MENU
klinika

Tempulli i Parë

Shfaqet muri i lashtë i Jeruzalemit

30.07.2021 - 15:50

        Ndërsa me gërmime në parkun kombëtar, nga “Qyteti i Davidit” në Jeruzalem, arkeologët kanë nxjerrë në dritë mbetjet e murit të lashtë rrethues, ndërtuar thuajse 3 mijë vjet më parë.

Ky zbulim është bërë pak para ditës së nëntë të muajit hebre Av – kur hebrenjtë nga mbarë bota, shënojnë shkatërrimin e Tempullit të Parë dhe të Dytë, sikundër edhe tragjeditë e tjera që kanë pllakosur popullin e tyre.

Arkeologu Filip Vukosavoviç, ka thënë se gjetja e kësaj pjese të murit është kyçe, sa i përket kuptimit të periudhës së Tempullit të Parë, në Jeruzalemin e Vjetër.

“Në vitet ‘60, arkeologia e famshme britanike Kathleen Canyon, vetëm pak metra më në veri të këtij vendi, zbuloi një zgjatim afro 30 metra po të të njëjtit mur. Më pas, ajo mëtoi që ky është muri i Jeruzalemit gjatë asaj periudhe kohore”, – ka thënë Vukosavoviç, për “CBN News”.

Sipas Vukosavoviçit, rreth një dekadë më vonë, arkeologu izraelit Yigal Shilo, gjeti një tjetër seksion të murit më në jug, por i mungonte një copëz e mozaikut.

“Për shumë vite me rashë, jemi përpjekur të gjejmë seksione shtesë të kësaj pjese të murit, por nuk ia dolëm. Aq shumë dështonim, sa filluam ta vëmë në dyshim ekzistencën e tij, me pretendimin se mund të bëhej fjalë për një mur tjetër”, – ka shpjeguar ai.

Sipas tij, me këtë zbulim, Qyteti i Davidit duhet të kishte pasur të paktën, një mur masiv.

Gërmimet e kryera nga Autoriteti Izraelit i Antikiteteve (IAA) kanë nxjerrë në sipërfaqe një seksion të murit të qytetit, që duhet të ketë mbrojtur Jeruzalemin për rreth 150-200 vjet, diku nga shekulli i tetë para erës sonë e derisa qyteti u pushtua prej babilonasve dhe më 586 para erës sonë, tempulli u shkatërrua.

“Muri rrethues i qytetit, mbrojti Jeruzalemin nga një sërë sulmesh gjatë sundimit të mbretërve të Judesë, deri në ardhjen e babilonasve, që ia dolën të kalonin përmes tij, duke e pushtuar qytetin”, kanë saktësuar Vukosavoviç, Joe Uziel dhe Ortal Chalaf, në emër të IAA-së.

Fotolegjenda: Mbetjet e murit gati 3 mijë vjet të vjetër në Parkun Nacional “Qyteti i Davidit”, sipas arkeologëve, janë esenciale sa i përket kuptimit të periudhës së Tempullit të Parë të Jeruzalemin të Vjetër.