MENU
klinika

Ja qarqet më të rrezikuara!

IGJEUM/ Nesër temperatura deri në 38 gradë C, rritet kërcënimi nga zjarret

04.08.2021 - 19:03

Duket se normalizimi i situatës së krijuar nga zjarret në vend nuk do të ndihmohet nga moti, ku temperaturat e larta që pritet të jenë prezente ditën e nesërme, rrisin edhe më tej kërcënimet.

Sipas Institutit të Gjeoshgekncës, ditën e nesërme temperaturat pritet të shkojnë deri në 38 gradë C dhe për pasojë niveli i rrezikut nga zjarret është i lartë në pjesën më të madhe të qarqeve.

Më të rrezikuar janë Fieri, Vlora dhe Gjirokastra, qarqe ku edhe tashmë situata është mjaft kritike nga zjarret. Po ashtu, sipas IGJEUM, në alarm për rrezikun nga zjarret duhet të jenë edhe qarku i Kukësit, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Beratit e Korçës. Më i moderuar rreziku paraqitet në Shkodër, Dibër dhe Lezhë.

Zjarret në Gjirokaster u shuan paraditen e sotme, por qetësia nuk zgjati shumë, pasi u riaktivizuan dy vatra, ajo në fshatin Arshi Lengo dhe në fshatin Saraqinisht. Dje zjarri rrezikoi seriozisht banesat e 3 fshatrave në Lunxheri, konkretisht fshatrat Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo, ku u dha urdhër evakuimi për banorët në mënyrë që të mos u rrezikohej jeta, por fatkeqësisht u shënua edhe viktima e parë nga zjarret.

Në përpjekje për të shuar zjarrin që i kishte shkuar pranë banesës së tij, ka humbur jetën Andrea Haxhiaj, kurse e plagosur mbeti edhe bashkëshortja e tij, e cila pësoi djegie dhe asfiksim në nga tymi. Ajo është dërguar në Tiranë për kurim më të specializuar. Gjatë luftës me flakët pësoi gjendje asfiksimi edhe ushtari i Forcave të Armatosura, Edlir Goxhaj, i cili ndodhet në spital jashtë rreziku për jetën. Si pasojë e zjarrit 700 hektarë janë shkatërruar në Gjirokastër.

Ndërkohë ende problematike është edhe situata në Vlore, ku pas 12 ditësh “luftë”, flakët nuk janë “bindur” dhe vijojnë të “përpijnë” pyjet dhe kullotat. Në ditën e nëntë të zjarreve në Karaburun sot situata paraqitet më e qetë, konkretisht në shtëpitë afër fshatit Dukat i Ri ashtu dhe në Pashaliman, ku situata ishte më e rënduar.

Edhe sot vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive mbi bazën e Pashalimanit si dhe në Malin e Dukatit, ku vijon beteja për shuarjen e tyre.