MENU
klinika

Gjenocidi Serb...

KOSOVA: ”Vëllezërit” falsifikojnë fotografinë historike

31.08.2021 - 11:20

        Ishte një prej refugjatëve që u përndoqën nga forcat serbe, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Madje, imazhi i saj u zgjodh në mesin e fotografive më të mira të shekullit, si dëshmi e kohës. Por, fotografia u keqpërdor nga Ambasada Ruse në Afrikën e Jugut, duke i ndërruar kombësinë në përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën, raportojnë medjet në Kosovë.

Fotografia, që, për nënën Sherife Luta është dëshmi e vuajtjeve që ka përjetuar, u manipulua dhe u përdor në Tweet-in propagandues të Ambasadës Ruse, në përvjetorin e bombardimeve nga NATO. Ndërkohë që për këtë, nuk kanë reaguar institucionet e Kosovës.

Një ‘cheapfake’ si ky, e lëndoi Sherife Lutën, pasi thotë se, fotografia e fotoreporterit Damir Sagolj, i kujton historinë e dhimbshme të popullit të Kosovës dhe përjetimet e asaj kohe, duke i bërë thirrje qeverisë që të luftojë dezinformimin.

Luta: Rusët mund të bëjnë gjithçka, por jo ta mohojnë historinë tonë

“Unë e kam parë që e kanë bë këtë fotografi, si lajm të rremë. Fotografia shihet vetë, e ka domethënien e vet. Nuk mundet me dalë e rrejshme… Kjo fotografi, nuk mundet me qenë e rrejshme sepse popullata ruse bën gjithçka, qysh ka bërë gjatë luftës të vitit ’99, edhe tash mundet me bë… Fotografinë e kam parë që e kishin qitë, kjo fotografi kinse nuk jam unë shqiptare, por është serbe. Kjo më ka prekur në zemër sepse kjo foto është e vërtetë, qysh me i bë ato rrena. Nuk munden me i bë ato rrena, kur kjo është e vërtetë”, – thotë ajo.

Luta, e cila kishte qëndruar si refugjate për tre muaj në Maqedoni, e kujton shumë mirë, ditën kur, Sagolj e kishte shkrepur fotografinë.

Luta: Kjo fotografi, më kujton se çka ka hequr populli ynë, nga forcat serbe

“Kjo fotografi më kujton vuajtjet e shqiptarëve, gjatë vitit ’99, çka ka hequr populli shqiptar prej forcave serbe… E mbaj mend unë atë ditë, kur është shpallë (shkrepur) fotografia, kur kemi ikë prej luftës prej forcave serbe, kur kemi marrë udhëtimin me mijëra refugjatë, me vajzën në krahë, duke ecur e lodhur me vajzën në krahë, pa hëngër e pa pirë. Në Bllacë, fotografinë e shkrepi kameramani boshnjak. Ku e shihte më rrezik, shkonte e fotografonte”, – tregon ajo.

Ajo thotë se, Kosova duhet të mobilizohet, në mënyrë që të ndalë tendencat e tilla të Rusisë.

Luta: Qeveria duhet të marrë masa karshi Rusisë

“Ata janë t;u mujtë (t;u u mundu) me e zhdukë këtë foto, mirëpo realiteti shihet vetë, s’mundet kurrkush me e zhduk këtë… Duhet me marrë masa qeveria, me ju përgjigj Rusisë, sepse kjo foto nuk është e rrejshme, tregon çka ka hjekë populli shqiptar. Nuk jam vetëm unë që kam hjekë, por krejt populli shqiptar ka hjekë për këtë vend. Sot, duhet me u gëzu që jemi të lirë”, – thotë ajo.

Sesa e rëndësishme është për të fotografia, nëna Sherife Luta thotë se e dëshmon më së miri, me fjalët e të bijës, që dikur e mbante në duar.

Luta: Vajza është shumë krenare

“Ajo është krenare shumë. Kur e sheh këtë fotografi, thotë: ‘oj nanë, ke mbet simbol i historisë’, krenohet”, – tregon Luta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bedri Islami: Të fajësosh viktimën e të pastrosh krimin është mëkat

“Gjysma e Kosovës u dogj, qindra u torturuan…askush nuk u përgjigj!”