Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 23-vjeçar në një gomisteri në Durrës, policia ka arrestuar pronarin e këtij biznesi. Nën hetim është vendosur dhe shoferi i ambulancës i cili ka shkuar për t’i dhënë ndihmën e shpejtë të riut.
Policia njofton se në pranga kanë rënë pronari i kësaj gomisterie, 54-vjeçari me iniciale Xh.D. për mos garantimin e sigurisë në punë.
Ndërkohë nën hetim është vendosur shoferi i ambulancës me iniciale T.L., 37 vjeç pasi dyshohet se është vonuar shumë për të shkuar në vendngjarje.
Për këtë të fundit ka pasur dëshmi dhe nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Ditën e djeshme, një prej dëshmitarëve është shprehur se ambulanca është vonuar rreth 45 minuta dhe nuk ka mundur t’i japë ndihmën e shpejtë të riut në kohë.
Njoftimi i policisë:
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi Xh. D., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në gomisterinë në pronësi të tij, si pasojë e një shpërthimi të një gome, humbi jetën shtetasi R. T., 23 vjeç (punonjës). Për këtë rast është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi T. L., 37 vjeç, banues në Durrës (shoferi i ambulancës), pasi dyshohet se është vonuar për të shkuar në vendngjarje, duke sjellë vonesë për dhënien e ndihmës së parë.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në lagjen nr. 14/1 në Kënetë të Durrësit në një gomisteri. 23-vjeçari humbi jetën teksa rregullonte gomën e një kamioni e cila shpërtheu.