Raporti përfundimtar i analizës së zgjedhjeve të 25 prillit krijoi pakënaqësi në mesin e drejtuesve politikë që iu besua të drejtonin fushatën zgjedhore. Duket se më të pakënaqurit ishin dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, të cilët nuk mund të fshihnin kundërshtitë. I pari që reagoi kundër sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike ishte drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Edmond Spaho.
Burime nga mbledhja brenda kryesisë së PD-së bën me dije për gazetën “Panorama” se Spaho i është drejtuar numrit dy të PD-së, duke i thënë se raporti nuk pasqyron të vërtetën. Sipas Spahos, nuk mund të thuhet në raport që qarku i Korçës nuk ka përmbushur pritshmëritë kur objektivi ka qenë 5 mandate dhe po aq mandate janë marrë, ndërsa analiza fokusohet te numri i votave.
Ndërkohë, nënkryetari tjetër i PD-së, Edi Paloka, i cili ishte drejtues politik në qarkun e Durrësit i tha sekretarit tëPD-së, Gazment Bardhi, se raporti nuk ishte realist. Ndërsa mënyra sesi ishte përzgjedhur informacioni sipas Palokës, tregon se ka tendencë për të nxjerrë dikë keq dhe dikë mirë. Ndërkohë, një nga njohësit më të mirë të procesit zgjedhor në selinë blu që ka pasur rolin kryesor në reformat zgjedhore, Oerd Bylykbashi, mësohet të ketë thënë se objektivat që janë vendosur kanë qenë të gabuar.
Sipas Bylykbashit, objektivi 705 mijë vota në të gjithë Shqipërinë ka qenë i vogël dhe duket sikur PD-ja është futur në zgjedhje për të humbur. Në përgjigje të akuzave ndaj tij, numri dy i PD-së është shprehur se metodologjia e hartimit dhe vendosja e kuotave është caktuar nga konsulentët. Ndërkohë, debati i dytë ka qenë mes Bashës dhe Fatbardh Kadillit për ndryshimet statutore. Kadilli ka prezantuar edhe një herë manifestin e tij politik. Ndërsa nga ana e tij, Basha është shprehur se statuti i PDsë është edhe më i hapur se statuti i partive simotra të PD-së në vendet europiane.
DEBATI I PLOTË
Gazmend Bardhi prezanton përmbledhjen e raportit të analizës zgjedhore.
Edmond Spaho: Është konceptuar gabim objektivi. Nuk më është dhënë me numër votash. E kam pasur me mandate. I kam thënë kryetarit unë që do marrë 5 dhe LSI-ja 1 mandat dhe dilnim fitues. Unë jam ekonomist dhe ta shpjegoj shumë mirë. Nuk mund të bëhet me numër votash projeksioni. Aty në raport z. Bardhi thua qe Korça nuk ka dalë brenda pritshmërive? Si e shpjegon? Unë kam bërë tjetër analizë. Kam marrë rezultatin më të mirë. Kam pasur objektiv 5 mandate, kam fituar 5 mandate.
Oerd Bylykbashi: Nuk e di se kush e ka vendosur përpara këto projeksione, sepse nuk kam qenë drejtues politik dhe nuk kam pasur informacion. Projeksioni me vota ka qenë gabim. Duhet të ishte një projeksion me mandate.
Grida Duma: Duhet të theksoj që çështjen e përllogaritjes së objektivit e kam ngritur që në momentet e para të nisjes së fushatës. E po e nënvizoj që kjo nuk ka të bëjë me mua aspak, por me meritën dhe analizën konkrete edhe të të tjerëve. Nuk vendosen numër votash si objektiv, por përqindje në raport me kundërshtarin dhe përqindje në raport me sa votues kanë marrë pjesë nga një zgjedhje në tjetrën. Gjatë fushatës nuk u përqendruam në këtë çështje, se kishim prioritete të tjera, por kjo duhet të ishte rregulluar në raportin final.
Edi Paloka: Ky dokument nuk është realist. Nuk pasqyron atë që drejtuesit politik kanë shkruar në raportet e tyre. Duhet ndryshuar dokumenti, nuk mund ta miratojmë në këtë mënyrë si është hartuar. Ky raport është punuar në mënyrë tendencioze dhe del sikur njëri ka punuar mirë, një tjetër jo.
Gazmend Bardhi: Metodologjia e analizës nuk është bërë nga unë, por është bërë sipas një plani të bërë nga konsulentët. Mbi bazën e asaj metodologjie është bërë analiza. Fatbardh Kadilli: Duhet parë me kujdes rezultati, analiza nxit emulacionin. Dikush më mirë, dikush më keq. Raporti sa i përket faktorëve të jashtëm është i mirë, ndërsa për faktorët e brendshëm nuk kanë dalë evidente, ndërkohë që duhet të kishin dalë.
