MENU
klinika

Aksidenti tragjik

Udhëtarët dhe trupat e viktimave arrijnë sot në Kosovë

27.07.2021 - 11:49

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se udhëtarët që kanë shpëtuar nga aksidenti me autobus i një kompanie nga Kosova, të dielën në Kroaci, do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore, të martën, pas orës 22:00.

Ministri Sveçla ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se në mbrëmje pritet që në Kosovë të kthen edhe trupat e personave që nuk arritën t’i mbijetojnë aksidentit.

Ora e saktë nuk dihet ende, për shkak të autopsisë që po kryhet në shtetin e Kroacisë.

Trupat e pajetë do të kthehen në Kosovë me transport rrugor.

Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident dhe 15 persona janë duke u trajtuar ende, ndërkaq njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Disa nga personat e plagosur do të vazhdojnë të trajtohen në shtetin e Kroacisë, disa do t kthehen në Gjermani, ka thënë ministri Sveçla.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, i cili ka qenë duke vozitur, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.