MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Kur kryhen analizat e gjakut për alergjinë?

19.08.2021 - 08:57

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Kur kryhen analizat e gjakut për alergjinë?

Mjeku: Analizat e gjakut të alergjisë mund të ndihmojnë në identifikimin e nxitësve të simptomave të alergjisë dhe gjithashtu të ndihmojnë mjekun për të përzgjedhur mjekimin më të përshtatshëm.

Llojet e analizave të gjakut për alergjinë

Kur gjendeni në kontakt me një nxitës të alergjisë, të njohur si alergen, trupi prodhon antitrupa kundër tij. Analizat e gjakut për alergjinë masin sasinë e antitrupave alergen-specifik në gjak.

Antitrupat shkaktojnë çlirimin e disa përbërësve kimikë që shkaktojnë si përfundim simptomat e alergjisë. Imunoglobulina E është një antitrup i lidhur fortë me përgjigjen alergjike të trupit.

Analizat e gjakut për alergjinë zakonisht kryhen për të paktën 10 nga shkaktarët kryesorë të alergjisë, duke përfshirë pluhurin, alergjitë nga kafshët, pemët, barin, mykun. Janë veçanërisht ndihmuese në diagnostikimin e alergjive nga ushqimet.

Alergjitë mund të shkaktojnë një rritje të disa llojeve rruazash të bardha të gjakut. Për këtë arsye, mjeku mund të kërkojë edhe një analizë të përgjithshme të gjakut, për të parë eozinofilet – një lloj qelize e bardhe e gjakut. Megjithatë, duhet të keni parasysh se shumë gjendje të tjera mund të ndikojnë në rritjen e eozinofileve.

Pse kryhen analizat e gjakut për alergjinë?

Analizat e gjakut për alergjinë rekomandohen në rastin kur:

– Jeni duke përdorur një medikament që mund të ndërveprojë me rezultatin e testit të alergjisë dhe ju nuk mund ta ndërprisni atë; psh. në rastin e antihistaminikëve, steroidëve dhe disa antidepresivëve.

– Nuk mund të duroni shpimet për kryerjen e testin në lëkurë.

– Keni një gjendje kardiake jo të qëndrueshme.

– Keni një astmë jo mirë të kontrolluar.

– Vuani nga ekzema, dermatiti, psoriasis ose gjendje të tjera të lëkurës.

– Keni patur më parë reaksion të rëndë në lëkurë pas një testi alergjik në lëkurë ose keni histori reaksioni alergjik të rëndë – të njohur si anafilaksi.

Mjeku juaj mund të rekomandojë analizat e gjakut edhe për të kuptuar si është duke vepruar trajtimi qe po merrni për alergjinë (imunoterapia). Gjithashtu, analizat e gjakut mund të tregojnë nëse e keni kaluar tashmë një alergji.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.