MENU
klinika

14% nuk arrijnë nivelin minimal

“Varfëria e mësimit” në Shqipëri, më e lartë se mesatarja e Europës

30.07.2021 - 13:01

Shqipëria vuan nga varfëria në mësim, ashtu si shumë vende të tjera, por në raport me rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, treguesi është 5.4% më i lartë. Një përmbledhje e shkurtër e Bankës Botërore dhe Institutit të Statistikave e UNESCO, e publikuar në korrik, tregon se problematika e varfërisë në mësim mbetet e dukshme.

Sipas këtij dokumenti, kur flasim për varfëri në mësim në Shqipëri, kemi parasysh se 17% e fëmijëve në moshën e vonë të fillores sot nuk janë të aftë të lexojnë përshtatur kjo për fëmijët jashtë shkolle.

“Privimi i të mësuarit: Vlerësimet në shkallë të gjerë të të mësuarit të studentëve në Shqipëri tregojnë se 14% nuk arrinin nivelin minimal të aftësisë në fund të shkollës fillore, sipas të dhënave nga klasa e katërt në vitin 2019. Privimi nga shkollimi: Në Shqipëri, 3% e fëmijëve të moshës shkollore fillore nuk janë të regjistruar në shkollë. Këta fëmijë përjashtohen nga mësimi në shkollë” vlerëson përmbledhja.

Dokumenti sjell në vëmendje se si në shumicën e vendeve, varfëria në mësim është më e lartë për djemtë sesa për vajzat në Shqipëri.

“Ky rezultat vjen si efekt i kombinimit të dy faktorëve. Së pari, pjesa e fëmijëve jashtë shkollës është më e ulët për djemtë (2.4%) sesa për vajzat (3.5%). Së dyti, djemtë kanë më pak gjasa të arrijnë aftësinë minimale në fund të shkollës fillore (15.3%) sesa vajzat (13.2%) në Shqipëri. Shpenzimet e arsimit fillor për fëmijë të moshës së arsimit fillor në Shqipëri janë 4,772 USD (PPP), që është 43.1% më poshtë mesatarja për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore” thuhet në raport.

Çfarë është varfëria në mësim

Varfëri në mësim do të thotë të jesh i paaftë për të lexuar dhe për të kuptuar një tekst të shkurtër, i përshtatshëm për moshën 10 vjeç. Të gjitha aftësitë themelore janë të rëndësishme, por fokusi sipas përmbledhjes së Bankës Botërore është tek leximi sepse: (i) aftësia për të lexuar është një masë e kuptueshme e të mësuarit; (ii) leximi është porta e një studenti për të mësuar në çdo fushë tjetër (iii) aftësia për të lexuar mund të shërbejë si një përfaqësues për të mësuarit themelor në lëndë të tjera.

Marrë nga Monitor