MENU
klinika

"Mos hani bar”/ Spartak Ngjela ‘shkoqit’ deklaratën e Yuri Kim

“Berisha do ekstradohet në SHBA, rrezikon edhe Basha po nuk e shkëputi nga partia”

01.08.2021 - 14:07

Avokati Spartak Ngjela ka marrë përsipër që të analizojë deklaratën e ambasadores Yuri Kim, e cila pas një takimi me kryedemokratin Lulzim Basha, lëshoi një mesazh të koduar.

Jashtë selisë së Partisë Demokratike ajo u shpreh se “një parti nuk mund të hajë bar për shkak të një deputeti”, duke nënkuptuar se PD duhet të shkëputet nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u shpall “non grata” nga DASH. Sipas Ngjelës, deklarata e Kim ishte një apel i fortë për Bashën, nuk ishte për Berishën por për vetë kryedemokratin.

“Brenda kësaj arsyeje, na duhet të pyesim: Ku e dini ju, o njerëz, që nuk do ta kërkojë Uashingtoni diplomatik ekstradimin e Sali Berishës në Uashington, për të vijuar hetimi i tij me akuzë për veprimtari antiamerikane? E pra, ajo që i tha ambasadorja Yuri Kim Lulzim Bashës, ishte një rrugë shpëtimi për Bashën, dhe jo goditje për Saliun,”-shkruan avokati.

POSTIMI I PLOTË:

Është për të qeshur se si po përgjigjen “fansat” e Saliut për atë që i tha pardje ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Lulzim Bashës… I ka kërcënuar së brendshmi presioni i hapur me emrin Yuri Kim: kjo kuptohet. Janë të trembur nga lufta antikorrupsion vetë këta, që të tërë, por jo se po mbrojnë Saliun: prandaj, nga frika po sokëllijnë. Kot e kanë. Frika e tyre do të jetë shoqëruese e kësaj kohe antikorrupsion. Dhe shqiptarët do ta shohin si komedi fundin e tyre.

Keni për ta parë.

l.

Po pse, o njerëz, nuk e vini mendjen në arsye, dhe arsyen në logjikë, e logjikën në gjykim?

Ambasadorja Yuri Kim, nuk e kishte me Saliun, për atë që ajo i tha Bashës, kur i përmendi “ngrënien e barit”. Në këtë rast, ajo i dha rrugën e shpëtimit Bashës; sepse, kuptohet që, për Saliun, ata kanë provat e tyre për veprimtarinë e tij antiamerikane, dhe këto i kanë shprehur. Vendimi i Departamentit të Shtetit thotë se Berisha ka cenuar sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe juve kjo, ju duket pak? Po, nuk e dini ju, o njerëz, që, cënimi i sigurisë së Amerikës, është krim federal në Amerikë, dhe ky krim ndiqet dhe hetohet nga FBI? Ai është një krim federal, kjo dihet. Kurse Saliu dhe mbrojtësit e tij, thonë se Berisha është “një proamerikan i madh”. Por, këtë e din vetëm FBI, dhe askush tjetër.

Po, ku e dini ju se ndërkohë në Uashington FBI nuk ka filluar një proces penal kundër Sali Berishës?! Por, a e dini ju se, për një krim federal kundër Ameikës, Uashingtoni mund të kërkojë ekstradimin e të akuzuarit? Por, gjithashtu, në funksion të kësaj, duhet theksuar se, Shqipëria sot e ka nxjerrë konventën amerikano-shqiptare si ligj për ekstradimin nga Shqipëria në Amerikë, të personave të kërkuar nga akuza amerikane. Dhe, prandaj, shiheni konventën me kujdes, që ta kuptoni rrezikun që po i kanoset Saliut.

Dhe pastaj, më tej: nuk ju bëri përshtypje fare kërkesa e ngutshme amerikane për ratifikimin sa më të shpejtë në Parlament të konventës së ekstradimit Shqipëri-SHBA? Kërkesa me ngutje për konventën, kuptohet se do të sjellë operacion drastik antikrim në Shqipëri.

As kaq nuk kuptoni dot?!

ll.

Brenda kësaj arsyeje, na duhet të pyesim: Ku e dini ju, o njerëz, që nuk do ta kërkojë Uashingtoni diplomatik ekstradimin e Sali Berishës në Uashington, për të vijuar hetimi i tij me akuzë për veprimtari antiamerikane? E pra, ajo që i tha ambasadorja Yuri Kim Lulzim Bashës, ishte një rrugë shpëtimi për Bashën, dhe jo goditje për Saliun.

Sepse…

Eshtë e kuptueshme: nëse Sali Berisha ekstradohet për një krim federal me akuzë antiamerikane, dhe, Basha nuk e ka shkëputur ndërkohë partinë prej tij, edhe Basha rrezikohet.

Këtë tha zonja Kim, kur i përmendi “ngrënien e barit” Bashës. Po Basha, çdo të bëjë? Po e ndjen veten të fortë në arsyen juridike, le të shkojë edhe ky nën akuzën amerikane si bashkëpunëtor i Sali Berishës… Apo, mos ndoshta Basha po dëgjon Saliun që thotë se Departamentin e Shtetit në Uashington po e drejton Sorosi dhe Rama, kundër Sali Berishës? Po ju, o njerëz, ende nuk e dini se, për krimet kundër Amerikës, Departamenti i Shtetit drejtohet nga FBI?

Vërtet mund ta drejtojë Rama FBI-në amerikane! Na bëtë për të qeshur, me gjithë Saliun. Kaq të leshtë jeni, o njerëz! Nuk e dini që, për krimin antiamerikan, edhe Presidentin amerikan, edhe Departamentin e Shtetit, i drejton FBI, me arsyen e vet juridike në hetimin antikrim? Por, pse të zgjatemi më tej: nga ajo që shprehu ambasadorja Kim, me sarkazëm, duke evokuar marrëzinë kriminale të Enver Hoxhës, arrijmë në konkluzionin se: Shqipëria është në prag të ndryshimit të madh, dhe krimi shtetëror do të goditet rëndë.

Këtë i ka thënë pardje, hapur, ambasadorja e Yuri Kim Lulzim Bashës. Dhe Basha nuk po flet. Atëherë: prisni dhe shikoni.