MENU
klinika

"Sozia e Pogradecit"

Kush ishte Kadri B., në limuzinën e Enverit?

05.08.2021 - 11:49

        Inxhinier Luan Pogaçi, ish-shefi i Ndërlidhjes dhe Informacionit i Drejtorisë së Dytë të Ministrisë së Brendshme, numrin e kaluar ka kujtuar bëmat e Hekuran Isait në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm. “Ai ishte krejt ndryshe nga ministrat e tjerë, kujton zyrtari i lartë i Sigurimit të Shtetit, shfaqej serioz në publik në krahë të Enverit apo Ramizit, po ishte krejt tjetër në zyrën e ministrit, ku dallonte megalomania dhe vesi i fshehur”.

Pogaçi ka dëshmuar sakaq se Isai shkonte pas mesnate i dehur në qelinë e Kadri Hazbiut dhe e rrihte. Në vijim të rrëfimit të tij, ish-shefi i Ndërlidhjes së Bllokut sjell të tjera detaje nga koha kur ka shërbyer pranë liderëve kryesorë të regjimit. Ai kujton se pas vetëvrasjes së mistershme të Mehmet Shehut, me porosi të veçantë janë shtuar masat e sigurisë për Enver Hoxhën. Madje, ai tregon se kur lëvizte jashtë Tiranës përdorte sozi që qëndronte në vend të tij në limuzinë…

Vijon nga numrat e kaluar

LUAN POGAÇI
KADRIU, SOZIA E ENVERIT KUR UDHËTONTE NË POGRADEC
Deri vonë, Enver Hoxha nuk ka pasur sozi. Ai udhëtonte shpesh dhe futej mes njerëzve vetëm me një shoqërues.

Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, ndihej një situatë disi e tensionuar, aq sa paramendohej sikur tashmë ishte ai objekt i asgjësimit. Në këto rrethana, të gjitha strukturat e sigurisë ruajtjen e udhëheqësit e morën detyrë të dorës së parë. Ndërkaq, grupi i shoqërimit të Enverit, tashmë i zgjeruar si asnjëherë, kishte riformatuar të gjitha masat mbrojtëse dhe ato të sigurisë për udhëheqësin dhe familjen.

Përforcimet ishin të gjithanshme. Akoma dhe më të mëdha bëheshin ato kur Enveri shkonte për vizita të ndryshme në rrethe. Shpesh, sidomos kur shkonte me pushime në Pogradec, në muajin qershor, eskorta e tij lëvizte në dy kolona.

Në njërën, e cila lëvizte e para, në limuzinë qëndronte një sozi e tij. Kadri B. e quanin. Ai ishte trupmadh si Enveri, e vishnin, duke i vënë dhe një palë syze të errëta. Në kolonën e dytë që vinte pak më mbrapa, pak më e vogël ajo, qëndronte Enveri.

Përveç atyre që e kishin organizuar këtë skemë lëvizjeje, askujt nuk i shkonte në mëndje që Enveri ia kishte lënë vendin e tij në limuzinë, Kadriut, i cili kështu kësisoj bënte një lloj aktrimi. Qëllimi kishte të bënte me jetën e udhëheqësit, prandaj dhe Kadriu e bënte me shumë dëshirë dhe përkushtim.

KAMERAT E SIGURISË PËR HERË TË PARË NË BLLOK
Mbas vdekjes se Enver Hoxhës, shërbimet në Drejtori dhe në Gardë filluan të zbehen.. Kishte pasur raste që në Bllok kishin hyrë persona jashtë vëmendjes së ushtarëve të Shërbimit të Gardës. Çdo ditë raportoheshin shkelje nga më të ndryshmet nga efektivët që kishin përgjegjësinë e ruajtjes së udhëheqësve.

Pikërisht përballë këtyre shqetësimeve, unë propozova për të vendosur në gjithë rajonin e banimit në Bllok një sistem televiziv me qark të mbyllur, duke vendosur kamera në disa pika kryesore.

E argumentova qëllimin me idenë e kontrollit më të mirë të hyrjeve në Bllok, duke dubluar gardistin, për të regjistruar veprimet e ushtarit të shërbimit dhe për të bërë trajnime të tyre, duke treguar konkretisht në fund të ditës si vepronin dhe si duhej të vepronin. Pasi u miratua ideja e këtij projekti, lindi nevoja për të siguruar bazën e nevojshme që ishte jashtë shtetit. Kjo u bë shkak që unë të dilja për herë të parë jashtë Shqipërisë. Pavarësisht se në Drejtorinë tonë daljet jashtë shtetit nuk ishin ngjarje. Tashmë me shumë vështirësi ishte miratuar edhe fondi 35.000 dollarë për projektin.

Erdhi më në fund dita që të nisem bashkë me inxhinier F. Bozgo për në Itali, një kolegu im inxhinier. Ishte vjeshta e vitit 1987. U përgatitëm si të gjithë që dilnin për herë të parë jashtë shtetit. Morëm ushqime me vete, paketa cigaresh dhe nga dy shishe me konjak “Skënderbeu” për dhurata. U nisem për në Romë me një avion rumun “Tarom”.

Kur mbërritëm aty, na priti në aeroport sekretari i parë i Ambasadës. Në ambasadë u takuam me ambasadorin D. Dervishi. I treguam qëllimin e vizitës, e cila ishte sekret dhe i kërkuam të na shoqëronte atasheu tregtar. Sakaq, i thamë të na ndihmonte me një makinë për lëvizje. Nisëm udhëtimin për në Milano dhe Torino pasi kishim marrë informacion se në këto dy qytete ishte e përqendruar industria elektronike.


Në Milano shkuam në dy fabrika që merreshin me prodhim të sistemeve televizive me qark të mbyllur. Mbasi u konsultuam dhe pamë pajisjet, konkluduam se sistemi ishte i vjetër. Prej aty, në Torino te “Elkroni”, pamë si prodhoheshin sisteme më moderne të kohës me kamera “ÇCD”. Rreth tri ditë u konsultuam me inxhinierët ekspertë të fabrikës për ndërtimin e sistemit më efektiv dhe më të lirë. U shprehëm atyre kërkesën tonë që kishte të bënte me komandimin në distancë të kamerave, pasi ato do të instaloheshin larg nga qendra e vëzhgimit dhe komandimit që do të ngrinim në hyrje të Bllokut.

Na sugjeruan disa variante, por qenë të shtrenjta dhe fondi jonë ishte i limituar. Në fund, vendosëm që komandimin në distancë ta bënim me kabllo të shtrira deri te kamerat. Morëm premtimin që brenda tre muajsh çdo gjë do të ishte gati. Në fund, na bënë dhe një demonstrim të këtyre kamerave te Stadiumi i Torinos, ku ishin vendosur pajisjet e tyre. E vërteta është se na pëlqyen shumë. Vendosem që pajisjet t’i porosisnim tek “Elkroni”, pasi sistemi që konsultuam plotësonte kërkesat tona. Në pranverë të vitit 1988 na njoftuan se pajisjet ishin gati. Ndërkaq, fillova të mendoj për kabllot e komandimit sipas distancave ku do të vendoseshin kamerat.

Pas konsultave vendosëm që ato do të prodhoheshin tek Uzina e Telave në Shkodër. Aty qëndrova disa ditë. Fillimisht takova kryeinxhinierin. Bisedova me të për mënyrën e prodhimit, llojin e përcjellësve (bakër), në veçanti për cilësinë e izolimit, pasi kabllot do të shtriheshin në kanalizimet telefonike të Bllokut.

Në zyrën e tij shikuam dhe një herë projektidenë e përgatitur nga unë. Pas kësaj, ai thirri disenjatoren e uzinës për ta hedhur atë më mirë në letër që t’ua jepte pastaj për prodhim. Shikoj që hyri si me ndrojtje një vajzë e hollë e sjellshme e veshur me një fustan basme me lule dhe mjaft e bukur. Nuk më shkonte në mëndje atëherë që ajo do të ishte kryetarja e ardhshme e Kuvendit të Shqipërisë.

Prej aty, nisi dhe procesi i prodhimit të kabllove. Për të tërhequr pajisjet e porositura shkuam përsëri në Itali. I kontrolluam një nga një. Çdo gjë ishte sipas standardeve.

Në fund kur i tërhoqëm, na ofruan falas për reklamë dy videotelefona, të cilët ishin risi për kohën. Ato i instalova një në hyrje të KQ-së dhe tjetrën në një zyrë. Qendrën e kontrollit me monitorë e vendosem në një ambient të madh në një ndërtesë ekzistuese në hyrje të Bllokut. Shërbimi kryhej nga pesë nënoficerë të zgjedhur që bënin shërbim 24 orë. Qëllimi kryesor për të cilin u vendosen kamerat u realizua, pasi shërbimi për sigurimin e Bllokut u përmirësua në mënyrë të ndjeshme.

Disa kohë më vonë, kur ministër i Brendshëm ishte S. Stefani, shtrimë një kabull edhe në kabinetin e ministrit. Prej aty, ai tashmë i mund të vëzhgonte direkt situatën e ruajtjes së Bllokut. Çdo gjë evidentohej në videokaseta me anën e të cilave bënim dhe trajnimin e efektivëve të shërbimit. Sot, këto mund të quhen gjëra të thjeshta, por duhen pasur parasysh vitet kur u ndërtua sistemi që këto gjera qenë risi për ne. Ky ka qenë i pari sistem i instaluar në Shqipëri.