MENU
klinika

Denaj në takimin e Ministrave të Ballkanit

“Të krijojmë një treg pune gjithëpërfshirës”

09.07.2021 - 13:27

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë me dije se po zhvillohet takimini i Dytë Ministror i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për Punësimin dhe Çështjet Sociale, i cili po mbahet në Slloveni, vend i cili ka presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Papunësia e të rinjve është një një problem që bën bashkë 27 anëtarët e Bashkimit Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj nënvizoi se “Shqipëria mbetet e angazhuar për të siguruar integrimin e qëndrueshëm të të rinjve në tregun e punës. Qasja gjithëpërfshirëse është reflektuar në Strategjitë e ndërmarra si dhe përmirësimin e kornizës ligjore dhe institucionale. Ligji i ri nr. 15/2019 “Për Nxitjen e Punësimit” ka parashikuar bazën ligjore për Garancinë Rinore por ka ende sfida lidhur me shtrirjen e saj”

Në të gjithë vendet e ballkanit perëndimor, jo vetëm që të rinjtë përballen me nivele më të larta të papunësisë dhe nivele të larta të pasivitetit (krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë së rritur), por një pjesë e konsiderueshme e tyre janë NEET (as në punësim, as në arsim ose trajnim).

Në Shqipëri rritja ekonomike gjatë 7-8 viteve të kaluara u përkthye në rezultate të përmirësuara të tregut të punës për të gjitha grupmoshat në Shqipëri, përfshirë të rinjtë e vendit. Gjatë viteve të kaluara, papunësia e të rinjve ra ndjeshëm nga një nivel prej 33.2% në 2015 në 21.5% në 2019.

Kriza COVID-19 ndikoi në mënyrë disproporcionale tek të rinjtë dhe ndikimi në tregun e punës do të ndihet për një periudhë të zgjatur. Ne nuk pamë rritje të papunësisë së të rinjve në Shqipëri gjatë vitit 2020, megjithatë, numrat e pasivitetit u rritën ndjeshëm.

Në këtë takim, përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor u angazhuan për të krijuar, zbatuar dhe përmirësuar gradualisht skemat e Garancisë Rinore nëpërmjet mbështetjes së Bashkimit Evropian. Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, botuar nga Komisioni Evropian në Tetor 2020, propozon zbatimin e skemave të Garancisë Rinore në Ballkanin Perëndimor në katër faza gjatë periudhës 2021-27.

“Aktualisht, Shqipëria po mbështetet për Fazën 1 – Planet e Implementimit. Gjithashtu projekti i Asistencës Teknike në Mbështetje të Reformës për Politikat e Punësimit, Arsimit dhe Trajnimit Profesional të financuar nga IPA 2015 deri në fund të vitit 2022, do të mbështesë edhe hartimin e Planit të Implementimit të Garancisë Rinore si dhe përfshin një veprim pilot në shkallë shumë të vogël”, vijoi Ministrja Denaj.

Gjatë këtij takimi theks i veçantë iu kushtua sfidave demografike dhe rëndësisë së ofrimit të mundësive të punësimit dhe vendeve të punës me cilësi për të gjitha brezat. Përfaqësues të institucioneve të tjera të BE-së, partnerë socialë evropianë dhe federata diskutimet evropiane të OJQ-ve morën pjesë në mbi këto tema.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lehtësira në tregti dhe transport

Shqipëria marrëveshje huaje me BB