MENU
klinika

KOKOFEST 8

Korça çel garën e Komedisë

29.08.2021 - 16:27

        Prej 29 gushtit e deri më 4 shtator, në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në Korçë, vjen konkursi i komedisë. Festivali mbarëkombëtar i komedisë ”KokoFest”, edicioni i tetë, organizohet nga Qendra Kulturore “Vangjush Mio” dhe teatri i Korçës.

Premiera e komedisë “Vdis duke qeshur” do të çelë festivalin mbarëkombëtar të komedisë. Blerta Belliu drejtore e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” dhe bashkorganizatore e “KokoFest”, shprehet se, pas edicionit të një viti më parë, ku festivali u zhvillua në ambiente jashtë për shkak të pandemisë, këtë vit do të jetë në të gjitha netët e tij me shfaqje në teatër, por duke respektuar masat.

“Vjet ishte pak e vështirë, sepse ka qenë pandemia dhe shfaqjet u bënë jashtë, por këtë vit ne rikthehemi me shfaqjet brenda në teatër. Produksionet nuk janë vetëm nga teatrot në Shqipëri, por kemi dhe nga Kosova. Të gjitha shfaqjet në teatër, por duke zbatuar rregullat që janë vendosur ndaj pandemisë”, shprehet ajo.

Në festival marrin pjesë trupa të ndryshme artistike, që do të jenë në konkurrim. Blerta Belliu drejtore e qendrës kulturore shprehet se selektorët e festivalit kanë zgjedhur shfaqje të mira, por nuk ka qenë e lehtë.

“Përzgjedhja nuk ka qenë e lehtë, por është bërë duke pasur parasysh shfaqje të suksesshme. Puna ka qenë e vështirë, sepse për shkak të pandemisë shumë teatro nuk kanë zhvilluar aktivitet. Ka pasur vështirësi për të përzgjedhur trupa të mira dhe shfaqje cilësore, aq më tepër dhe në zhanrin e komedisë pasi dy vjet janë bërë shfaqjet online”, shprehet Belliu.

Komeditë dhe Juria:

Juria ka pesë anëtarë me emra të njohur të teatrit, si aktori Ndriçim Xhepa, aktorja Eva Alikaj, regjisori Qëndrim Rijani, etj. Belliu shprehet se edhe këtë vit të ftuarit e shumtë, nuk do të mungojnë.

“Në 7 net, do të kemi shumë artistë nga Kosova dhe Shqipëria, janë 50 të ftuar. Festivali mbështet nga Bashkia e Korçës. Do të ndahen çmime të ndryshme që kanë vlerë në para, që mbështeten nga bizneset”, thotë ajo.

Në “KokoFest” do të jenë dhjetë çmime, si regjia më e mirë, aktori dhe aktorja për rol të parë kryesor, aktori dhe aktorja për rol të dytë, etj.

Mbrëmja e sotme, në skenë sjell “Vdis duke qeshur” nga Paul Elliott, regjia nga Ilir Bokshi –  përfaqësim i teatrit të Korçës. Më pas, më 30 gusht  vijnë “Gratë në parlament” nga Aristofani, regjia Elmaze Nura-  teatri “Adriana” Ferizaj; 31 gushti sjell “Jetët private” nga Noel Coward, regjia nga Eliona Thomaraj – teatri “Petro Marko” në Vlorë. Më 1 shtator konkurron “Pesë ditë mbret” autor Stefan Çapaliku, regjia nga Gjergj Prevazi – teatri i “A. Z. Çajupi” Korçë; 2 shtatori sjell “Ferma e kafshëve” autor George Orwell, regjia nha Driada Dervishi –  Teatri Kombëtar -Tiranë. Më 3 shtator, në skenë vjen “Revizori” nga Gogol, regjia nga Driada Dervishi – teatri “A. Moisiu” Durrës, ndërsa 4 gushti, ngjit në skenë “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar -kafe në Paris” nga Steve Martin, regjia nga Armela Demaj – teatri “Metropol”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Teatri Eksperimental ''Kujtim Spahivogli''

”Boeing-Boeing” rivjen në këtë janar

Komedia e zezë premierë botërore

“Cirku fluturues” konkurron në Estoni