MENU
klinika

Nga Erl Kodra

Kush po e vret Partinë Demokratike?

08.08.2021 - 13:24

Kam shkruar me qindra tekste për Partinë Demokratike. Sigurisht që ajo nuk është parti e përsosur, ashtu siç nuk është gjithë shoqëria shqiptare. Por, ngado që ta marrësh, Partia Demokratike mbështetet nga gjysma e popullit shqiptar, dhe kryesisht nga pjesa më antikomuniste e shoqërisë.

Shteti terrorist i Enver Hoxhës kishte të përcaktuar me kushtetutë se organizata e vetme politike që ka të drejtë të qeverisë Shqipërinë është Partia e Punës së Shqipërisë (sot Partia Socialiste) dhe se gjithçka dhe gjithkush mbi këtë tokë duhet të funksionojë sipas urdhërave të partisë. Kështu, në këtë pjesë të vogël të planetit mendimi politik opozitar ishte shpallur i paligjshëm dhe dënohej me vdekje. Të vrarët “me ligj” dhe pa ligj janë me mijëra, të burgosurit dhe të internuarit janë me disa qindra mijëra, ndërsa një shoqërie të tërë iu vra mendimi politik, social dhe kulturor.

“Partia mbi të gjitha” – ishte parulla e famshme e terroristit Enver Hoxha, deri më 11 Dhjetor 1990, ditën kur shqiptarët vranë frikën dhe themeluan Partinë Demokratike. Që prej asaj dite kanë kaluar mbi 30 vjet të mbushura me zhvillime dhe transformime të jashtëzakonshme ekonomike, politike dhe shoqërore, ku Partia Demokratike ka luajtur rol të dorës së parë. Ashtu siç e thash në krye të këtij shkrimi, PD nuk është një parti e përsosur, por padyshim që është partia më e mirë që shqiptarët kanë nxjerrë gjatë ekzistencës së tyre si shtet i pavarur. Nëse PS i ka rrënjët në terror, Partia Demokratike i ka rrënjët në shpirtin e lirë të qenies njerëzore. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm dhe i njohur botërisht.

Lufta politike në Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të mbetet një luftë e pisët, e mbushur me eufemizma, akte dhe veprime të turpshme kundër Partisë Demokratike, të kryera eskluzivisht nga Partia Socialiste (pasardhësja e Partisë së Punës) dhe njerëz të indoktrinuar pranë dhe në krye të saj, por edhe me gazetarë dhe njerëz të medias. Që prej themelimit dhe deri më sot, Partia Demokratike është pikturuar nga media dhe propaganda e majtë si një forcë politike arkaike dhe e prapambetur, e mbushur me njerëz të pagdhendur, shpellarë dhe harbutë, malokë dhe veriorë, të pa qytetruar dhe reaksionarë, madje edhe një forcë politike antishqiptare. Nga ana tjetër, Partia Socialiste është paraqitur si e vetmja forcë progresiste që duhet të qeverisë vendin, me intelektual të ndershëm dhe të aftë, që meritojnë dhe duhet të jenë në krye të vendit – sepse vetëm ata qenkan të denjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Historia e këtyre viteve është e mbushur me ngjarje, fakte dhe prova që tregojnë qartë se kush është në të vërtetë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kush janë mbështetësit e njërës dhe të tjetrës palë, dhe se sa të rëndësishme janë këto dy forca politike për shoqërinë shqiptare. Mirë apo keq, deri dje beteja mes dy forcave politike kryesore është mbajtur brenda shinave për një shoqëri në tranzicion të vështirë – duke përjashtuar vitin 1997. Për fat të keq, që kur Edi Rama fitoi zgjedhjet e vitit 2013 dhe deri më sot, përballja mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është shndrruar në një luftë për jetë a vdekje, ku trashgimtarja e PPSH-së ka marrë përsipër shkatërrimin përfundimtar të Partisë Demokratike. Në funksion të kësaj lufte, Edi Rama nuk ka hezituar të përdorë gjithçka, duke inicuar një luftë të pisët dhe pa principe, në tejkalim të çdo norme morale të sjelljeve shoqërore.

Edi Rama erdhi në politikë përmes Fatos Nanos, por shumë shpejt ia doli të ndërtojë një perandori mediatiko – financiare, forcën e së cilës do ta shohim të pushtojë së pari Partinë Socialiste, dhe më vonë krejt shoqërinë. Megjithse formalisht ai nuk zotëron asnjë media të shkruar apo televizive, në të vërtetë për Edi Ramën punojnë pothuaj të gjitha mediat e shkruara dhe televizive, me ndonjë përjashtim të vogël të vetëm dy – tre gazetave, të dy televizioneve, dhe mediave sociale. Hapësira televizive në prime time është e mbushur me folës publik që sulmojnë pamëdyshje Partinë Demokratike dhe lidershipin e saj, me gjuhë denigruese, shpifëse dhe turpëruese. As në shoqërinë hitleriane nuk është parë dhe dëgjuar një lukuni e tillë mediatike, që linçon dhe etiketon apriori, me gjuhë urrejtje forcën më të madhe politike në vend.

