MENU
klinika

Akuza për sulm seksual

Ngrihet padia kundër princit britanik Andrew

10.08.2021 - 10:53

Një grua amerikane që kishte akuzuar prej kohësh biznesmenin e ndjerë Jeffrey Epstein për abuzim seksual, ngriti padi kundër princit britanik, Andrew për sulm seksual.

Virginia Giuffre dorëzoi të hënën padinë në gjykatën federale në Manhattan. Giuffre, e cila tani jeton në Australi, tha se ishte 17 vjeçe kur ndodhi sulmi nga anëtari i familjes mbretërore britanike.

Në një deklaratë, Giuffre tha, se “e mbaj përgjegjës princin Andrew për atë që më bëri”.

Ajo tha se shpreson që viktimat e tjera do të shohin nga padia e saj “se është e mundur të mos jetosh në heshtje dhe frikë, por të rimarrësh jetën në duar duke folur dhe duke kërkuar drejtësi”.

Në padinë e zonjës Giuffre pretendohet se princi e abuzoi atë seksualisht në shumë raste në vitin 2001, në rezidencën e Epsteinit në Nju Jork dhe në shtëpinë në Londër të zonjës Ghislaine Maxwell, e cila akuzohet për ndihmë një rrjeti të trafikimit seksual.

Princi Andrew, djali i dytë i Mbretëreshës Elizabeth, ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë pasur kontakte seksuale me Giuffrenë dhe i tha BBC-së në vitin 2019 se ai “nuk mban mend” ta ketë takuar ndonjëherë.

Financieri Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në qeli në një burg federal në Manhattan ku priste gjyqin për akuza për trafik seksual.

Zonja Maxwell që pritet të përballet me gjyqin në nëntor, pretendon se është e pafajshme.

ABC News raportoi të hënën se padia e Giuffresë u dorëzua vetëm disa ditë para skadimit të një afati të përcaktuar me një ligj të shtetit të Nju Jorkut që lejon viktimat e dyshuara të abuzimit seksual në fëmijëri të paraqesin padi civile.

Avokati i saj, David Boies, i tha rrjetit të lajmeve, që “nëse ajo nuk e bën atë tani, do të lejojë që (Andrew) t’i shmanget çdo përgjegjësie për veprimet e tij”.

Një zëdhënës i princit Andrew tha për ABC News se nuk do të ketë asnjë koment mbi padinë.