MENU
klinika

ANALIZA

“Open Ballkan” dhe qëndrime që dëmtojnë Kosovën

01.08.2021 - 20:43

Nga Hamdi Jupe
U mbyll akti i fundit i “dramës” ballkanike me emri e ri “Open Ballkan” (Ballkani i hapur). U bënë të njohura vendimet dhe projektet që do të fillojnë të zbatohen në terren, në hapësirën ku jetojnë rreth dymbëdhjetë milionë njerëz, të paktën sot për sot. Liderët e tre vendeve u treguan entusiastë për të ardhmen e nismës që ka filluar të japë fryte, jo vetëm politikisht. Ballkani nuk kishte parë një frymë të tillë bashkëpunimi, një këmbim kaq intensiv takimesh, diskutimesh, shpresash, propozimesh, hamendësimesh e kundërshtimesh sa tani. Edhe vetëm kjo do të ishte e mjaftueshme për të folur me fjalë të mira për këtë nismë të liderëve të rajonit. Siç e theksoi kryeministri Rama, para pak vitesh desh nisi lufta midis Sërbisë dhe Shqipërisë për një ndeshje futbolli, ndërsa sot nuk flitet më për ngjarje të tilla.

Rezultatet e deritanishme nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë nga ky bashkëpunim. Lëvizja e njerëzve nga njera anë e kufirit në tjetren në hapësirën e vendeve respektive tani është bërë realitet. Kush nuk e shikon këtë, është i verbër ose keqdashës. Plazhet në bregdetin shqiptar sot që po flasim janë të mbushura me pushues nga Kosova. Maqedonia e Veriut, Sërbia dhe vende të tjera të rajonit. Marrëdhëniet ekonomike mes vendeve po shtohen gjithnjë e më tepër. Në përgjithësi, të adhurit nga këto vende shprehen të kënaqur nga klima e përgjithshme e mikpritjes shqiptare. Të paktën në shtyp nuk ka ndonjë ankesë prej tyre. Qytetarët e vendeve të rajonit janë më të emancipuar se politikanët respektivë në këtë drejtim.

Shqipëria ka çfarë të ofrojë në këtë kuadër. Ajo ka një vijë bregdetare rreth 400 km për t’u lakmuar, ka mot të ngrohtë medhetar, ka histori dhe kulturë të pasur nga veriu në jug, ka mikpritje dhe ushqim të shijshshëm e të lirë. Përveç turizmit, ajo ka prodhimet e freskëta bujqësore gjithëvjetore që nuk i kanë fqinjët tanë të veriut, për shkak të klimës. Eksportet bujqësore drejt vendeve fqinje po rriten çdo vit në masën mbi pesëmbëdhjetë përqind. Agrumet dhe shalqinjtë janë të tjera prodhime për të cilat vendi ynë është i bekuar. Vendet fqinje nga ana e tyre kanë përparësitë e veta. Tregu prej rreth 12 milionë konsumatorësh është shumë më nxitës për prodhimet, sesa një treg prej dy milionë e gjismë njerëzish të vendeve të ndara.

Si gazetar i hershëm, i ushqyer jo pak me propagandën komuniste antijugosllave dhe antisërbe nëpërmjet veprave “Titistët” dhe “Vetadministrimi jugosllav – teori dhe praktikë kapitaliste” të Hoxhës sonë, duke ndjekur me vëmendje takimet e fundit në transmetim të drejtëpërdrejtë në televizor, edhe unë po kërkoja me lupë të madhe në dorë të zbuloj se ku po “fle” lepuri i së keqes në marrëveshjet e bëra të njohura në Shkup. Nuk po gjej dot të keqe në to. Kthe e përkthe këndej dhe andej po jo, nuk po gjej.

