MENU
klinika

"Blloku"

Pakti i prishur me Ramizin: Si ra në kurth, Kadri Hazbiu

01.08.2021 - 12:02

       “Me rrëzimin e kandidaturës së Kadri Hazbiut për postin e Kryeministrit, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, ndodhte për herë të parë rrëzimi i një projekti të ideuar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha”.

E ka fiksuar mirë në mendje këtë ngjarje pa paprecedent për kohën inxhinier Luan Pogaçi, ish-shefi i Ndërlidhjes së lidershipit komunist dhe ka bindjen se ende nuk është zbardhur e vërteta si ndodhi që shefi i regjimit ndërroi mendje në pak ditë duke zëvendësuar kandidaturën e Hazbiut me atë të Adil Çarçanit.

Në numrin e kaluar, ish-zyrtari i lartë i Sigurimit solli me detaje përjetimet nga mbledhja e Kuvendit Popullor ku pritej të zyrtarizohej emërimi i Kadri Hazbiut në postin e Kryeministrit të Shqipërisë, sikundër dihej prej javësh, por një çast të befasishëm nga tribuna u kumtua emri i Adil Çarçanit. Ajo çfarë kish- te ndodhur larg syrit të opinionit, për këtë kapërcim të çuditshëm nuk u mor vesh asnjëherë.

Sidoqoftë, zyrtarët pranë udhëheqjes dhe ata të kreut të Ministrisë së Brendshme, për vetë specifikën e punës, nuk mbetën pa mësuar shumëçka nga misteret e këtij zëvendësimi të bujshëm. Në vijim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, inxhinier Luan Pogaçi tregon çfarë ka mësuar më pas për këtë histori misterioze…

vijon…

Luan Pogaçi

Pakti i prishur ndërmjet Ramiz Alisë dhe Kadri Hazbiut

Mbledhja e Kuvendit Popullor që celebroi Adil Çarçanin Kryeministër, ishte vërtet e çuditshme dhe e mistershme njëherazi. Zyrtarisht quhej se kandidaturën e tij e shtronte për miratim para deputetëve Kryesia e Kuvendit. Po këtë nuk e besonin as vetë anëtarët e Kryesisë, madje as Xhafer Spahiu, ish-nënkryetar i saj që kumtoi në seancë rastin e emërimit të Kryeministrit të ri. Pavarësisht si procedohej në Kuvend për raste të tilla, por jo vetëm, çështjet trajtoheshin më parë në forumet kryesore të Partisë. Ca më tepër kur bëhej fjalë për një vendim të kësaj natyre, siç ishte miratimi i zyrtarit të lartë që do të drejtonte ekzekutivin shqiptar, pas asaj që kishte ndodhur me Shehun.

Gjithsesi, Kuvendi e bëri fakt të kryer dhe Çarçani prej aty zuri karrigen e Kryeministrit. Ajo që mbeti prapa ishte dilema e madhe për çfarë kishte ndodhur që Hazbiu kishte qenë i papërshtatshëm për atë post të rëndësishëm. E vërteta është se deri aty Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia, që tashmë ishte bërë figura kryesore pas Enverit, ishin shfaqur si dy bashkëpunëtorët më të afërt të këtij të fundit. Kjo, sidomos qysh pas tragjedisë së Mehmet Shehut. Në të gjitha daljet publike, ata të dy qëndronin në krah të Enverit. Flitej që Hoxha e kishte thirrur Ramizin si më të besuarin për të zbardhur të vërtetën e asaj që kishte ndodhur me vetëvrasjen e ish-Kryeministrit.

Ndërkaq, S Ramizi, për të përmbushur misionin e shefit, kishte ftuar në bashkëpunim Kadri Hazbiun, ish-ministrin historik të Sigurimit të Shtetit. Përvoja dhe aftësitë e këtij të fundit vlerësoheshin nga numri dy i partisë si çelësi kryesor për të shkuar tek e vërteta e historisë së Mehmet Shehut. Koha tregoi se më shumë se bashkëpunim, kjo ishte një përdorje që Alia i bëri Hazbiut për të përmbyllur të famshmen “Tablo sinoptike të veprimtarisë armiqësore…”. Në fakt, fill pas ngjarjes tragjike të Shehut, Alia dhe Hazbiu shfaqeshin kudo bashke si dy vëllezër siamezë. Madje, në të gjitha mjediset që frekuentonin, Ramizi e prezantonte Hazbinë si Kryeministrin e ardhshëm.

Te shumëkush që e ndiqte miqësinë e afërt të tyre, krijohej bind- ja se ndërmjet tyre tashmë kishte një pakt, një marrëveshje, jo vetëm për të zbardhur atë çfarë kishte ndodhur me Kryeministrin e vetëvrarë, por për të shkuar më tej, për të bashkëqeverisur vendin. Me sa dukej, kjo kishte qenë gracka ku ra Kadri Hazbiu, i cili iu përgjigj me zell e përkushtim të jashtëzakonshëm misionit për të hedhur në letër të gjitha aspektet e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, por që mori për shpërblim zhgënjimin e tmerrshëm. Këtë pakt të prishur ndërmjet tij dhe Alisë ma vuri për herë të parë në mendje rrjedha e punimeve të Kuvendit, që zgjodhi Kryeministrin e ri pas vetëvrasjes së Shehut.

Edhe sot pas shumë vitesh e kam në sy atë kryqëzatë shikimesh të çuditshme ndërmjet Hazbiut dhe Alisë pas kumtimit të emrit të Adil Çarçanit për postin e Shehut nga zëvendëskryetari i Kryesisë së Kuvendit, Xhafer Spahiu. I pari dukej sikur i thoshte “Çfarë është kjo?”, “Bashkë e kemi lënë ndryshe”. Ndërkohë që tjetri, me vështrim të shpërfytyruar, të krijonte përshtypjen e njeriut të zënë në faj që përpëlitet “Nuk di ç’të të them”, “Nuk kam gjë në dorë, s’kam çfarë të bëj”. U mbyll ajo mbledhje kështu me paktin e prishur, për t’u lënë rrugë hamendjeve të shumëllojta për plasaritjen e radhës. Që këtej pastaj Kadri Hazbiut nuk do t’i venitej vetëm shkëlqimi, por dita-ditës do të rrënohej personaliteti për të përfunduar para skuadrës së pushkatimit…

HEKURAN ISAI, PROTAGONISTI I FTUAR PËR TË ÇUAR MISIONIN NË FUND

Mbledhja e Kuvendit Popullor që zyrtarizoi Adil Çarçanin Kryeministër, celebroi në njëfarë mënyre edhe prishjen e paktit Alia-Hazbiu. Nga ky moment, ky i fundit nuk u shfaq më në krah të Enverit dhe Ramizit dhe përditë e më shumë shmangej nga protokolli i udhëheqësve të rëndësishëm. Në vend të tij tashmë, në krah të dyshes Hoxha- Alia, zuri vend një protagonist i ri, ardhur nga periferia, Hekuran Isai. Atij këtë herë kupola e Partisë i besoi jo vetëm zbërthimin deri në fund të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, por edhe të Kadri Hazbiut, që ishte shënjuar i dyshimtë për udhëheqjen fill pas propozimit të Enverit për ta emëruar në postin e Kryeministrit.

Protagonisti i futur rishtas në kupolën e Partisë i ishte bashkuar i pari, madje energjitikisht dilemës së Alisë për përfshirjen e Hazbiut në grupin e Shehut. Mjaftonte kjo jo vetëm për ta fshirë si kandidaturë për Kryeministër, por për ta kryqëzuar si aradhen e të gjithë atyre që humbitnin besimin e Partisë. Në librin e tij të fundit, Perlat Caushi, ish-drejtor i Zbulimit të Shtetit, përshkruan një detaj nga ku fillon shkëndija e parë për të penalizuar ministrin historik të Sigurimit të Shtetit. Ja si e përshkruan ai takimin me “protagonistin”

Isai: Më thirri ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, i cili më pyeti nëse dija gjë rreth mbledhjeve të ministrave të Brendshëm të vendeve të Traktatit të Varshavës, të zh- villuara në Pragë dhe në Moskë dhe pjesëmarrjen në to të Kadri Hazbiut. Kuptohej qartë, Hekurani kishte marrë urdhër për të mbledhur fakte që të fajësonte Hazbiun. Konkretisht, shprehet Caushi, ai kërkoi nëse Hazbiu kishte marrë miratimin nga Hoxha për të marrë pjesë në ato mbledhje. I thashë (Perlatit) se ishte e pamundur që një anëtar i Byrosë Politike të dilte jashtë shtetit, ca më tepër të merrte pjesë në mbledhje të tilla të rëndësishme, pa dijeninë e sekretarit të Parë.

Pastaj, Isai shtroi pyetjen nëse Hazbiu kishte marrë autorizim me shkrim. I thashë se nuk kisha dijeni të plotë rreth problemit, por dija se për këto dy mbledhje ekzistonin dy fashikuj në arkivin e Ministrisë. Ai m’i kërkoi t’i çoja një orë e më parë. Shkova i mora dy fashikujt dhe ia dorëzova. Në secilin prej tyre, veç të tjerash, kishte një material me problemet që do të parashtronte delegacioni shqiptar në mbledhje, si edhe një material tjetër, i hollësishëm mbi gjithçka u parashtrua në mbledhjet e zhvilluara”. Më poshtë, z. Caushi hamendëson, “Pavarësisht se autorizim me shkrim nuk kishte, vënia në dijeni e Enver Hoxhës, indirekt tregonte se gjithçka ishte bërë me dijeninë e tij. Po me dijeninë e Udhëheqësit, delegacioni në kuadrin e bashkëpunimit me shërbimet sekrete të tjera, ngriti dhe problemin e dhënies leje për t’u mbajtur në lidhje nga KGB-ja të asaj agjenture që operonte në vende, me të cilat Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike dhe rrjedhimisht nuk kishte dhe rezidenturat e saj”.

Ky episod për Hekuran Isain ishte një provë e pakontestueshme dhe konfirmonte haptas sipas tij shërbimin e Hazbiut për agjenturën sovjetike. Është folur e trajtuar gjatë për këtë gjetje sa në mbledhjet e forumeve të larta të partisë, aq dhe në ballafaqimet e Hazbiut me hetues e gjyqtar. Hekuan Isai jo vetëm argumentonte me “provat” që siguronte pse nuk duhej emëruar Hazbiu Kryeministër, por ai duhej goditur si një nga pjesëtarët kryesorë të bandës antikomuniste të Mehmet Shehut. Së paku, ai shfaqej, duke ruajtur me kujdes rolin e regjisorit, Ramiz Alia, që kishte prishur kështu jo thjesht një pakt me Hazbinë, por e kishte vënë përfundimisht atë në syrin e ciklonit… Panorama