MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë e përkeqëson gastritin?

03.08.2021 - 11:12

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë e përkeqëson gastritin?

Mjeku: Çdonjëri prej nesh ka pasur probleme me tretjen dhe acarim të stomakut. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve zgjasin pak ditë dhe nuk kërkojnë kujdes mjekësor. Duhet të vizitoheni tek mjeku nëse shenjat dhe simptomat e gastritit zgjasin më shumë se një javë. Konsultohuni me mjekun nëse problemet në stomak shfaqen kur merrni ilaçe të ndryshme (me ose pa recetë), sidomos aspirinë ose ilaçe të tjera për lehtësimin e dhimbjeve.

Nëse villni gjak, keni gjak në jashtëqitje ose kjo e fundit është në ngjyrë shumë të errët, vizitohuni tek mjeku menjëherë për të përcaktuar shkaktarin.

Shkaktarët

Gastriti është inflamacion i shtresës së brendshme të stomakut. Ligështia ose dëmtimi i shtresës që mbron muret e stomakut (mukoza) lejon lëngjet tretëse të dëmtojnë dhe inflamojnë pjesën e brendshme të stomakut. Një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh mund të rrisin rrezikun e gastritit, si sëmundja Crohn dhe sarkoidoza, një gjendje kur qelizat inflamatore rriten në trup.

Faktorët e rrezikut

Faktorët që mund të rrisin rrezikun e gastritit janë:

Infeksioni bakterial: Edhe pse infeksioni me bakterin “Helicobacter pylori’ është një nga infeksionet më të përhapura tek njerëzit, vetëm disa prej tyre preken nga gastriti ose probleme të tjera gastrointestinale.

Rreziku për t’u prekur nga ky bakter, sipas mjekëve, lidhet me trashëgimin dhe mënyrën e jetesës, si dieta ushqimore ose duhanpirja.

Përdorimi i rregull i ilaçeve për lehtësimin e dhimbjeve – Ilaçet e zakonshme për lehtësimin e dhimbjeve, si aspirina, ibuprofeni (Advil, Motrin IB, etj) dhe naprokseni (Aleve, Anaprox) – mund të shkaktojë si gastrit akut ose kronik. Përdorimi i këtyre ilaçeve rregullisht ose mbidoza e tyre mund të pakësojë një substancë të rëndësishme që mbron shtresën e brendshme të stomakut.

Mosha e vjetër – Të moshuarit janë më të rrezikuar nga gastriti duke qenë se shtresa brendshme e stomakut fillon të hollohet me kalimin e moshës. Ata janë gjithashtu më të rrezikuar të preken nga infeksioni H. pylori ose sëmundje autoimunitare, krahasuar me të rinjtë.

Abuzimi me alkoolin – Alkooli mund të acarojë dhe gërryej shtesën e brendshme të stomakut, duke e bërë më të ndjeshme ndaj lëngjeve tretëse. Përdorimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë gjithashtu gastrit akut.

Stresi – Gjendjet stresuese të shkaktuara nga dëmtimet, djegiet, operacioni ose infeksione të caktuara mund të shkaktojnë gastrit akut.

Vetë trupi sulmon qelizat në stomak – E quajtur gastriti autoimun, ky lloj gastriti ndodh kur trupi sulmon qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të stomakut.

Gastriti autoimun është më i zakonshëm tek njerëzit me sëmundje autoimunitare, si sëmundja Hashimoto dhe diabeti i tipit 1. Gastriti autoimun mund të lidhet gjithashtu me mungesën e vitaminës B12.

Sëmundje dhe gjendje të tjera shëndetësore – Gastriti mund të lidhet me gjendje të tjera mjekësore, si HIV/AIDS, sëmundja Crohn dhe infeksionet parazitare.

Ndërlikimet

Nëse lihet pa trajtuar, gastriti mund të shkaktojë ulcerë të stomakut dhe gjakderdhje. Në raste më të rralla, disa forma të gastritit kronik mund të rrisin rrezikun e kancerit të stomakut, sidomos nëse keni shtresë shumë të hollë të pjesës së brendshme të stomakut dhe ndryshime në qelizat rrethuese. Vini në dijeni mjekun nëse shenjat dhe simptomat nuk përmirësohen edhe pse keni marrë mjekime për gastritin.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.