MENU
klinika

Ideja për ta sjellë Bregoviçin në Korçë

Karremi i Ramës për të peshkuar kundërshtarët e aleancës me Vuçiçin

09.08.2021 - 15:24

Prapashtesën “viç” e ka të skalitur në mbiemër, në pjesën më të madhe të kohës jeton në Beograd dhe një prej këngëve më të njohura e titulloi “Kallashnikov”.

Kaq mjaftoi që thashethemnaja se Goran Bregoviçi paskësh frymëzuar çetnikët serbë gjatë luftës së Kosovës, të marrë përmasat e një yxhymi në rrjetet sociale për ta “djegur” serbo-kroatin e lindur në Sarajevë mes flakëve të patriotizmit në Facebook. Kush është Goran Bregoviçi? A është e vërtetë se me muzikën e tij frymëzoi paramilitarët serbë të vazhdonin me krimet makabër? Pse e ftuan në Shqipëri pikërisht në këtë periudhë?

Ideja për ta sjellë Bregoviçin në Korçë

Në faqen personale të Bregoviçit në internet nuk ka njoftim për pjesmarrjen e tij në një koncert të birrës në vendin tonë. Njoftimi i vetëm thotë se këngëtari do të jetë në një koncert në Moskë, në 26 Gusht.

Vetë kompania që prodhon Birrën Korça mohoi ta kishte zgjedhur këngëtarin për festën e këtij viti, pas pakënaqësisë që u shpreh në rrjetet sociale. Autorësinë e ftesës e mori Bashkia e Korçës, ndërsa zëvëndësja e Sotiraq Filos tha se përzgjedhja e Goran Bregoviçit kishte qenë ide e vetë institucionit.

Bregoviç ka qenë një nga yjet e muzikës rock në Jugosllavi që në vitet 80, si pjesë e grupit Bijelo Dugme. Me Orkestrën e tij të Dasmave dhe Funeraleve, arriti majat e suksesit dhe u bë i njohur në të gjithë globin, jo vetëm mes sllavëve. Ka kënduar në Romë, Paris, Londër, Vjenë, New York e kudo tjetër.

Famën e ka të përmasave botërore dhe është autor i disa nga kolonave më të bukura zanore të krijuara ndonjëherë.
Në Korçë supozohet të performojë para tavolinave të mbushura me birra, kërnacka dhe mezetë tradicionale të qytetit. Për ta bindur, duhet të jenë paguar shumë para.

“Tre letra nga Sarajevo”

Është titulli i albumit të fundit të Bregoviçit. Një metaforë që himnizon të shkuarën e Jugosllavisë dhe shpreson tek rikthimi i “vëllazërimit” të dikurshëm mes popujve. Për ta kuptuar mesazhin e muzikës, ia vlen të shihet një trailer i shkurtër promovues, vetëm 3 minuta.

Materiali nis me pamjen e një xhamie, në sfond dëgjohet thirrja e ezanit. Figura dhe tingujt shkrihen ngadalë për të kaluar në një katedrale katolike. Në sfond dëgjohen këmbanat e të krishterëve. Katedralja katolike ia lë vendin kishës ortodokse në ekran. Është sheshi i Sarajevës. Para luftës.

Një Goran Bregoviç i ri, duke folur në vitin 1991 në një intervistë i tregon gazetarit: “Po dëgjojmë tani xhaminë, kishën dhe katedralen. Është pasdite tani në Sarajevë. Është ndoshta vendi i vetëm në botë ku mund t’i dëgjosh të treja në të njëjtën kohë, teksa dëgjohen kaq bukur. Do ishte mëkat të ndaleshin një ditë.”

Në fakt, ashtu ndodhi. Lufta e shkatërroi Bosnjën. Goran Bregoviç i vitit 2017 ecën rrugëve dhe nis të flasë.

“Sarajeva, nuk është më emri i një qyteti. Është një metaforë për kohët tona. Ne mund të ishim fqinjë bashkë. Fqinj të mire. Ditën tjetër ndodhi që filluam të qëllonim njëri-tjetrin me armë”.

I gjithë albumi i fundit i Goran Bregoviç është një metaforë e ngjashme e historisë së Sarajevës. Tre komunitete fetare, tre etni, tre lloje të ndryshme të të bërit muzikë që bashkëjetojnë në një instrument: violina.

Loja e violinës përgjatë albumit bëhet në tre mënyra: klasikja siç e luajnë katolikët, klezmer siç dinë të luajnë hebrenjtë dhe orientale, siç dinë të luajnë myslimanët. Edhe bashkëpuntorët e Goran Bregoviçit janë tre, një katolik nga Spanja, një hebre nga Izraeli dhe një musliman nga Tunizia.

“Kallashnikov”

Kush e ka dëgjuar “Kallashnikovin” Bregoviçit në Youtube e asocion menjëherë me imazhin e këngëtarit të djersitur nga energjia e muzikës, ndërsa pranë tij, një shishe me alkool, që ai e rrëkëllen herë pas here në skenë, nga një këngë tek tjetra.

“Cigani! Juris!” janë dy fjalët e para të këngës, kushtrimi pas të cilit shpërthen tromba, klarineta dhe veglat e tjera muzikore. “Ciganë, në sulm!” është thirrja e Bregoviçit, që në udhëkryqin e luftrave të Serbisë me vendet e tjera, e gjeti ushtrinë e tij aleate: ciganët.

Po kë të sulmojnë ciganët, popull i paqes që kurrë në histori nuk ka bërë asnjë luftë?

Ishte pikërisht kjo ironia e tekstit të rrëmujshëm shpesh të pakuptimtë si fjalët e një të dehuri, të cilin Goran Bregoviç nuk e ka komentuar kurrë, por që e shkruajti në kulmin e luftërave që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Atëherë kur artistë serbë, kroatë apo boshnjakë frymëzonin luftëtarët me marshet patriotike kushtuar betejave të përgjakshme, urrejtjes për tjetrin apo thurnin himne për fitoret e lavdishme që brezat do t’i kujtonin përgjithmonë, Bregoviç zgjodhi ciganët. Pranë vetes mbajti shishen e alkoolit dhe në vend t’u këndonte ushtrive, u dha zemër ballkanasve të dehur me marshin e orkestrës së vet.

Me tingujt ritmikë të dasmave dhe funeraleve, i fton të shkojnë para, në sulm. Një tufë ciganësh të pirë, të armatosur me muzikën e Bregoviç, që zgjedhin jetën e bohemit në vend të ushtarit.

“Kallashnikov” erdhi si tallje për industrinë muzikore nacionaliste, që i përkushtohej vargjeve patriotike dhe i nxisnin degjuesit drejt betejave të reja. “Ne sulm per paqen”, ishte thirrja e këngëtarit para se të niste breshërinë e tingujve të Kallashnikovit, shkruajtën mediat italiane pas një koncerti të Bregoviçit në Firence.

I lindur ne Sarajeve, me babain kroat dhe nënën serbe, Bregovic u frymëzua nga këngët e vjetra cigane, tek të cilat gjeti strehë, duke qëndruar imun nga ndikimet nacionaliste në udhëkryqin e luftrave ne Ballkan.


Një karrem për kundërshtarët e Ballkanit të Hapur

Kur Jugosllavia u shpërbë në vitet 90, përgjatë luftës Serbo-Kroate apo më vonë në luftën e Bosnjës, Bregoviç, ndryshe nga shumë artistë të tjerë, refuzoi të mbante anën e njërës apo tjetrës palë.

“Babai im ishte kroat katolik, nëna ime ishte ortodokse serbe, gruaja ime ishte myslimane” ka thënë ai. “Nuk isha në pozitat që mund të urreja askënd. Thjesht më vinte keq për të gjithe” ka rrëfyer këngëtari, duke pranuar se është i lumtur që fëmijët po i rrit në Paris.

“Në Ballkan të jesh patriot, të kushton shumë. Ata duan vetëm ushtarë” u shpreh në një interviste për AFP.

Janë rrethanat nga të cilat vjen një nostalgjik i pashërueshëm i ish-Jugosllavisë. Bregoviç ëndërron rikthimin e Sarajevës së para luftës dhe për këtë evokon bashkëjetesën mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve. Gjithnjë e ka bërë. Madje vetë e ka pranuar se mund të jetë një promovues më i mirë i ideve të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare dhe ndëretnike, më mirë se sa çdo politikan.

“Për mua, është më e lehtë. Është e vështirë për fenë dhe politikën. Por unë mund të bëj bashkë gjërat që janë të paimagjinueshme për politikën dhe për fenë” ka thënë Bregoviç gjatë një interviste.

Sot, idetë e bashkëjetesës mes popujve fqinjë në Ballkan janë përqafuar edhe nga Aleksandër Vuçiçi, ish-ministri i Millosheviçit, që gjatë luftës në Bosnjë betohej se për çdo serb të vrarë, do të vriteshin 100 muslimanë. E njëjta retorikë, e heqjes së kufijve dhe bashkëjetesës në harmoni dëgjohet edhe nga Edi Rama në takimet e Ballkanit të Hapur.

I pari nuk pranon të bëjë asnjë hap pas në dialogun me Kosovën. I dyti nuk do t’ia dijë për këtë qëndrim. Marrëveshjet Rama-Vuçiç lanë shijen e një aleance të gabuar, në dëm të interesit kombëtar në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Kosovë. Rama u gjend përballë akuzave të forta.

Prandaj gjatë pushimeve të verës, u hodhi në mes këngëtarin e famshëm nga Sarajeva. Nuk kanë kaluar shumë ditë, por ndarja në llogoret pro apo kundër koncertit në Korçë është në kulm. Perceptimi është se shqiptarët në anën këtej të kufirit janë pro koncertit të Bregoviçit, ata të Kosovës, kundër. Kritikët e aleancës Rama-Vuçiç e sulmuan më fort se të tjerët këngëtarin. Qenë të parët që kapën karremin e Ramës./Lapsi.al

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore