MENU
klinika

"Gjuha Shqype"

Mjeda, mjeshtri i melodisë

01.08.2021 - 13:49

       Është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe; mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike të shqipes. Mbetet, mjeshtri më i madh i tingëllimit të gjuhës shqipe.

AGIMI

U kuq qielli prej agimit
Prej ktij prisi qi ҫoi dita;
E kadal’ tu’ u rritun drita
Fush’ e male po lulzon.

Fryn prej bjeshke er’ e lehtë,
Rruzullimit i ndrron ftyra;
E prej shendit gjith’ natyra
N’duk e n’petka po gazmon…

   

Ndre Mjeda lindi në Shkodër më 1886, në një familje të varfër, por të etur për shkollim. Që në moshë të re tregoi talent të rrallë për shkencë e për krijimtari. Kjo u ra në sy priftërinjëve jezuitë, të cilët morën përsipër ta shkollonin, për ta bërë prift të rendit të tyre. Kjo i munësoi të ndiqte studimet fetare në Francë, në Kroaci, në Spanjë, në Itali, në Poloni e vende të tjera. Atë kohë Ndre Mjeda filloi të shkruaj poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike, mjaft të famshme, “Vaji i bylbylit”, të cilën e botoi më 1887. Në këtë poemë ai shpreh mallin për vendin e tij. E kësaj periudhe është edhe vjersha “Vorri i Skanderbegut”, Që u prin shumë vjershave të tjera nga penda e tij, kushtuar temave kombëtare.

Veprat e albanologëve me famë botërore, si ishin Majeri e Pederseni, zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe gjuhën shqipe. Kjo shihet te marrja e tij me problemin e alfabetit, te tekstet shkollore që botoi dhe në studimet për autorët e vjetër.

Në Kolegjin Gregorian të Kralevicës punoi profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, u kthye në Shqipëri dhe ishte në kreun e hierarkisë kishtare në Sapë, Prizren, Shkodrë etj. Ndre Mjeda punoi disa vite mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Mori pjesë në veprimtarinë e Shoqërisë letrare “Bashkimi”, që ishte themeluar në Shkodër me mbështetjen Austro-Hungarisë. Më 1901, bashkë me të vëllanë, Lazrin,themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat, ndër to “Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë”, i cili përmbante tekste në prozë të shkruara nga Mjeda. Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, bashkë me At’ Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin e Mati Logorecin, si përfaqsues të Shkodrës dhe u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në 1916 – 1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare Shqipe. Në vitet 1920 – 1924 Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të revolucionit demokratiko-borgjez të Nolit, u tërhoq nga jeta politike dhe punoi prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Kolegjin Jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, që nisi pas Luftës I, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve.

Në krijimtarinë poetike të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë.

Ndre Mjeda dha ndihmesë edhe në fushën e gjuhësisë. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi .Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur veprat “Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe” (1934), “ Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe” (1902) etj. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932). Shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e Ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Vepra:

“Vaji i Bylbylit”
“Juvenilja “- përmbledhje
“Liria” – poemë
“Lissus “- poemë
“Scodra” – poemë
“Andrra e jetes” – poema

 

GJUHA SHQYPE

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN