund të vihen në diskutim tani, ndërsa tha se mbledhja nuk mund të kthehet në dasmë për t’u shprehur për çdo çështje jashtë rendit të ditës.

DISKUTIME

Vasilika Vjero: Që prej datës 1 janar ka nisur procesi i fiskalizimit për ata tatimpagues që kryejnë transaksione me institucionet publike. Me këtë akt normativ, qeveria shqiptare ka vendosur që të mos aplikojë deri në datën 1 janar 2022 penalitetet, të cilat vijnë si rrjedhojë e zbatimit të ligjit për fiskalizimin ose “faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Ky propozim ka ardhur si rezultat i kërkesave që kanë ardhur nga bizneset, të cilat kërkonin më shumë kohë për të filluar dhe implementuar sistemin e fiskalizimit. Për këtë arsye u shqyrtua afati i fytjes së penaliteteve ku përfitojnë mbi 100 mijë tatimpagues. Ky akt normativ u ndërmor për t’i dhënë një ndihmesë biznesit pas periudhës së vështirë që kaloi.

Anastas Angjeli: Ka pasur një angazhim maksimal nga qeveria për të mbështetur biznesin për shkak të situatës që ai kaloi nga pandemia. Vetëm gjatë këtij 6- mujori janë marrë 28 akte normative që lidhen direkt ose indirekt me komunitetin e biznesit për t’i ndihmuar ata. Konkretisht, ky akt normativ është një masë lehtësuese për të gjitha subjektet dhe do të ndihmojë bizneset të përfshihen në procesin e fiskalizimit. Do të jetë me shumë rëndësi që ne ta miratojmë këtë akt normativ edhe t’ia përcjellim Kuvendit për miratim.

Edlira Hyseni: Po përfitoj për dy-tri pyetje të thjeshta, duke qenë se e njoh nga afër praktikën e fiskalizimit të biznesit dhe procedurave në vijim.

Anastas Angjeli: E lëmë temën e praktikës dhe kalojmë në pyetje, se koha që kemi në dispozicion është shumë e shkurtër. Keni dy minuta koha të bëni pyetje.

Edlira Hyseni: Po, çështja është shumë e rëndësishme, kryetar, dhe përfshin një numër të madh biznesesh dhe tatimpaguesish dhe mendoj që është një ndër çështjet më të rëndësishme që mund të diskutojmë në këto momente. Unë e përshëndes nismën që erdhi si një domosdoshmëri për ta ndihmuar biznesin në këtë lehtësim të penaliteteve dhe unë jam pro shtyrjes së penaliteteve për aplikimin e fiskalizimit. Ndërkohë që fiskalizohet biznesi, do të vazhdojë me faturimin siç po e bën edhe tani? A ka mundur AKSHI ta realizojë 100 për qind përgjigjen e aplikimeve që ka marrë nga biznesi, pasi njoh biznese që kanë aplikuar pak ditë më parë dhe akoma nuk janë pajisur me certifikatë. A është gati AKSHI për t’i pajisur me certifikatë elektronike të gjitha bizneset që kanë aplikuar?! Në dijeninë time ka shumë biznese që kanë nevojë për trajnime për të bërë kontabilitetin e bizneseve të tyre.

Anastas Angjeli: Një sugjerim. Ne kemi diskutuar për çështje të fiskalizimit dhe kemi konsumuar shumë probleme. Por sot jemi vetëm për një çështje.

Edlira Hyseni: Për një fola edhe unë.

Anastas Angjeli: Ju lutem! Edlira, kur fole nuk të ndërpreva dhe mos më ndërprit. Këtu mbledhjen e drejtoj unë dhe nuk dua që të më ndërpresë as ti e asnjë tjetër. Ne jemi këtu vetëm për një çështje. Jemi për çështjet që penalitetet do të spostohen për në datën 1 janar 2022 apo jo? Ne nuk mund të shndërrojmë mbledhjen në dasëm, ju lutem shumë. Në çdo mbledhje nuk mund të fillojmë nga e para e atë që kemi miratuar 2 vjet më parë ta vëmë në pikëpyetje sot. Po keni çështje konkrete, shkoni në Ministrinë e Financave apo Drejtorinë e Tatimeve dhe kërkoni sqarim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


100 mijë subjekte do përfshihen në faturimin elektronik

Fiskalizimi, bizneset bëhen “lëmsh” me faturat

Qeveria shtyn gjobat e fiskalizimit

Nuk ka sanksione për bizneset deri më 1 janar 2022