Partia Demokratike paraqitet si forcë politike e pushtuar ku obskurantizmi dhe bajraktarizmi i Sali Berishës, që ka punuar kundër interesave të qytetarëve shqiptar, që ka izoluar vendin, madje si një parti anti-kombëtare. Se cilat janë interesat e vendit dhe kush ka punuar më shumë në interes të tyre – Partia Socialiste apo Partia Demokratike – kjo nuk mund të përcaktohet nga retorika politike e mercenarëve të Edi Ramës – por faktet historike. Dhe faktet tregojnë se Partia Demokratike hodhi themelet e ekonomisë së tregut të lirë, hodhi bazat e zhvillimit infrastrukturor të vendit, afroi vendin me Bashkimin Europian duke marrë Statusin e Vendit Kandidat, Shqipëria u bë Anëtare e NATO-s dhe liberazoi lëvizjen e lirë të qytetarëve me BE-në. Faktet tregojnë se arritjet e Shqipërisë nuk do të ishin të mundura pa qeverisjen e Partisë Demokratike, parti e cila apriori etiketohet si parti anti-kombëtare.

Ligjërimi publik kundër PD-së shpesh ka marrë përmasa groteske – nisur edhe nga qentë e sulmit që qëndrojnë në vijë të parë – kryesisht personazhe mediatik që në një moment të karrierës së tyre kanë qenë pranë Partisë Demokratike. Mjetet, infrastruktura dhe burimet njerëzore që përdoren nga Edi Rama kundër Partisë Demokratike tejkalojnë përmasat e propagandës partiake, përndryshe, ato janë kthyer në industri të mirëfilltë, me individë të mirëpaguar edhe nga fondet publike. Top Channel, Klan Tv, Vizion Plus, Report Tv, News24 dhe derivatet e tyre, 24 ore në ditë, 7 ditë të javës dhe 365 ditë të vitit hedhin vrerë pandërprerje kundër Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj. Edhe Adolf Hitler dhe Enver Hoxha do ta kishin zili një infrastrukturë të tillë, kaq gjigande dhe efikase. Agon Channel – i vetmi televizion i madh që premtonte të kunkuronte denjësisht propagandën e shfrenuar, u mbyll arbitrarisht nga Edi Rama në vitin 2015. Për këtë, vetëm para disa ditësh u dha vendimi përfundimtar i një gjykate arbitrazhi në New York (ICSID), ku Shqipëria dënohet me 118 milion euro, me arsyetimin se “mbyllja e televizionit Agon Channel nga qeveria ishte i motivuar politikisht”.

Sulmet – jo vetëm politike – që i bëhen Partisë Demokratike nga mercenarët e regjimit kanë dhënë rezultate. Organizata mediatike, madje edhe nga Shoqëria Civile janë përdorur dhe përdoren eskluzivisht për këtë qëllim – për të promovuar dhe shpërndarë lajme të rreme, për t’i fabrikuar ato, duke i amplifikuar mbrëmjeve televizive nga opinionistë të “pavarur”, siç ishte rasti “Kaseta e Krushës”, ose historia e “financimeve ruse” për Partinë Demokratike. Për sajesën e fundit Prokuroria shqiptare ka kryer edhe hetime kundër Lulzim Bashës.

Lufta kunër Partisë Demokratike me kohë ka kaluar kufinjtë kombëtar, madje ajo tani zhvillohet edhe në kancelaritë e vendeve aleate. Qeveria e Edi Ramës është investuar maksimalisht me spin-doktorët e tij kundër PD me të gjithë fuqinë diplomatike të shtetit shqiptar, duke shfrytëzuar kompani lobuese, organizata publike, por sidomos organizatat e multimiliarderit George Soros. Tashmë nuk është sekret se Rama është miku më i madh i George Soros në Europë, dhe një ndër miqtë më të afërt. Arsyet se çfarë i lidh këta dy individ me njëri tjetrin tashmë janë të kuptueshme: ato janë të herëshme, të thella, të strukturuara dhe të mirënjohura.

Në vend të mbylljes

Partia Demokratike është pjesë e shoqërisë shqiptare, dhe padyshim pjesa më e ndritur e saj. Ata që aderojnë dhe mbështesin Partinë Demokratike mund të mos jenë më të pasurit e Shqipërisë, por në shumicën absolute të tyre janë më të ndershmit e Shqipërisë. Ata mund të jenë me shumicë nga Shqipëria e Mesme dhe Veriu, por shqiptarë janë edhe demokratët, kudo qofshin, në veri, në jug, lindje dhe përëndim. Edi Rama dhe mercenarët e tij mund të kenë më shumë fuqi që buron nga paratë e pista dhe krimi i organizuar, por kurrësesi nuk janë më të zgjuar, më trima dhe më atdhetar se sa pjesa tjetër e shoqërisë.

Përfundimisht, sulmi kundër Partisë Demokratike është sulm kundër demokracisë, rendit kushtetues dhe pluralizmit politik. Në thelb ky është një sulm kundër interesave kombëtare dhe shoqërisë në përgjithësi. Askush nuk mundet, as nuk ka të drejtë të shkatërrojë forcën kryesore politike të vendit, për më tepër përmes një agresioni të ndyrë mediatik dhe propagandistik. Shqiptarët nuk e meritojnë rikthimin në kohët e errëta të terrorit për interesa të askujt, për më tepër të një individi si Edi Rama.

Partia Demokratike është shumë më tepër se një etnitet kushtetues, ajo qëndron në themel të identitetit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve, kudo që janë.