Në veprimtaritë e organizuara me këtë rast, pamë një numër të madh gazetarësh, përfaqësuesish të shoqërisë civile, bisnesmenësh, diplomatësh e të tjerë nga të tre vendet dhe më gjerë, që ishin ftuar atje për të kuptuar më nga afër se çfarë po ndodhte, çfarë marrëveshjesh do të miratoheshin dhe ku ishte “qari dhe zarari” i këtyre marrëveshjeve. Nuk dëgjova prej tyre ndonjë vërejtje, moskuptim, frikë apo hezitim. Pra edhe ata i miratonin marrëveshjet që po bëheshin të njohura.

Udhëheqësit e këtyre vendeve ranë dakord për reagim të përbashkët për ndihmë në raste fatkeqësish natyrore. Ne ishim dëshmitarë se si na erdhën për ndihmë nga Italia, Izraeli, Rumaina etj, pa folur për vendet fqinje, kur na goditi tërmeti. Sërbia dhe Maqedonia e Veriut ishin mes tyre, po ashtu edhe Kosova. Fatkeqësitë natyrore nuk i ka në dorë askush. Atëhere, ku është e keqja e kësaj marrëveshjeje? Çfarë humbet Shqipërtia, të themi, prej saj? Po çfarë humbet Kosova, nëse edhe ajo do të ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje? A nuk ka rreziqe nga tërmetet, përmbytjet apo zjarret në Kosovë?

Takimi i Shkupit vendosi se nga janari i vitit 2023 qytetaret e tre vendeve respektive (dhe jo vetëm ato, besoj) do të lëvizin nga njeri vend në tjetrin pa asnjë lloj kontrolli kufitar. Pra lamtumirë pasaporta, viza e dokumente të tjera. Ku është e keqja e kësaj marrëveshjeje? Ne e njohim hapësirën Shengen për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Europë. Nga ana tjetër, kemi parë radhë kilometrike të makinave në doganën e Morinës, në fundjava, ose kur ndërrohen turnet e pushuesve. Dihet që Kosova, Maqedoia e Veriut dhe Sebia nuk kanë det, por si gjithë njerëzit e tjerë në këtë botë, edhe ata e duan detin që neve na e ka dhënë zoti me shumicë. Atëherë ku është e keqja e kësaj marrëveshjeje për lëvizjen e lirë, pa kontrolle kufitare të qytetarëve respektivë? Çfarë humbet Shqipëria prej saj? Po Kosova, çfarë humbet, përveç radhëve legjendare të makinave në kufi? Nuk humbet, përkundrazi, fiton.

Drejtuesit e tre vendeve ranë dakord që edhe kamionët e mallrave, që sot qëndrojnë me orë të tëra në kufi, nuk do të kenë më kontroll e radhë të gjata. Nuk do të ketë më tra për to. Këto vonesa dhe këto trarë sa herë afrohen në kufi, janë kosto financiare për qytetarët, sepse ato futen te kostot e përgjthshme të mallit. Atëherë ku është e keqja e kësaj marrëveshjeje? Të gjitha këto e të tjera të ngjashme do të kalojnë për miratim në parlamentet respektive dhe kështu qytetarët do të kenë mundësi të informohen deri në detaje rreth tyre. Atëherë përse duhet patur frikë prej tyre?

Kam qenë në Sarandë në fillim të korrikut dhe kam parë mijëra pushues nga Kosova, Sërbia, Maqedonia e Veriut etj. edhe pse akoma me pandeminë nëpër këmbë. Në Ksamil nuk kishe nga çaje prej makinave me targa të huaja, në Sarandë lokalet e shërbimit në shetitoren buzë detit ishin të mbushura me pushues deri vonë në mbrëmje. Te Syri i Kaltër të ardhurit futeshin në ujë pa dallim kombësie, feje, partie, apo ngjyre (nacionaliste) të brekëve të plazhit që kishin veshur, për të provuar nëse ishte i vërtetë burimi i ujit, apo ishte një iluzion optik. Me dhjetëra fshatarë të zonës shisnin prodhimet e tyre të stinës atje.

Në Radhimë makina jonë mezi çante në radhën e autoveturave që kishin parkuar buzë rrugës që nga Vlora deri në Orikum. Në plazhin e Durrësit shpesh herë të duket sikur je në një vend të huaj, sepse je i rrethuar nga pushues që flasin gjuhën e tyre. Me mijëra shqiptarë në hotele, restorante, parkingje, kafene, parqe, stacione taksish, pika karburanti, lavazhe etj, punonin në shërbim të këtyre turistëve. Pushuesit e huaj (edhe ata serbë) lënë paratë e tyre këtu, që shkojnë për familjet e këtyre punonjësve shqiptarë. E gjitha kjo ka ardhur prej masave lehtësuese të qeverisë për të hapur kufijtë për të gjitha vendet për sezonin veror. Turizmi po bëhet nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Atëherë përse të mos vazhdohet dhe të shtohet edhe më tej një gjë e tillë? Ku është e keqja këtu? Të na e thonë analistët e kafeneve të Tiranës apo Prishtinës që ta dimë edhe ne.

Kosova nuk mori pjesë në takimin e Shkupit. Është e drejtë e saj të bëjë si të dojë, por është edhe e drejta jonë të shprehim mendimin për këtë. Mendojmë se politikanët e Kosovës nuk kanë ide për të qeverisur vendin e tyre të brishtë, prandaj kapen te “vegja” e patriotizmit fals, pra gënje njerëzit me sloganet e patrotizmit që të na japin votën, pa ç’ka se gjithnjë e më tepër populli i Kosovës vuan pasojat e izolimit. Politikanët e Kosovës nuk po ia dalin dot të hiqen vizat për qytetarët e tyre për në Europë. Qëndrimet e sotme të tyre ndaj zhvillimeve rajonale vetëm se e përkeqësojnë gjendjen. Çfarë do t’u thotë qeveria e Kosovës qytetarëve të saj, kur Shqipëria të heqë fare kontrollin në kufi? Do t’u thotë “mos hyni në Shqipëri pa u kontrolluar!?” Qytetarët e Kososvës do t’u varin teneqetë politikanëve të tillë.

Bashkimi Europian u krijua fillimisht si treg i përbashkët mallrash midis Gjermanisë dhe Francës, me Traktatin e vitit 1951 per tregitinë e lirë të çeliqeve dhe qymyrit midis tyre. Të hiqen tarifat doganore për çeliqet dhe qymyrin, ky ishte vendimi i parë midids dy vendve që gjashtë vjet më parë ishin vrarë e prerë në Luftën e Dytë Botërore. Edhe emrin deri vonë ashtu e kishte: Tregu i Përbashkët Europian. Pra po krijohej një treg i ri i hapur i mallrave dhe shërbimeve pas luftës, i cili u zgjerua më pas në formë e përmbajtje, deri sa u bë më 28 shtete. Ajo që po ndodh në tre vendet e Ballkanit pra, nuk është shpikje e këtushme, është një rrugë e hapur prej të tjerëve shtatëdhjetë vjet më parë. Ata lanë mënjanë armiqësitë dhe u ulën në tryezë për të gjetur më të mirën për popujt e tyre. Këtë po bëjnë sot edhe tre vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe një fakt tjetër për të qetësuar të frikësuarit, se “Shqipëria po bie në prehër të Serbisë prej këtyre marrëveshjeve”. Bilanci i marrëdhëneve tregtare import – eksport i vendit tonë tregon se vendin e parë në këtë drejtim për gjashtëmujorin e parë të këtij viti e zë Italia fqinje. Këtë e thotë Instituti ynë i Statistikave. Sytë e shqiptarëve vazhdojnë të mbeten nga perëndimi. Ja pra që iku edhe një nga “meraqet” e patriotëve të kafeneve. Mirëpo këta nuk shikojnë as shifra, as statistika, as almanakë, as buletine, as shtyp. Këta vetëm të nxjerrin “patriotizmën” përpara dhe shko tutje.

