MENU
klinika

Shqipëria nën “ethet” e kriptovalutave

Rreziku i pastrimit të parave dhe sekretet

18.07.2021 - 09:40

Tendenca globale e investimit në kriptovaluta ka përfshirë edhe Shqipërinë. Shumë investitorë, sidomos të rinj, po i shohin këto instrumente si një shans për t’u pasuruar shpejt. Disa syresh ia kanë arritur, por ky treg ka tipare të forta spekulative, me luhatje shumë të mëdha afatshkurtra të çmimeve. Megjithëse nga shtatori 2020, Shqipëria ka një ligj që rregullon tregtimin e kriptomonedhave, kuadri nënligjor për licencimin e subjekteve ende nuk është gati.

Dr. Rrezeart Lahi është drejtor i një kompanie private që prej disa vitesh është e angazhuar në investimin në kriptovaluta. Aksionerët e panë tregun e kriptovalutave si një mundësi për të investuar një pjesë të të ardhurave nga bizneset e tjera. Ai thotë për “Monitor” se që atëherë, vlera e portofolit të investuar është rritur me rreth 35 herë!

Ethet e tregut global të kriptovalutave kanë përfshirë, në mënyrë të pashmangshme, edhe Shqipërisë. Z. Lahi thotë se investimi në kriptovaluta deri më sot ka rezultuar ndër më të suksesshmet në bizneset e menaxhuara prej tij.

“Shpesh, fitimet nga këto investime kanë qenë më të mëdha se fitimet nga aktivitetet e tjera të biznesit. Ne kemi filluar ta vëzhgojmë tregun e kriptove që në vitin 2013, por nuk kishim shumë besim. Pasi e ndoqëm tregun për shumë vite, e kuptuam si funksionon blockchain, në vitin 2019 nisëm të investojmë në kriptomonedha. Filluam me shuma të vogla, me vetëdijen se mund të ishte investim me rrezik të lartë prej të cilit edhe mund të humbisnim” – thotë ai. Por, a janë sot kriptovalutat “parajsa” e investitorëve, ku duke hyrë në një bursë online mund të sigurohen lehtësisht kthime disafish?

Kriptovalutat, si simbol i financës së decentralizuar

Kriptovalutat janë sot ndoshta fenomeni më i madh i tregjeve financiare botërore. Këto valuta virtuale, që mund të prodhohen dhe të tregtohen lirisht, kanë thyer konceptin e parasë klasike, që emetohet nga një autoritet monetar dhe tregtohet sipas rregullave të përcaktuara në sistemet globale të pagesave. Kompleksiteti teknologjik i kriptovalutave balancohet, nga ana tjetër, nga thjeshtësia burokratike apo rregullatore, madje mund të thuhet nga mungesa e rregullave të lidhura me to.

Bota e kriptomonedhave sot po zhvillon konceptin e financës së decentralizuar, duke shmangur ndërmjetësit financiarë dhe kostot që ato mbartin. Kushdo mund të prodhojë dhe tregtojë kriptovaluta, pa marrë lejen apo miratimin e askujt. Këto valuta nuk garantohen nga askush, përveçse nga sistemi që qëndron në themel të tyre, i quajtur blockchain.

Ky mosrregullim ka rritur interesin rreth këtyre valutave. Nëse dikur kriptovalutat identifikoheshin me të parën e llojit, Bitcoin, sot ekzistojnë me mijëra kriptovaluta të ndryshme që tregohen lirisht. Ky fenomen ka tërhequr padyshim edhe shqiptarët, sidomos më të rinjtë, që në shembullin e Bitcoin, po i shohin këto instrumente si një mënyrë për të fituar.

Por, kriptovalutat janë në një fazë të lartë spekulative dhe kanë luhatje të mëdha të çmimit. Sidomos për Bitcoin, tendenca e çmimeve ka qenë në rritje, duke filluar nga viti 2019. Me gjithë luhatjet e mëdha, në një horizont afatgjatë, Bitcoin është ndoshta aseti me performancën më të lartë në vitet e fundit, krahasuar me çdo aset tjetër në tregje.

