MENU
klinika

Poeti më i madh i dashurisë...

“Të dua për të gjitha gratë që nuk i dashuroj”

30.07.2021 - 19:32

       Haset diçka thellësisht prekëse, në poezitë e Pol Elyarit. Ndoshta shenja e fëmijës së sëmurë, që ai e deshi deri në ekstrem, madje aq sa arriti të kapërcente dhimbjet e luftës, braktisjes dhe tradhtisë.

Pol Elyar konsiderohet poeti më i madh surealist.

Personaliteti letrar, forca shprehëse që e karakterizon dhe lirizmi i poezive, e kanë shndërruar në një nga poetët e mëdhenj universalë. Elyari i këndoi dashurisë me të njëjtin pasion me të cilin lartësoi lirinë dhe kundërshtimin e tij ndaj luftës. Iu atribuan gjithfarëlloj titujsh, në rrugë jozyrtare, ndër të shumtat “Mjeshtër i poezisë surealiste”, “Më klasiku i poetëve modernë”, “Poeti i lirisë”, apo “Poeti më i madh i dashurisë” etj., edhe pse asnjë epitet nuk dukej se ishte në gjendje të përfaqësonte talentin e këtij poeti të mrekullueshëm.

“Na duhen vetëm disa fjalë për të shprehur thelbësoren; na duhen të gjitha fjalët, për ta bërë reale” (Pol Elyar).

Si tek çdo mjeshtër i madh i penës, sekreti i poezive të tij qëndron në ndershmërinë emocionale dhe intelektuale me të cilën janë shkruar. Vargjet kanë një origjinalitet të padukshëm, por të thellë. Për më tepër, jeta e tij u shënua me episode kontradiktore dhe të vështira, që i shmangu me krijimtari dhe inteligjencë. Madje edhe vetë jeta e tij, ka qenë në njëfarë mënyre – një poezi.

Pol Elyari lindi në Saint-Denis (Francë), një zonë me një atmosferë proletare. Ai erdhi në jetë më 14 dhjetor 1885, me emrin e tij të vërtetë Eugène Émile Paul Grindel. Vetëm 12-vjeç, u transferua në Paris dhe filloi studimet në Liceun e famshëm “Colbert”. Sidoqoftë, ai u sëmur nga tuberkulozi, sëmundje që do ta ndiqte gjithë jetëm, çka e detyroi të linte shkollën dhe të shtrohej për një kohë të gjatë në një spital të Zvicrës. Pikërisht rreth kësaj kohe do të shkruante edhe poezitë e para. Koleksioni i parë: “Poezi”, daton në vitin 1911. Gjatë qëndrimit në spital lexoi autorët që do bëheshin modelet referuese letrare: Uitman, Bodëler, Nerval, Rëmbo, Holder dhe Lautremont. Pas kësaj periudhe të vështirë, në 1915, Pol Elyari u rekrutua në frontin e Luftës së Parë Botërore.

Elyari ishte nga ata poetë që nuk kishte nevojë për ambient të qetë për të ildisur vargjet. Në zemër të llogoreve, ai krijoi dy veprat e tij të famshme: “Detyra dhe shqetësimi” dhe “E qeshura e tjetrit”. Pas një sulmi të rëndë me gaz, në fund të vitit 1917, që i shkaktoi edhe gangrenë në bronke, ai u largua nga betejat dhe u shtrua përsëri në një spital në Paris.

Poezitë e luftës janë mjeshtërore, njëlloj si poezitë për dashurinë. Sipas gjykimit të ekspertëve, elementi më i veçantë i këtij poeti të mrekullueshëm është aftësia që ai ka për të shprehur kontradiktën e ndjenjave me ekuilibër dhe bukuri të rallë. Ai hyri në histori si një nga mjeshtrat e mëdhenj të lirikës franceze. Elyari u bë poeti i lirisë, edhe pse kurrë nuk shkroi një poezi mirëfilli luftarake, përkundrazi ndieu thirrjen të shprehte në vjershat e tij kërkesën për liri dhe drejtësi kundër luftës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai bashkëpunoi me rezistencën franceze dhe iu desh të kalonte në fshehtësi.

Pjesa dërrmuese e poezive të tij spikat nga një freski naive, një thjeshtësi rinore, që i ka joshur gjithnjë lexuesit, madje edhe sot, përfshirë edhe më të rinjtë, gjë të cilën e dëshmojnë edhe vetë titujt e koleksioneve: “Të vdesësh për të mos vdekur” (1924), frymëzuar nga Terezë d’Avila, “Kryeqyteti i dhimbjes”, vepra e tij madhështore që përfundoi kur u bashkua me Partinë Komuniste Franceze, në 1926, “Dashuria, poezia” (1929), “Jeta e menjëhershme (1932), “Në takimin gjerman” (1944), “Koha rrjedh” (1947).

Elyar e kishte bërë të vetën kërkesën e pakompormistë të Lautremontit: “Poezia duhet të bëhet nga të gjithë. Jo nga një”, e cila në gojën e tij do përkthehej: “poezia duhet të ketë si qëllim të vërtetën praktike”. Nga poezitë e para, në 1913, deri në përmbledhjen e fundit në pragvdekje, Pol Elyari nuk reshti së shkruari për dashurinë. Dashuri e çmendur për mikeshat Gala dhe Nusch, për lirinë, për njerëzimin. Ai ishte një poet humanist, me vargjet e tij luftoi kundër padrejtësive, urrejtjes, tmerrit të luftës. Ai i thuri lavde dashurisë, lirisë dhe vëllazërisë./Konica.al

Vargjet e tij “J’écris ton nom Liberté” (Shkruaj emrin tënd Liri), gjenden në hollin e madh të pallatit të Këshillit të Evropës, në Strasburg:

Në fletoret e shkollës

Mbi bango dhe pemët

Mbi rërë dhe dëborë

Shkruaj emrin tënd Liri!

Të dua

Të dua për të gjitha gratë që nuk i njoha

Të dua për të gjitha kohërat që nuk i jetova

Për kundërmimin e detit të gjerë dhe për kundërmimin

e bukës së ngrohtë

Për borën që shkrin për lulet e para

Për kafshët e dëlira që njeriu nuk i tremb

Të dua për dashurinë

Të dua për të gjitha gratë që nuk i dashuroj

Kush më pasqyron veç teje vetveten e shoh fare pak

Pa ty shoh veç një hapësirë të shkretë

Midis dikur dhe sot

Qenë gjithë ata të vdekur që i kapërceva

duke ecur mbi kashtë

Nuk mund ta shpoja murin e pasqyrës sime

M’u desh ta mësoja fjalë për fjalë

Ashtu siç harron njeriu

Të dua për urtësinë tënde që nuk e kam

Për shëndetin

Të dua përkundër gjithçkaje që është iluzion

Për këtë zemër të pavdekshme që nuk venitet

Ti pandeh se je dyshimi dhe je vetëm arsyeja

Ti je dielli i madh që më ngjitet në kokë

Kur jam i sigurt në vetvete.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Etje për mrekulli...

Odisea Elitis, poeti diellor

Ambasador i paqes në ShBA: Kodra

“Shqipëria nji vend i bukur sa s’ka ma”

"Populli është muza ime"

Kuteli i rrëfimit mjeshtëror

Kush ishte poeti i magjepsur?

“Avokati i sekreteve të botës tjetër”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit