MENU
klinika

Rrugëtimi i xhudistes

Vepra e pakrahasueshme e Majlindës për Kosovën dhe shqiptarët

26.07.2021 - 10:59

Mund të kenë qenë 40 sekondat më të gjatë në karrierën e saj.

Kur hungarezja Reka Pupp shfrytëzoi një moment pakujdesie dhe e shtyu drejt tatamit Majlinda Kelmendin, gjyqtarja dha shenjë që rishikimi i situatës të bëhej nga komisioni i gjyqtarëve. Rishikimi zgjati shumë, 40 sekonda. Të gjatë janë dukur për të gjithë ne në Nippon Budokan të Tokios, e sidomos të gjatë për Majlindën, trajnerin Driton Kuka dhe ekipin e Kosovës në xhudo.

Gjyqtarja dha shenjë se aksioni i Puppit ishte për vazari. Fitore për të, humbje për Majlindën. Në raundin e parë të turneut të xhudos në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Kështu shpresat e Majlindës për ta mbrojtur titullin olimpik u shuan herët.

Nuk ishte dita për sportisten më të mirë shqiptare të të gjitha kohërave. Filloi ngadalë dhe nuk e gjeti ritmin asnjëherë.

“Mos flej”, iu drejtua trajneri Driton Kuka që në fillim të luftës. Por pak ndryshoi në tatami. Majlinda kishte përpjekjet e saj. Por këtë herë të pamjaftueshme. Lufta shkoi në kohën shtesë dhe në fund ishte hungarezja që ngriti duart lartë.

Majlinda e kapi kokën në shenjë mosbesimi e më shumë në shenjë dëshpërimi. Pasi u përshëndet me kundërshtaren, u largua ngadalë nga tatami, duke bërë hapa prapa. U ndal në skaj të tatamit dhe vendosi duart në gjunjë, duke qëndruar përkulur. Qëndroi ashtu për 15 sekonda. Më pas u kthye nga tavolina ku ishin zyrtarët e garës dhe i përshëndeti me ulje koke. Me përshëndetje të njëjtë iu drejtua edhe grupit në tribunë, ku ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ngadalë doli nga tatami, për në vendin ku rri trajneri Kuka. U ul, sërish në shenjë dëshpërimi, ndërsa trajneri Kuka e kapi për dore dhe e ngriti lartë. Ia vendosi dorën rreth kokës dhe e ngushëlloi. Më pas e ka falënderuar publikisht, përmes një postimi në “Facebook”.

“Krenaria e veprimtarisë time. Majlinda, të falënderoj përjetë”, ka shkruar Kuka pak kohë pas eliminimit të Majlindës.

“Do jesh gjithmonë kampione olimpike, botërore e evropiane. Sot mos u hidhëro, puna e sakrifica, djersa e gjaku që ke derdhur për veten tënde, për mua, familjet tona, popullin shqiptar, të është shpërblyer gjatë karrierës. Mos u hidhëro pasi e arta e Disit është e të gjithë neve dhe e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem, kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit shqiptar. Zoti e ka shpërblyer punën tënde. Lëndimet ishin sfidat që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtërisht. Kokën lartë Majlinda. Krenar me ty deri në frymën time të fundit”, ka shkruar tutje Kuka.

Pasi u nda me trajnerin Kuka, sipas protokollit, Majlinda eci ngadalë dhe doli nga arena. Mund të jetë largimi i saj i fundit nga një arenë e xhudos, si sportiste aktive. Postimi i trajnerit Kuka jep shenja se karrierës së 30-vjeçares mund t’i ketë ardhur fundi.

Vazhdon apo jo, karriera e Majlindës është e mahnitshme. Ka shkruar histori të Kosovës, jo vetëm sportive. Është figura më e njohur botërore, që është rritur dhe jeton në Kosovë. Ka fituar krejt çka mund të fitohet në sport, ndonëse në vjetët e fundit është përballur me telashe serioze shëndetësore.

Në vitin 2009 doli në pah Majlinda, duke fituar titujt e botës dhe Evropës për juniorë. Arriti normën për Lojërat Olimpike “Londra 2012”, por u ndal në luftën e dytë. E prezantoi Shqipërinë dhe eliminimin po ashtu e kishte përjetuar rëndë. Por nuk u zbraps.

Në vitin 2013 fitoi medaljen e bronztë evropiane dhe kaloi barrierën e madhe. Tashmë e kishte medaljen nga ngjarjet e mëdha. Të njëjtin vit e fitoi edhe titullin e botës. Titullin e dytë të botës e fitoi menjëherë në vitin 2014, ndërsa në vitin 2019 fitoi medalje të bronztë botërore. Ka edhe katër tituj evropianë, të fundit në vitin 2019. Suksesi i vitit 2019 i siguroi edhe titullin në Lojërat Evropiane.

Në garat e mëdha të xhudos, Masters, Grand Slam e Grand Prix i ka plot 18 të arta, tri të argjendta e katër të bronzta. Ka fituar tituj edhe në konkurrencë ekipore, ndërsa kulmi mbetet natyrisht medalja e arët olimpike. Ishte medalja e parë për Kosovën, në debutim në ngjarjen më të madhe. Pas suksesit në Rio 2016, fama e Majlindës u rrit shumë. Ajo vazhdoi me punë të madhe, por një lëndim i shpinës, që e mundon ende, e ka frenuar goxha. Ka limituar numrin e garave në të cilat merrte pjesë, ndërsa ka tempuar formën për ngjarje më të mëdha. Por për shkak të problemeve të vazhdueshme me shpinë nuk ka garuar sa do të dëshironte. Prapë mbeti në nivel të lartë dhe vazhdon të jetë prej më të mirave në kategorinë deri 52 kilogramë. Ndonëse vjet nuk garoi fare e sivjet i kishte vetëm dy gara, Majlinda është e katërta në ranglistën botërore dhe ishte bartëse e katërt në Lojërat Olimpike. Pozita kaq e lartë në ranglistë është arritur falë sukseseve. Këtë vit ishte e treta në Mastersin në Doha dhe e treta në Grand Slamin e Tel Avivit.

Majlinda vazhdon të jetë sportiste shembullore dhe e përkushtuar në stërvitje. Ishte e vendosur për të arritur sukses në Lojërat Olimpike të Tokios, por kishte pranuar se edhe ndalja e hershme është e mundshme.

“Nuk do të ishte çudi të bëhem kampione olimpike, nuk do të ishte çudi ta marrë cilëndo prej medaljeve, por nuk është çudi dhe nuk është turp, siç e them gjithmonë, të humbësh në Lojëra Olimpike. Njerëzit duhet ta kuptojnë se përderisa një garues e fiton normën olimpike, ai automatikisht është kandidat për t’u bërë kampion olimpik. Kështu që nuk është turp të biesh në xhiro të parë. Çfarëdo që ndodh në Lojëra Olimpike është shumë normale”, kishte thënë Majlinda para udhëtimit për në Tokio.

Nuk është se ajo dyshonte në sukses. Ishte e mbushur me besim e optimizëm. Por në sport jo gjithnjë realizohen synimet. Në fund, në finale shkojnë vetëm dy e fiton vetëm një. Këtë herë ajo nuk ishte Majlinda Kelmendi.

Në Tokio, Majlinda u ndal herët. Por vepra e saj për shtetin e Kosovës dhe shqiptarët është e pakrahasueshme./KOHA.NET