Bebat me IVF janë po aq normalë sa edhe bebat e tjerë qoftë për sa i përket zhvillimit fizik por edhe atij mendor. Ata lindin njësoj si edhe bebat e konceptuar në mënyrë natyrale.
Është e vërtëtë se në Fertilizim In Vitro, gjinekologu specialist në mjeksinë riprodhuese transferon embrionin përmes një kateteri në brendësi të uterusit (mitrës) së femrës, por procesi i “implantimit dhe zhvillimit të embrionit është po aq normal sa edhe në rastet kur ndodh si pasojë e kontaktit seksual. Të gjithë duhet të kuptojnë se akronimi ART që përdoret për IVF do të thotë Teknikat e Riprodhimit të Asistuar (Assisted Reproductive Technology), dhe jo Teknikat e Riprodhimit Artificial (Artificial Reproductive Technology).
E vetmja diferencë midis IVF dhe fertilizimit natyral është se në rastin e IVF, spermatozoidet dhe ovocitet (vezët) fertilizohen në laborator nën vëzhgimin e embriologëve, pra, bashkimi i tyre ndodh në epruvetat laboratorike dhe jo në tubat e Fallopit sic ndodh në fertilizimin natyral. Fertilizimi In Vitro nuk bën gjë tjetër vetëm se bashkon spermatozoidet me vezët të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të takohen në mënyrë spontane (qoftë për shkak të problemeve me numrin apo cilësinë e spermatozoideve dhe / ose të vezëve, të bllokimit të tubave të Fallopit dhe për shumë arsye të tjera.
Të gjitha këto janë arsye që vështirësojnë ose pamundësojnë arritjen e një fëmije përmes kontaktit seksual, ndaj edhe Fertilizimi In Vitro duhet të konsiderohet si një alternativë e kontaktit seksual.
Prej vitesh janë të shumta studimet që tregojnë se nuk ka asnjë ndryshim midis bebave të konceptuar përmes kontaktit seksual dhe atyre të konceptuar përmes Fertilizimit In Vitro, ndaj nuk ka motiv përse të jeni të shqetësuar për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve që vijnë në jetë përmes Fertilizimit In Vitro.