MENU
klinika

Merkatoja shqiptare

Tirana rikthen ish-kapitenin, Vllaznia merr ish-in e Metz

31.07.2021 - 18:19

Tirana rikthen një tjetër futbollist në adhët e saj. Pas Ngoo, edhe Gentjan Muça rivishet bardheblu. Mbrojtësi kryeqytetas i ka dhënë fund aventurës me kampionët në fuqi të Kosovës, Prishtinës dhe është rikthyer te Tirana.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi prishtinas ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me 34-vjeçarin, teksa nuk ka munguar dedikimi special për Muçën.

NJOFTIMI I TIRANËS 

Përjetë bardheblu! Gent Muça, rikthehet në kryeqytet dhe pas takimit me presidencën arriti dakordësinë për të qënë sërish pjesë e skuadrës. Ish zëvendës kapiteni aq i dashur për publikun dhe shokët e ekipit vjen në familjen e tij dhe shprehet i lumtur që do të luajë sërish për fanellën më të bukur në botë.

NJOFTIMI I PRISHTINËS

Gentjan Muça, kampion erdhi dhe si i tillë përfundoi aventurën e tij 1 vjeçare me Prishtinën. Futbollisti nga Tirana, Gentjan Muça në prag të fillimit të edicionit të kaluar erdhi si përforcim nga klubi i futbollit Tirana nga Shqipëria te skuadra jonë, për ti dhënë një shtytje shtesë FC Prishtina drejt rikthimit të titullit kampion pas tetë vitesh.

Muça vinte si kampion dhe si i tillë përfundoi aventurën me ne, duke e përmbyllur ciklin e tij 1 vjeçar tek Prishtina pikërisht në ndeshjen ku klubi jonë shënoi arritjen më të madhe në historinë e vet në garat evropiane duke u kualifikuar në raundin e tretë të UEFA Liga e Konferencës.

Muça me Prishtinën u shpall kampion i Kosovës për edicionin 2020/2021 si dhe bashkarisht në arenën ndërkombëtare shënuam historinë e re të klubit tonë.

Klubi i futbollit Prishtina falenderon Gentin për profesionalizmin, korrektësinë, kontributin si dhe sjelljet e tij të shkëlqyera karrshi shokëve të tij futbollistë, stafit, drejtuesëve të klubit si dhe tifozëve tanë Plisat.

Gentit, klubi jonë i dëshiron shumë fat dhe suksese në përvojat e ti të radhës në futboll si dhe në çdo sferë të jetës”, – shkroi Prishtina në faqen zyrtare.

Ndërsa Vllaznia ka siguruar shërbimet e mbrojtësit senegalez Fallu Diagne. Një lojtar me mjaft eksperiencë, pasi është aktivizuar tek disa skuadra me emër si Werder Bremen në Gjermani dhe Metz në Francë.

31-vjeçari do të zërë vendin e Eni Imamit që u largua drejt Dinamos. Një goditje për skuadrën shkodrane, e cila vazhdon afrimin e elementëve cilësorë për të krijuar një skuadër sa më kompetitive sezonin tjetër.

POSTIMI I VLLAZNISË

Mbrojtësi Fallou Diagne nga sot është pjesë e KF Vllaznia. Mbrojtësi senegelaz me nënshtetësi franceze ka firmosur një kontratë me klubin tonë dhe do të jetë pjesë e tij për sezonin e ardhshëm futbollistik.

Ne shpresojmë që përvoja e jashtëzakonshme që ai ka fituar gjatë karrierës së tij, të vihet në shërbim të skuadrës tonë, për arritjen e objektivave që ajo do të ketë në sezonin e ri. Mirë se erdhe Fallou Diagne! Welcome Fallou Diagne!