MENU
klinika

Dashuria, fat tragjik!..

Një italiane e shqiptarizuar: shkrimtare dhe përkthyese!

03.08.2021 - 12:05

       Kritike, përkthyese, poete, me origjinë italiane, një nga autoret e njohura të viteve ’30-’40-të. Pas lufte iu kushtua kryesisht përkthimit. Shkroi edhe një komedi me një akt, të pabotuar, “Tabloja”.

Në fund të jetës (gusht 1963) shkroi dy lirika që qenë si “Kënga e mjellmës” së saj, “Excelsior” dhe “Melankoli”. Si poete lëvroi lirikën meditative me një ngjyrim romantik. Temat e saj të parapëlqyera qenë natyra dhe enigmat e jetës.

Jolanda Kodra (1910 – 1963) ishte një shkrimtare dhe përkthyese shqiptare, një nga gratë e para shkrimtare të gjuhën shqipe, si dhe një përkthyese në gjuhën italiane të veprave të shkrimtarëve shqiptarë, të tillë si Ndre Mjeda, Migjeni, Petro Marko, dhe Sterjo Spasse.

Jolanda u lind si italiane, me emrin Iolanda Guazzoni, në vitin 1910, në Romë, Itali dhe është mbesa e Enrico Guazzonit, skenarist dhe regjisor italian. Ndërsa studionte në lice, u takua me Malo Kodrën, me origjinë nga Gjirokastra, i cili ishte student në Romë. Ai ishte mësues palestre dhe e solli atë në Shqipëri, në vitin 1931.

Jolanda, shumë shpejt mësoi gjuhën shqipe dhe filloi, jo vetëm të komunikonte mirë, por edhe të publikonte poezi në shqip, si dhe artikuj kritikë në revistat e njohura, si “Hylli i Dritës”, “Përpjekja shqiptare”, “Fryma”, “Njeriu dhe Tomori”, për shkrimtarët: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Migjeni, Ndre Mjeda.

Kodra ka punuar veçanërisht, për Migjenin dhe Mjedën, që më vonë i përkthente në italisht. Ajo ishte një nga gratë e para që publikoi në Shqipëri, krahas Selfixhe Ciut dhe Musine Kokalarit.

Pas Luftës së dytë Botërore, punoi si përkthyese nga gjuha shqipe dhe në italisht dhe rusisht, e ndër të tjera, edhe shkrimtarët Petro Marko dhe Sterjo Spasse. Asaj, nuk iu lejua as të japë mësim në regjimin komunist, as të kthehet përsëri në vendin e saj, deri në vitin 1962, një vit para se të ndahej nga jeta.

 

MELANKOLI

Aromë gjërash të largëta,
Të tretura në kohë
E që mandej,
Nga koha zbutur, zbukuruar,
Si hije fluide i rikthehen
Kujtesës.

Vajtim për çka nuk qe,
Për çka për ne s’do t’jetë më,
Për çka shkëlqen më kot,
Përtej rrethit që i ve cak
horizontit tonë.

Hi akoma i nxehtë
Dëshirash që u dogjën
Në zemrën tonë rinore
Dhe, pa lëshuar dritë flake,
Dalëngadalë u shuan,
Të panjohura, të pakuptuara.

Hije të vagëlluarash, jetëshkurtërash
Shpresa që më s’i besojmë,
Po që zemra jonë u ngjitet,
Të rrojë, të mos vuajë.

Ëmbëlsi si qeni i trishtuar
Dhe në shpirt ta ndjesh
Një frikë të pakuptuar
Nga njëmendësia e padashuruar.

Muzg i ngadalshëm drite
Që tretet me butësi
Duke lënë në hijen që zbret
Një të ndritshëm refleks.
1963

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Figura të tilla nuk vdesin kurrë

Qeshni, nëse nuk mund të qani!

"Drita e të cilit nuk do të zbehet kurrë…"

Ylli mbi yjet që la gjurmë në qiellin shqiptar