MENU
klinika

Conference League

Nuk ka mrekulli, Laçi mposhtet nga Anderlecht

05.08.2021 - 21:01

Laçi nuk surprizon dot kësaj radhe në Conference League. Kurbinasit janë mposhtur 0-3 në “Elbasan Arena” nga Anderlecht dhe vetëm mrekullia mund t’i kualifikonte për në fazën play-off.

Bardhezinjtë rezistuan deri në minutën e 27-të të pjesës së parë. Kurbinasit pësuan gol pas një goditjeje këndi. Protestat e Malotës ishin të kota, pasi për arbitrin lezhjani e kishte devijuar topin.

Harkimi në zonë u kthye në gol nga Delcroix dhe belgët e panë veten në epërsi. Ishte vetë Malota që gaboi, pasi nuk u mbuloi si duhet. Edhe goli i dytë u pësua njëlloj, pas një harkimi nga këndi. Hoedt me kokë nuk e fali portierin Alen Sherri dhe Anderlecht e mbylli pjesën e parë 2-0.

Kur pritej reagimi i Laçit në pjesën e dytë, vjen një tjetër gol i miqve, Refaleov ndëshkon për herë të tretë të besuarit e Shpëtim Duros. Nuk pati më gola, belgët fitojnë pastër dhe shkojnë në ndeshjen e kthimit pas një jave të qetë me 3 gola në avantazh. Kualifikimi për në play-off të Conference League thuajse i sigurtë.