Por, edhe kriptovaluta më e çmuar sot në tregje, Bitcoin, ka shënuar luhatje çmimesh me amplitudë shumë të mëdha. Në afërsisht një vit, Bitcoin ka shënuar vlera në intervalin mes 6 mijë dhe 60 mijë dollarëve, luhatje mjaft e fortë dhe karakteristike për instrumente financiare shumë spekulative.

Lahi thotë se kriptovalutat janë një realitet i lidhur ngushtë me dixhitalizimin e pagesave, sidomos të atyre ndërkombëtare.

“Prej vitesh, udhëtoj në Kinë për arsye biznesi dhe aty është i prekshëm realiteti i dixhitalizimit të pagesave. Mund të paguash pothuajse kudo me telefon, në restorant, në taksi, etj. Aty e kuptova që monedha dixhitale funksionon. Them se brenda një dekade, edhe në Shqipëri do të paguajmë nga celulari dhe kriptovalutat mund të jenë një pjesë e rëndësishme e këtij sistemi, sidomos ku bëhet fjalë për pagesat jashtë vendit. Megjithatë, mendoj se kjo do të kërkojë që tregu të stabilizohet disi dhe këto instrumente të jenë më pak spekulative” thotë ai.

Sipas tij, brenda pak vitesh, të paktën kriptovalutat më të konsoliduara, mund ta arrijnë një fazë të tillë, ndërsa konkurrenca nga kriptovalutat mund të ndikojë gjithashtu në uljen e kostove të transfertave ndërkombëtare të parave që kryhen nëpërmjet sistemeve bankare.

Tregu vlen rreth 1.5 trilionë dollarë

Suksesi i papritur i Bitcoin solli një rritje me ritme të larta të numrit të kriptovalutave të krijuara dhe të tregtuara në bursat online. Numri i saktë i tyre është i vështirë për t’u përcaktuar, megjithatë vlerësohet se në bursa, tregtohen aktualisht 8 mijë kriptovaluta të ndryshme. “Pionieri” Bitcoin ngelet monedha më e rëndësishme, si për nga çmimi, ashtu edhe për nga kapitalizimi total i tregut, përkufizim që tregon vlerën totale të të gjitha kriptovalutave të këtij lloji që tregtohen në tregje,

Për shkak të luhatshmërisë së lartë, edhe kapitalizimi i tregut të kriptovalutave ka luhatshmëri të mëdha me ditë, madje shpesh edhe me orë. Në pjesën e parë të muajit qershor, kapitalizimi i tregut të Bitcoin ishte midis 600 dhe 700 miliardë USD. Në muajin maj, kur çmimi i Bitcoin arriti rekordet historike, me më shumë se 58 mijë dollarë, kapitalizimi i tregut arriti në rreth 1.1 trilionë USD. Numri i kriptovalutave me një kapitalizim tregu sipër vlerës së 1 miliard dollarëve në fillim të muajit qershor ishte më shumë se 70.

Kriptovaluta e dytë më e madhe në tregje është Ethereum, me një kapitalizim tregu pranë nivelit të 290 miliardë dollarëve. Vijojnë Tether me 62 miliardë USD, Binance Coin me 53 miliardë USD, Cardano me 48 miliardë USD, etj. Në fillim të muajit qershor, kapitalizimi total i tregut të kriptovalutave ishte në nivelin e 1.5 deri në 1.6 milionë trilionë USD.

Kriptovalutat po përdoren për të lëvizur vlerë

Henri Ndreca, analist i tregut të kriptovalutave dhe investitor në to, thotë se në vitet e fundit, përdorimi i kriptovalutave në Shqipëri është rritur. Sipas tij, kriptovalutat në Shqipëri përdoren më shumë për të lëvizur vlerë, sesa për ta tregtuar, megjithëse ka gjithnjë e më shumë shqiptarë, sidomos të rinj, që i shohin kriptovalutat si një alternativë investimi.

Kriptovalutat mbështeten në një sistem të decentralizuar, që e thjeshton kryerjen e transaksioneve me to dhe ul ndjeshëm kostot e tyre. Nëpërmjet tyre mund të transferohen shuma parash pa hyrë në sistemet e pagesave që përdorin valutat konvencionale dhe duke shmangur institucionet ndërmjetëse.

Nëse një person në Britaninë e Madhe dëshiron të dërgojë një sasi valute në Bitcoin në Shqipëri, mjafton që të transferojë kodin nga portofoli i tij virtual drejt portofolit të një personi pritës, që ndodhet në vendin tonë. Të vepruarit jashtë sistemeve të zakonshme të pagesave krijon thjeshtësi, ul kostot, por krijon më shumë hapësira që kriptovalutat të përdoren për transaksione të lidhura me aktivitete të jashtëligjshme.

Megjithatë, z. Ndreca thotë se pastrimi i parasë përmes kriptomonedhave nuk është aq i thjeshtë sa mendohet, sepse në një moment, këto para duhen thyer dhe duhen futur në sistem, duke i pastruar.

“Duhet të kemi parasysh se as Bitcoin nuk është 100% i pagjurmueshëm. Bitcoin është një bazë e madhe të dhënash dhe të gjitha transaksionet aty janë publike. Nëse ka ndodhur një hakerim dhe ti e di adresën e portofolit që i përkasin mund ta gjurmosh në sistemin blockchain. Nëse ti ke dijeni për adresën e hakerit, mund të gjurmosh çdo hap ku kjo adresë çon Bitcoin. Nëse e ndjek lëvizjen, mund të gjurmosh momentin kur Bitcoin-et me këtë kod konvertohen në para apo valuta të tjera.

Bitcoin-et zakonisht thyhen në bursa dhe nëpër bursa, klientët janë të regjistruar me identitetin e tyre, nuk mund të tregtojnë si anonimë. Ka ndodhur në disa vende, sidomos në SHBA, që disa keqbërës janë kapur në këtë mënyrë. Autoritetet duhet të forcojnë ekspertizën për të gjurmuar këto lloj transaksionesh. Është sfidë, kërkon burime njerëzore, por nuk është e pamundur”, thotë z. Ndreca.

Rrezeart Lahi thotë se në fakt, kriptomonedhat janë valutat më të verifikueshme, sepse çdo transaksion lë gjurmë dhe çdo portofol ruhet në historik.

“Me formalizimin e tregut, do të ketë ligje që i detyrojnë bursat që të japin informacion për organet ligjzbatuese. Kjo sigurisht që do të kërkojë edhe forcimin e mekanizmave të kontrollit nga shtetet. Pjesa më e madhe e transaksioneve, për qëllime të jashtëligjshme, bëhet me valuta tradicionale, jo me kripto. Mendoj se kriptovalutat janë gjithsesi më të sigurta se çdo portofol në cash. Rregullimi me ligj dhe licencimi i subjekteve tregtuese është një zhvillim pozitiv, që do të ndihmojë në mbrojtjen e investitorëve nga kriptomonedha apo bursat mashtruese” – thotë ai.

Tregtimi lokal i kriptovalutave, ende i paformalizuar

Në Shqipëri nuk ekzistojnë institucione financiare të formalizuara që njohin dhe pranojnë kriptovalutat si mjet pagesash. Për momentin që flasim, kjo është e komplikuar edhe ligjërisht. Që nga 1 shtatori 2020, Shqipëria ka një ligj që rregullon tregtimin e kriptovalutave, ndaj çdo subjekt që ushtron aktivitet të këtij lloji do të ishte në shkelje të ligjit në fjalë.

Por, nga ana tjetër, licencimi i bursave, apo subjekteve exchange të kriptomonedhave në praktikë është ende i pamundur, sepse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk ka miratuar ende aktet e nevojshme nënligjore. AMF, në një prononcim për revistën “Monitor”, gjithsesi bën të ditur se, deri tani, nuk ka marrë ndonjë shfaqje zyrtare interesi nga subjekte të interesuara për t’u licencuar në shërbime të lidhura me kriptomonedhat.

Nëse dikush sot dëshiron të këmbejë kriptovalutat me valuta të zakonshme mund ta bëjë këtë ose privatisht, me persona që pranojnë të thyejnë këto valuta, ose nëpërmjet bursave online që e ofrojnë këtë shërbim. Për të blerë privatisht kriptovaluta nga një person që i disponon, mjafton të shkarkosh një portofol në telefonin celular.

Shitësit i dërgohet adresa e portofolit dhe bën kalimin e kriptomonedhave, duke marrë në këmbim paratë. Kur transaksioni kryhet nëpërmjet bursës, paratë transferohen drejt një llogarie të zakonshme bankare. Këmbimi i kriptovalutave në këtë formë shoqërohet me komisione relativisht të larta, deri në 6% dhe kërkon që përftuesi të ekspozojë të dhënat e tij, duke humbur në këtë rast, avantazhin e anonimatit.

Sipas investitorëve, kjo është platforma më e përdorur në Shqipëri dhe në botë, sepse ka më shumë shumëllojshmëri monedhash për të blerë dhe për të shitur. Ajo menaxhohet nga një kompani e themeluar në Kinë dhe që aktualisht është e vendosur në Tajvan.

Pastrimi i parave mbetet sfidë e madhe

Cipher Trace është një nga kompanitë më të njohura të specializuara për hetimin e transaksioneve të lidhura me përdorimin e kriptovalutave. Një studim i fundit i saj tregoi se volumi i Bitcoin të dërguara drejt platformave (exchange) me rrezik të lartë në vitin 2020 ra në rreth 1%, nga afërsisht 4% që vlerësohej në vitin 2016. Gjithashtu, raportoi tregoi se shumat e dala nga këto platforma me rrezik të lartë pësuan rënie me 59% mes dy periudhave. Megjithatë, raporti vuri në dukje se ka ende shumë platforma që tregtojnë fonde nga burime të paligjshme, shpesh nëpërmjet kompanive që i copëzojnë transaksionet në pjesë më të vogla, për të fshehur personat që qëndrojnë pas tyre.

Pavarësisht përmirësimeve, platformat e kriptovalutave në SHBA morën 8.4 milionë USD Bitcoin nga adresa të lidhura me krimin në 2020, ndërsa dërguan 41.2 milionë USD drejt adresave të këtij lloji. Mbetet fakti që shumë kriminelë nuk veprojnë përmes adresave të identifikuara si të lidhura me krimin, ndaj pjesa e evidentuar përbën vetëm një pjesë të vogël të transaksioneve të dyshimta.

84% e lëvizjeve të Bitcoin vitin e kaluar ishte në transaksione mes shteteve të ndryshme, ndërsa një përqindje e lartë bëhet përmes bursave, ku kontrolli mbi të dhënat e përdoruesve është i dobët. Me gjithë forcimin e kontrolleve, sidomos në vende me institucione më të forta, si SHBA, raporti vë në dukje se qeveritë kanë ende shumë për të bërë në drejtim të kontrollit të kanaleve të lëvizjes së kriptovalutave.

Rreziku i pastrimit në Shqipëri

Gjatë miratimit të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimoi kriptomonedhat, pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.

Së fundmi Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave në raportin e dytë të rishikimit për Shqipërinë konstatonte se në rekomandimin e 15-të, të dhënë për asetet vitruale nuk është bërë shumë progres. “Shqipëria në këtë aspekt sipas raportit ka hedhur disa hapa për të adresuar kërkesat si dhe la bërë një vlerësim risku në shtator 2020 me një sërë autoritetesh të përfshira. Por informacioni nuk ka ndonjë të dhënë domethënëse mbi rrezikun apo dobësitë sa i takon aseteve virtuale edhe pse ende nuk ka asnjë të regjistruar. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për masat e mara për të adresuar risqet”, thuhej në raport.

Sipas raportit, masat e marra nga autoritetet shqiptare në lidhje me asetet virtuale dhe dhe Ofruesit e Shërbimit të Aseteve Virtuale nuk janë në përputhje të mjaftueshme me kërkesat e rishikuara të Rekomandimit 15. Shqipëria inkurajohet të vazhdojë përpjekjet e saj për të adresuar mangësitë e mbetura. Ajo do të mbetet monitorim për të përmirësuar këtë dhe do të vazhdojë të raportojë në MONEYVAL mbi progresin për të forcuar zbatimin e masave në kundër pastrimit të parave dhe luftës ndaj terrorizimit.

Bankat qendrore: Shpërthimi i kriptovalutave, një “flluskë”

Deri tani, autoritetet më të rëndësishme monetare në Botë janë shprehur dyshuese rreth shpërthimit të kriptomonedhave, duke paralajmëruar investitorët se po ekspozohen ndaj rreziqeve shumë të mëdha për të humbur paratë e tyre.

Në një nga raportet e fundit të stabilitetit financiar, Banka Qendrore Europiane e krahasonte dyndjen e muajve të fundit drejt kriptomonedhave me “flluskën e Tulipanëve” ose “flluskën e Detit të Jugut”, të shekujve të 17-të dhe 18-të. Sipas BQE-së, Bitcoin është një aset “i rrezikshëm”, “spekulativ”, me ndikim të madh negativ në emetimet e gazrave të dëmshëm dhe me shumë të ngjarë i lidhur me aktivitete të jashtëligjshme.

BQE vlerëson se rreziqet për stabilitetin financiar të lidhura me kriptoasetet për momentin janë të kufizuara, për sa kohë që institucionet financiare kanë ekspozime shumë të vogla në to.

Në fillim të këtij viti, Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, tha se nevojitet një rregullim në nivel global për përdorimin e Bitcoin dhe kriptovalutave të tjera. Sipas saj, kriptovalutat po përdoren për veprimtari të pastrimit të parasë dhe hapësirat që krijon mosrregullimi duhet të mbyllen. Lagarde e cilësoi Bitcoin si një aset me natyrë të lartë spekulative dhe instrument që ndihmon pastrimin e parasë nga aktivitetet e jashtëligjshme.

Një qëndrim të ngjashëm mbajti në muajin maj dhe kreu i Rezervës Federale Amerikane, Jerome Powell, që tha se kriptovalutat shtrojnë rreziqe për stabilitetin financiar dhe se mund të jetë e nevojshme vendosja e rregullimeve për tregtimin e tyre.

“Me përparimet e teknologjisë, duhet të rritet edhe vëmendja jonë për të vendosur një kuadër rregullator dhe mbikëqyrës të përshtatshëm. Kjo përfshin edhe subjektet novatore në sektorin privat të pagesave, që aktualisht verpojnë jashtë rregullave që aplikohen për bankat apo ndërmjetësit e tjerë financiarë,” tha Powell.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, është shprehur edhe më i prerë për këtë çështje. Sipas tij, kriptovalutat nuk kanë asnjë vlerë në vetvete dhe investitorët duhet t’i blejnë këto asete vetëm nëse janë të përgatitur t’i humbasin të gjitha paratë e tyre.

Mesazhi i bankave qendrore është pak a shumë i qartë: nëse tregu i kriptovalutave bie, mos prisni ndihmë nga ne. Ekspertët mendojnë se, nëse një ditë autoritetet do të vendosin rregullime apo kufizime për kriptovalutat, vlera e tyre në tregje do të pësojë rënie drastike dhe investitorët mund të përballen me humbje shumë të mëdha. Për këtë çështje, investitorët janë të paralajmëruar.

“Sekretet” e investimit në kriptovaluta

Investimi në Bitcoin sot është relativisht i thjeshtë dhe i ngjashëm me investimin në platformat (bursat online). Mjafton që një individ në Shqipëri të hapë një llogari në bursat ku tregtohen kriptovalutat, të transferojë para në të nëpërmjet një karte bankare krediti apo debiti dhe mund të fillojë investimin. Sipas ekspertëve të tregut, zakonisht të rinjtë janë më të interesuar për të investuar, sipas mundësive, tek investimi në kriptovaluta.

Lahi, thotë se ky është një investim me rrezik të lartë dhe askush nuk duhet të hedhë në lojë shuma që rrezikojnë ta shkatërrojnë ekonomikisht.

“Koha më e mirë për të investuar në një aset është kur ai nuk ka dalë ende në lajme. Megjithatë, mendoj se është ende një moment i mirë për të investuar në këto asete, por njerëzit duhet të investojnë aq sa janë të gatshëm të humbasin, pa marrë përsipër rreziqe që mund të cenojnë buxhetet e biznesit apo familjeve të tyre. Atyre që investojnë në kripto, u këshilloj të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin një qasje të arsyeshme.

Nuk mund të shesësh shtëpinë dhe të investosh në kriptovaluta. Njoh njerëz që kanë marrë kredi në bankë dhe kanë investuar në kriptomonedha. Në fund të fundit, është një lloj biznesi: mund të fitosh, por edhe mund të humbasësh. 50% e bizneseve falimentojnë brenda pesë viteve të para” – shprehet ai.

Një aspekt i rëndësishëm, si në çdo investim, është një shpërndarje e rrezikut dhe mospërqendrimi në një instrument të vetëm.

“Ne investimin në kriptovaluta e ndajmë sipas shkallës së stabilitetit relativ të monedhave përkatëse. 30-40% e të kapitalit e mbajmë në një monedhë që është e qëndrueshme, si tether. Rreth 30% të tjera i investojmë në monedhat më të konsoliduara si Ethereum apo Bitcoin. Pjesën e mbetur e investojmë në monedha më spekulative, që mund të jenë kriptovaluta më të reja, ku luhatshmëria dhe potencialet e fitimit (apo të humbjes) janë më të mëdha. Pavarësisht se tregu është i luhatshëm në afatin e shkurtër, mendoj se këto investime duhet të kenë horizonte më afatgjata, ti duhet ta vlerësosh kthimin nga një investim në një periudhë të paktën disavjeçare” – thotë z. Lahi.

Edhe kriptovalutat kanë kosto transaksioni

Një nga avantazhet që përkrahësit e kriptovalutave vënë shpesh në dukje janë kostot e ulëta të transaksionit. Në fakt, as investimi në kriptovaluta nuk është një proces i cili kryhet pa ndërmjetës, ndaj natyrisht që ka kostot e veta. Komisioni për transaksione të blerjes apo shitjes së Bitcoin nga bursat online është zakonisht në nivele të ulëta, më pak se 1% të vlerës.

Por, ndërkohë, këto veprime kanë edhe komisione të lidhura me sistemin blockchain, që mund të shpjegohen thjesht si komisioni që merr prodhuesi (miner) i kriptovalutës për të konfirmuar ose validuar transaksionin. Për shkak të kompleksitetit të sistemit dhe variablave të ndryshëm që ndikojnë, është shumë e vështirë të përcaktohet një vlerë tipike komisioni për transaksionet me Bitcoin.

“Mënyra sesi funksionon blockchain është e tillë që, sa më shumë trafik të ketë në përdorimin e rrjetit, aq më shumë rritet komisioni i transaksionit. Në fund të 2017, kur trafiku ishte shumë i lartë, vlera e komisionit mund të ketë qenë afërsisht 70 USD. Sa më shumë kërkesë të ketë, aq më shumë rritet komisioni. Pajisjet e prodhimit, përveçse prodhojnë Bitcoin, verifikojnë dhe validojnë transaksionin. Gjithashtu, komisioni është në varësi të shpejtësisë së kërkuar të transaksionit. Nëse ti kërkon që transaksioni të ekzekutohet më shpejt, paguan komision më të lartë” – shpjegon z. Ndreca.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për t’i kthyer kriptovalutat në para cash me transfertë në llogarinë bankare, komisionet janë ndjeshëm më të larta dhe mund të arrijnë deri në 6% të shumës. Në Shqipëri nuk ka subjekte financiare lokale që tregtojnë Bitcoin dhe e vetmja mënyrë për t’i kthyer kriptovalutat në valutë të zakonshme janë shkëmbimet private.

Në rast se në Shqipëri do të licencohen subjekte që i tregtojnë kriptovalutat, vlera e komisioneve dhe transfertave për të thyer Bitcoin jashtë do të ngelej në Shqipëri. Analistët e tregut mendojnë se këto subjekte mund të nxisin zhvillimin e një tregu të ri, duke thithur investimet dhe punësimin, sidomos nëse kjo do të bëhet paralelisht me investimin në edukimin e të rinjve.

Bitcoin, a mund të bëhet ari i ri?

Nëse tregu i kriptovalutave po shihet sot nga shumë investitorë të vegjël si një mënyrë për t’u pasuruar shpejt, apo së paku për të siguruar kthime të larta, në këto instrumente po investojnë edhe shumë kompani të mëdha. Një nga arsyet kryesore është se sot Bitcoin po vlerësohet si një alternativë e mirë për ruajtjen e vlerës dhe mbrojtjes ndaj inflacionit.

