MENU
klinika

Ditari i disidentes

Musineja: Harruam të kaluarën demokratike 100-vjeçare

13.08.2021 - 12:00

        U treguan aq të vendosur, aq të palodhur, duke na mbajtur në burg, saqë persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik.

Në një prej fletëve të ditarit të Musine Kokalarit, mbajtur në vitin 1979-1980, shkrimtarja dhe intelektualja e kulluar artikulon një të vërtetë të hidhur.

Edhe pse në pak radhë, ajo arrin t’i bëjë një skaner metodologjisë mizore të regjimit, për të shkatërruar gjithë shtresën e intelektualëve dhe kundërshtarëve të regjimit.

Kokalari e sheh thelbin e suksesit të komunistëve, jo te mençuria e tyre, por tek vendosmëria e tyre për të vijuar me çdo formë shtypjen, dhunën dhe persekutimin e gjatë e të pambarimtë ndaj kësaj shtrese kundërshtare, duke pritur me durim që ata ta braktisnin qëndresën një nga një.

Nga ditari i disidentes:

“Një e vërtetë e hidhur!

Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të mërrnin një vend të mirë në jetën e lirë.

Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, saqë persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100-vjeçare.

Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë…”

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.

Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

musine kokalari-konica.al

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja, vetëm pak kohë para se të vdiste. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjera në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga sëmundja e kancerit. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit.

Vepra:

Seç më thotë nëna plakë – 1939

Rreth vatrës – 1944

Sa u tund jeta – 1945

Vepra vëllimi i parë – 2009

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN