MENU
klinika

Pjesë e ligjit vjetor të buxhetit

Situata me plehrat, qeveria i vjen në ndihmë Bashkisë së Durrësit

31.07.2021 - 11:43

Qeveria i jep mbështetje financiare Bashkisë Durrës për menaxhimin e mbetjeve. Pas situatës së rëndë të krijuar me plehrat në Durrës, qeveria ka vendosur të miratojë kërkesën e bërë nga Bashkia e Durrësit për mbështetje financiare për menaxhimin e mbetjeve të paraqitura mbi bazën e studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë financiare për trajtimin e mbetjeve urbane në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sipas legjislacionit në fuqi për këtë qëllim.

Po kështu sipas VKM-së, duke filluar nga viti 2022 dhe në vazhdim, pjesa e financimit për menaxhimin e mbetjeve nga buxheti i shtetit do të jetë pjesë e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm dhe ligjit vjetor të buxhetit.

VENDIM PËR MIRATIMIN E KËRKESËS SË BASHKISË DURRËS PËR MBËSHTETJE FINANCIARE NGA QEVERISJA QENDRORE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.438, datë 13.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve në bashkitë e Qarkut Durrës”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Mbështetjen financiare të kërkesës së Bashkisë Durrës, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, për menaxhimin e mbetjeve të paraqitura mbi bazën e studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë financiare për trajtimin e mbetjeve urbane në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sipas legjislacionit në fuqi për këtë qëllim dhe të vendimit nr.438, datë 15.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve në bashkitë e Qarkut të Durrësit”.

 

 

2. Shuma e mbështetjes financiare, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, negociohet çdo vit fiskal gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskale.

3. Mbështetja financiare e qeverisjes qendrore për Bashkinë Durrës do të bëhet nëpërmjet transfertave specifike vjetore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, vetëqeverisjen vendore dhe financat e vetëqeverisjes vendore, duke filluar me mbulimin e nevojës financiare për periudhën gusht – dhjetor 2021.

4. Duke filluar nga viti 2022 dhe në vazhdim, pjesa e financimit për menaxhimin e mbetjeve nga buxheti i shtetit do të jetë pjesë e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm dhe ligjit vjetor të buxhetit.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

Vkm Plehra