MENU
klinika

Përplasje fizike mes pjesëtarëve të disa fshatrave

Ndërtimi i Ujësjellësit në burimin e Sinecit fut në sherr banorët

05.08.2021 - 11:05

Një konflikt ka ndodhur sot në Kuçovë, mes banorëve të fshatit Lumas që kërkojnë ruajtjen e burimit të Sinecit dhe banorëve të fshatrave Vodës dhe Krekëz që janë pro ndërtimit të Ujësjellësit.

Mësohet se sherri ka përshkallëzuar deri në përplasje fizike mes banorëve të disa fshatrave. Banorët e Lumasit shprehen se nuk janë kundër ndërtimit të Ujësjellësit, por ai të mos ndërtohet te burimi i tyre.

Ndërkaq banorët e fshatrave të tjera pretendojnë se ata nuk kanë ujë, duke e parë ujësjellësin si zgjidhje të problematikës së tyre.

“Ne duam që të kemi ujë, duam ujësjellësin, ata e duan për të vaditur, ne nuk kemi ujë që të pijmë. Ne nuk kemi ujë, jemi shumë fshatra, jemi llafosur me deputetin dhe na kanë thënë që do të na sjellin ujë”, shprehen për mediat banorët e fshatrave që janë pro Ujësjellësit.

Bashkia Kuçovë ka deklaruar më herët se ndërtimi i ujësjellësit nuk do të ndikojë në mbylljen përfundimtare të burimit të Sinecit.

Kujtojmë që të hënën banorët e Lumasit u përplasën me policinë, pasi kërkonin ndalimin e punimeve për marrjen e ujit të burimit të Sinecit, që furnizon 7 fshatra në Kuçovë.

Punimet për ujësjellësin po kryhen nga kompania Salillari , e cila fitoi në muajin shkurt kontratën prej mbi 354 milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit.