MENU
klinika

Ja çfarë synohet

Zbardhen tri marrëveshjet e firmosura në Shkup

30.07.2021 - 10:14

Forumi ekonomik për bashkëpunim rajonal në Shkup mblodhi dje mbi 400 pjesëmarrës nga tri shtetet e rajonit: Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia.

Forumi ekonomik për bashkëpunim rajonal në Shkup, i organizuar nga Dhomat ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, zhvillohet në kuadër të iniciativës për bashkëpunim të njohur si mini-Shengen, por që u pagëzua me emrin e ri “Ballkani i  Hapur”.

Gjatë Forumit Rajonal Ekonomik, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, firmosën tri memorandume bashkëpunimi. Marrëveshja e parë e bashkëpunimit lidhet me mbrojtjet në rast katastrofash për tri vendet. E dyta kishte të bënte  me lehtësimin e import-eksporteve, për të eliminuar barrierat dhe kontribuar në ecurinë ekonomike të vendeve të përfshira.

Ndërsa memorandumi i tretë kishte të bënte me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe lejimin e punësimit të lirë në rajon si dhe lehtësimin e procedurave të përkohshme të qëndrimit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nuk mund të mbetemi peng i së shkuarës. Kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk po  bëjnë një karikaturë ballkanike të Bashkimit Europian, ku ngre veto njëri se s’duhet takuar apo tjetri se s’duhet nënshkruar kjo marrëveshje.

Në forum merrnin pjesë kompani nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe  Bosnje e Hercegovina, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe europiane, si dhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve dhe delegacioneve  ndërkombëtare.

Shumica e  kompanive vijnë nga ndërtimi, sektori agroushqimor, energjia, makineria, industria e automobilave dhe tekstilit, turizmi, telekomunikacioni, transporti dhe logjistika. Vuçiç, Rama dhe Zaev  premtuan se nga Forumi i  Shkupit po paraqesin një vizion politik dhe ekonomik të  rajonit të integruar.

1. Marrëveshja për mobilizimin e të tri vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar. 

2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar  importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.

3. Marrëveshje për  qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës  dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.