MENU
klinika

Zjarret djegin Jugun e Europës!

Italia, Greqia, M. e Veriut e Turqia prej javësh në ‘luftë’ me flakët

06.08.2021 - 09:19

E gjithë Italia është përfshirë nga zjarret prej disa javësh. Disa nga rajonet qendrore dhe jugore kanë humbur dhjetëra-mijëra hektarë pyje. Në Sardenjë botanistët janë të alarmuar për shkatërrimin e biodiversitetit lokal si dhe për numrin e ullishtave që janë shkatërruar. Në Sicili zjarret arritën qytetin e Katanjës dhe rreth 150 vetë u desh të evakuohen nga deti. Edhe aeroporti i qytetit u mbyll për disa orë.

Arsyeja pse Italia po përballet me zjarre të shumta e ka burimin tek një kombinim i përgjegjësive politike, burokracisë për mbrojtjen e pyjeve dhe veprimeve kriminale dhe mafioze. Sipas Coldiretti, shoqatës më të madhe të fermerëve në Itali, të paktën 60% e zjarreve në Itali janë vënë me qëllim.

Mungesa në rezervat e ujit

Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe mungesa në rezervat e ujit. Sipas autoriteteve lokale rezervuarët në Sicili kanë rreth 78 milionë metra kub më pak ujë se vitin e kaluar, niveli më i ulët këtë dekadë. Për këtë arsye në janar 2021, qeveria siciliane ndau 20 milionë euro për fermerët për të përmirësuar kapacitetet e rezervuarëve të ujit.

Sipas një raporti të vitit 2019 të Qendrës Kombëtare Italiane për Kërkime (CNR) 70% e Sicilisë rrezikohet të shndërrohet në shkretëtirë. Në Italinë qendrore dhe jugore kjo shifër varion nga 30% në Sardenjë deri në mbi 50% në Pulia.

Evakuime në rrethinat e Athinës

Edhe Greqia po përjeton valën më të keqe të nxehtësisë prej më shumë se tri dekadash. Zjarrfikësit grekë evakuuan nga rrethinat e Athinës mijëra banorë për shkak të zjarreve. Nga zjarret janë dëmtuar më shumë se 90 shtëpi, 27 biznese dhe janë djegur më shumë se 80 makina.

Autoritetet shëndetësore greke njoftuan se në Athinë janë regjistruar nivele deri në 465 mikrogram pjesëzash pluhuri të imët karboni për metër kub. Për krahasim kufiri që ka vendosur BE -ja është 50 mikrogramë për metër kub ajër.

Zjarret pushtojnë një termocentral në Turqi

Në bregdetin e Egjeut në Turqi u përfshi nga zjarret termocentrali Kermekoy në qytetin Milas. Para evakuimit punëtorët arritën të zbraznin rezervuarët ftohës të mbushur me hidrogjen. Për prodhimin e energjisë elektrike termocentrali përdor qymyr dhe naftë.

Javën e kaluar Ankaraja u detyrua të pranonte se numri i avionëve dhe i helikopterëve për të luftuar në mënyrë efektive flakët është i pamjaftueshëm. Megjithatë Presidenti Erdogan refuzoi ofertën e Greqisë dhe të Izraelit për të dërguar avionë dhe helikopterë. Ndërkohë BE-ja dërgoi tre avionë për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve në Turqi.

Zjarret që po vazhdojnë prej më shumë se një jave kanë shkaktuar në Turqi tetë viktima dhe kanë shkatërruar zona të mëdha pyjore përgjatë brigjeve të Detit Egje dhe Detit Mesdhe. Mijëra qytetarë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre./ DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Situatë kritike në M. e Veriut

Propozohet shpallja e gjendjes së krizës