Gazment Bardhi: Analizën për faktorët e brendshëm, degë më degë do e bëjmë në një fazë të dytë, në shtator.
Fatbardh Kadilli: Në këtë analizë nuk përmenden problematikat që kanë lidhje me përformancën e PD-së, si reagoi struktura, koha e daljes në terren, cilësia e listave.
NDRYSHIMET STATUTORE
Gazment Bardhi: Në komisionin për ndryshimet statutore u ra dakord me shumicë votash, me një votë kundër që të kalonte vetëm drafti i Bashës. Në debatin për ndryshimet statutore, Fatbardh Kadilli ka prezantuar para kryesisë së PD shkurtimisht draftin e tij të propozimeve.
Lulzim Basha: Çfarë është për t’u integruar në statut nga propozimet e tua, kur ne biem dakord për administratën dhe pjesën politike. Ndaj kam shtuar edhe sekretariatet. Që administrata të jetë më e madhe dhe të ndahet organizimi politik nga administrata. Sa nga ju keni marrë pjesë në seksione tematike. Dalin tani dhe thonë që duhet program, ndërkohë që kemi qenë të vetmit që e kemi pasur një gjë të tillë.
Edi Paloka: Çfarë është ky diskutim tani?! Muhabete janë këto? Statuti, statuti. Po përse me statut do ta mundim Edi Ramën ne. Dakord janë disa gjëra që duhen përmirësuar por ne duhet të mendojmë për strategji se si duhet të përballemi me Ramën.
Eno Bozdo: Si fillim, dua të sqaroj se unë dje në Komisionin e Ndryshimeve Statutore nuk kam votuar as pro, as kundër dhe as nuk kam abstenuar. Por, nuk kam marrë pjesë në votim, sepse isha kundër mënyrës se si procedoi Komisioni. Unë isha i mendimit që vendimet politike nuk i merr Komisioni, por duhet t’ia kishim paraqitur kryesisë së PD-së. Por, nuk isha kundër propozimit tënd(drejtohet nga kryedemokrati Basha. Lulzim Basha: Ok!
Eno Bozdo: Ndërkohë, sa i përket mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Koha është shumë e shkurtër dhe nuk mund të ndryshohet axhenda, por unë mendoj se ne nuk duhet të shkojmë vetëm duke përmendur masakrën elektorale. Ne duhet të jemi të besueshëm tek ata dhe duhet të gjejmë mënyrën (që duhet ta gjeni ju z. Basha) që përballë anëtarëve të Kuvendit të tregojmë se marrim edhe përgjegjësitë. Partia duhet të korrigjojë defektet e saj. Ndërkohë që seksionet duhet që të funksionojnë dhe të legjitimohen e t’i jepet rëndësi.
Edmond Spaho: Nuk është ndonjë gjë e keqe të ketë seksione. Ne tani kemi krijuar seksionet që të kenë një kryetar.
Edi Paloka: Nuk është e vërtetë që nuk ka seksione. Brenda një qendre votimi ka tre seksione të ndryshme. Florion Mima: Në vitin ‘91 kur e krijuam, kopjuam Partinë Socialiste. Ata kishin organizatat bazë, ndërsa ne seksionet. Nuk është koha për këtë debat. Mos të fokusohemi te një gjë që nuk është çështje e statutit.
Grida Duma: Ndryshimet ne statutin e paraqitur kanë tendencën e vlefshme për të vendosur kohë të përcaktuar për kryerjen e punëve. Po ashtu, shtimi i drejtuesit politik të qarkut adreson që çdo qark ka figurë politike gjatë gjithë kohës, jo pak muaj para fushatës. Lidhja me strukturën dhe vlerësimi i strukturës së partisë është bazament pavarësisht sa dimensione të tjera do të ndërtojmë. Nga ana tjetër, të gjithë e dimë q% statuti nuk është platforma politike. Pas statutit, na presin sfida të tjera të strategjisë dhe vendimeve politike, të cilat janë me të rëndësishme se ndryshimet në statut. Në përfundim të debatit, kryesia e PD-së miratoi unanimisht 4 pikat e rendit të ditës. Ndërkohë, mësohet se ditën e shtunë në Kuvendin Kombëtar të PD-së do të flasin nga 10 minuta drejtuesit politikë të qarqeve. Mësohet se ata duhet ta fokusojnë diskutimin e tyre te masakra elektorale.