Politikanët e Kosovës kërkojnë të mbijetojnë me kartën e urrejtjes nacionale. Ne fakt, kjo urrejtje nuk është edhe aq e madhe, sepse gjashtëdhjetë përqind të tregtisë së jashtme në kuadrin e CEFTA-s, Kosova e bën me Sërbinë. Këtë e thotë Instituti i tyre I Statistikave. Pra bukën e Sërbisë e hanë, por në nisma rajonale nuk pranojnë të ulen me të. Të bësh tregti me Sërbinë nuk është ndonjë turp. Edhe në Shqipërinë komuniste gjashtëdhjetë përqind e tregtisë së jashte bëhej me Ish- Jugosllaiìvinë. Në politikë ziheshin e griheshin dy vendet, por në praktikë hynin në punë llogaritë. “Materia është primare” – thoshte Marksi. Na leverdiste të bënim tregti me një vend fqinj e jo me vendet e largëta të Europës.

Shqipëria ka eksportuar në të kaluarën në ish – Jugosllavi krom dhe minerale të tjera, bitum, kripë, perime të freskëta, fruta të stinës etj dhe ka marrë prej saj pajisje elektro- shtëpiake, profile çeliqesh, etj. Këto mundësi për këmbime tregtare janë edhe sot. Ne marrim nga Serbia drithëra për bukë dhe për blektori, ushqime të përpunuara me bazë drithërash sepse atje ka fusha pa fund dhe del më mire financiarisht mbjellja e drithërave sesa në Shqipëri. Në vendin tone një hektar grurë jep vetëm njemijë e pesëqind Euro fitim, ndërsa një hektar mandarina në prodhim të plotë jep deri në tridhjetë mijë Euro. Ajo që ka thënë Hrushovi gjashtëdhjetë vjet më pare, për të mbjellë agrume dhe ullinj në Shqipëri është bërë realitet tani.

Udhëheqja politikke aktuale e Kosovës mban qëndrime refraktare ndaj politikave rajonale të Republikës së Shqipëtisë. Refuzimi i vaksinave të ofruara nga Shqipëria për personelin mjek e infermier të Kosovës, ndërkohë që në Kosovë nuk kishn mbërritur ende vaksinat, ishte një shfaqje e shëmtuar e megallomanisë së udhëheqjes së saj, në dëm të shëndetit të njerëzve të rrezikuar atje. Refuzimet e herëpashershme të ftesave për takime të ndryshme rajonale, si edhe ky i fundit në Shkup, dëshmojnë se qeveia aktuale e Kosovës nuk punon për popullin e saj, por për karriget e veta.

Kur populli i Kosoves vuante në kulmin e Pandemisë pa vaksina, Kurti bënte fushatë elektorale në Tiranë e Gjirokastër për të rrëzuar Edi Ramën, tre herë i votuar nga shumica e shqiptarëve të Shqipërisë. Për këto politika aventureske në Kosovë e më gjerë, ai mori asgjënë në zgjedhjet e 25 prillit nga votuesit shqiptarë. Me qëndrimet e tij Albin Kurti ka hedhur poshtë edhe marrëveshjen e Washingtonit të firmossur në prani të presidentit Tramp më 4 shtator 2020 në të cilën thuhet shprehimisht: “ Të dya palët (kupto: Sërbia dhe Kosova) do të bashkohen në nismën e Mini- Shengenit, ku kanë marrë pjesë Sërbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në tetorin e vitit 1919”. Politika e jashtme amerikane nuk ndryshon kur ndryshojnë liderët e saj.

Bashkimi Europian ka problemet e veta të shumta të brendshme, si ai i fundit i Bullgarisë me Maqedoninë, probleme që ndoshta nuk mbarojnë kurrë, prandaj vendet e Ballkanit Perëndmor nuk mund të presin pafundësisht prapa dyerve të mbyllura të tij, pa parë edhe mundësi të tjera që paraqiten.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gjithçka do të jetë më e qartë në vjeshtë...

BE-në apo Kinën? A do t’i duhet Serbisë të zgjedhë?