Sado që mund të tingëllojë paradoksale, një kriptovalutë që nuk mbrohet apo garantohet nga asnjë aset fizik (si për shembull ari apo nafta, vlera e të cilave do të rritej bashkë me inflacionin), po shihet si një alternativë për t’u mbrojtur nga ajo që është dobësia e të gjitha valutave klasike, rreziku inflacionist dhe humbja e vlerës së tyre në kohë.

Duke parë që Bitcoin ka arritur vlera shumë të mëdha në tregje dhe për faktin se sasia e këtyre kriptovalutave parashikohet të jetë e kufizuar (rreth 21 milionë Bitcoin do të mund të prodhohen gjithsej), ka njerëz që e shohin Bitcoin si një alternativë ndaj arit apo lëndëve të tjera të para, që në dekada janë parë si mburoja kundër inflacionit.

“Bitcoin vetë funksionon si rezervë valutore. Edhe Tesla e ka blerë sepse e vlerëson si mbrojtje ndaj inflacionit. Rritja e prodhimit të parasë në krizën e pandemisë ka sjellë rritjen e çmimit të produkteve apo instrumenteve që shihen si mburojë ndaj inflacionit. Për karakteristikën e ruajtjes së vlerës, Bitcoin po konkurron me arin. Oferta e arit në treg sot është rreth 12 trilionë dollarë. Bitcoin aktualisht është rreth 600-700 miliardë USD. Pra, në teori Bitcoin ka potencial për të fituar terren. Nëse do të arrijë apo jo nivele të krahasueshme me arin, kjo do të varet nga aktorët e tregut” – thotë z. Ndreca.

Teoria se Bitcoin mund të jetë ari i ri, në fakt, është nxitur disi edhe nga rrethanat e ekonomisë globale. Pas më shumë se një dekadë në krizë, që u ndoq nga një krizë edhe më e rëndë, e lidhur me pandeminë, autoritetet monetare në pothuajse të gjithë botën kanë ndjekur politika agresive të zgjerimit të ofertës monetare, ose e thënë më thjesht të printimit të parasë. Kjo ka krijuar tek investitorët pritshmëritë se së shpejti, ekonomia mund të përballet me një valë inflacioni.

A mund të shërbejë Bitcoin si një mburojë ndaj inflacionit? Ekspertët e financës kanë dyshimet e tyre rreth kësaj teorie, që mbështetet nga një numër në rritje i ekspertëve dhe investitorëve entuziastë rreth kriptomonedhave. Ata vënë në dukje se historia e kriptovalutave është shumë e shkurtër për të thënë nëse ato mund të përmbushin një funksion që, për shembull, ari është provuar i aftë ta përmbushë prej mijëra vjetësh.

Një çështje tjetër është se çmimi i një aseti nuk përcaktohet vetëm nga rregulli i ofertës monetare, por edhe nga faktorë të shumtë spekulativë. Për shembull, nëse ekonomia globale përballet vërtet me një valë inflacioni dhe nëse kjo e zhyt ekonominë në një recesion të ri, investitorët mund të heqin dorë nga asetet me rrezik të lartë, si kriptovalutat.

Në fund të fundit, e vetmja garanci për Bitcoin është besimi i investitorëve. Çmimi i Bitcoin mund të rritet paralelisht me rritjen e inflacionit, por në teori mund të ndodhë edhe e kundërta, pasi nuk ekziston domosdoshmërisht një lidhje mes tyre.

Revolucioni teknologjik i kriptovalutave

Ndryshe nga instrumentet e zakonshme financiare, kriptovalutat bëhen më komplekse për t’u kuptuar, për shkak të dimensionit të avancuar teknologjik. Besmir Semanaj, inxhinier elektronik dhe ekspert i sigurisë së informacionit, shpjegon se teknologjia blockchain mund të shpjegohet si një libër llogarish (bazë të dhënash) i decentralizuar që regjistron origjinën e një aseti dixhital. Të dhënat ruhen të inkriptuara në blloqe, të lidhura së bashku në një burim të vetëm dhe të vërtetë.

“Të dhënat në një blockchain nuk janë të modifikueshme, gjë që e bën atë një sistem të ligjshëm, të sigurt dhe shumë të përdorshëm për pagesa, kontrata, sisteme sigurie dhe shumë industri të tjera. Pa hyrë në detaje shumë komplekse, po jap një shembull të thjeshtë për të kuptuar blockchain. Le të marrim një dokument Word online, i cili shpërndahet me disa persona, ku të gjithë kanë mundësi të bëjnë modifikime në kohë reale, pa penguar njëri-tjetrin, nga ana tjetër, çdo ndryshim ruhet dhe mund të shikohet nga të gjithë. Ky është një shembull minimalist, që thjeshtëzon në minimum mënyrën e funksionimit”, – thotë ai.

Sipas tij, avantazhet e përdorimit të blockchain janë funksionimi si sistem i decentralizuar, integriteti i të dhënave, siguria dhe shpejtësia në procesimin e transaksioneve. Nga ana tjetër, dizavantazhe janë përdorimi shumë i lartë i burimeve energjetike; nëse krahasohet me sisteme të ngjashme, ka një konsum energjie disa qindra fish më të lartë.

“Kostoja e energjisë krijon kosto shumë të lartë të prodhimit fillestar të kriptovalutës. Nga ana tjetër, një problem është se në shumicën e juridiksioneve, kjo teknologji nuk është e rregulluar me ligj dhe nuk është e qartë se si do të funksionojë. Mos harroni që teknologjia blockchain ka përdorim shumë më të gjerë se kriptovalutat. Personalisht, jam skeptik për pjesën më të madhe të kriptovalutave aktuale, por nga ana tjetër, e shoh këtë teknologji si diçka pozitive për njerëzimin” – thotë z. Semanaj.

Sipas Institutit të Teknologjisë në Massachuessets (MIT University) thelbi i përdorimit të një blockchain është që të lejojë njerëzit dhe në veçanti njerëzit që nuk i besojnë njëri-tjetrit të ndajnë të dhëna me vlerë, në një mënyrë të sigurt. Kriptovalutat e krijuara nëpërmjet teknologjisë blockchain mund të ruhen në portofola të posaçëm, që janë aplikacione që lejojnë përdoruesit e kriptovalutave të ruajnë pasuritë dixhitale.

Ashtu si me monedhën konvencionale, nuk keni nevojë për një portofol për të shpenzuar paratë tuaja, por sigurisht që ndihmon për t’i mbajtur të gjitha në një vend. Kur një përdorues merr kriptovalutë, të tillë si Bitcoin, ai mund ta ruajë atë në një portofol kriptovalute dhe nga atje, ta përdorë atë për të bërë transaksione.

Z.Semanaj shpjegon se ekzistojnë dy lloj portofolash, Hot Wallet dhe Cold Wallet. Portofoli “i nxehtë” (Hot Wallet) i referohet çdo portofoli kriptomonedhe që është i lidhur me internetin. Portofoli “i ftohtë” i referohet çdo portofoli kriptomonedhe që nuk është i lidhur në internet. Në përgjithësi, depozitat e “ftohta” janë më të sigurta, por ato nuk pranojnë aq shumë kriptovaluta sa portofolat “e nxehtë”.

Për sa i përket sigurisë, Cold Wallet janë shumë të sigurta, duke qenë se nuk janë të lidhura me internetin, nuk mund të bien pre e krimeve kibernetike. Hot Wallet ka të njëjtat probleme sigurie që mund të ketë çdo aplikacion në pajisjet tona. Në mënyrë që të kemi portofola sa më të sigurt, ekspertët këshillojnë ndjekjen e praktikave më të mira të përgjithshme të sigurisë së informacionit për pajisjet ku ne i ruajmë ato.

Një nga rreziqet që lidhen me Bitcoin është pamundësia për të rikuperuar kodet, nëpërmjet të cilave zotëruesi mund të aksesojë portofolin e vet. Nëse përdoruesi humbet kodet, nuk ka asnjë mënyrë për ta aksesuar portofolin dhe Bitcoin-et humbasin, sepse në këtë rast nuk ka asnjë palë të tretë që të garanton./ Monitor