MENU
klinika

Katër persona në pranga

Festë pas orarit të lejuar, Policia gjobit lokalin në Shijak

02.08.2021 - 09:50

Policia e Shijakut ka vendosur në pranga 4 persona si dhe ka proceduar penalisht një tjetër, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Uniformat blu, gjatë kontrolleve të tyre në terren, kanë konstatuar se një lokal po organizonte një festë përtej orarit të lejuar.

Për këtë arsye, ndaj shtetasit G. B., 33 vjeç është vendosur masa procedim penal, si dhe i është vendosur gjobë 10 milionë lekë lokalit.
DVP Durrës

“Shijak/Organizoi ceremoni festive pas orarit të përcaktuar për mbyllje, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative menaxheri i lokalit.

Vihen në prangat e Policisë 4 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin G. B., 33 vjeç, banues në Pjezë, Shijak, menaxheri i lokalit, pasi është konstatuar duke organizuar një ceremoni festive me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbylljen e aktiviteteve. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë”, thuhet në njoftim.

Në prangët e policisë ka rënë edhe një 22-vjeçar. Policia e ka ndaluar atë në lagjen nr. 1 në Durrës dhe gjatë kontrollit i ka gjetur e sekuestruar 4 doza me kanabis. Menjëherë më pas u bë dhe arrestimi i të riut.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të kontrollit në territor, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe kapjen e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme, kanë ndaluar në lagjen nr. 1, Durrës, mjetin me drejtues shtetasin A. B., të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe i sekuestruan 7 doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 22 vjeç, banues në Durrës”, njoftojnë uniformat blu.

Policia sakaq, ka vendosur në pranga dy vëllezër në Sukth, pasi janë konflituar ndaj njëri-tjetrit për një konflikt për pronën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë për veprën penale

“Dhuna në familje”, shtetasit F. B., 60 vjeç, K. B., 67 vjeç (vëllezër) dhe K. B., 24 vjeç, si dhe kanë proceduar penalisht shtetasen S. B., 52 vjeçe, pasi në Sukth, gjatë një konflikti për motive pronësie kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN