MENU
klinika

Në pranga kryeplaku i fshatit, në kërkim 3 të tjerë

Policia zbarkon në Vlorë, sekuestrohen 262 kg kanabis!

17.08.2021 - 11:47

Ditën e djeshme është sekuestruar një sasi prej 262 kg kanabis në fshatin Kaninë të Vlorës. Në pranga kanë rënë kryeplaku i fshatit me iniciale A. T., 61 vjeç dhe punonjësi i OSHEE-së Gramoz Islamajn 51 vjeç për moskallëzim të krimit dhe shpërdorim detyre.

Uniformat blu kanë shpallur në kërkim 3 persona, Fatbardh Kapllanajn, 45 vjeç, Engjëllush Kapllanajn, 22 vjeç dhe Klajdi Kapllanajn, 20 vjeç si të dyshuarit kryesor për kultivimin e kanabisit.

Nga kontrollet e ushtruara nga policia në zonën e quajtur Çairet në fshatin Kaninë, në banesën e 45-vjeçarit Fatbardh Kapllanajt janë gjetur dhe sekuestruar 210 kg kanabis.

Gjithashtu në një serë pranë banesës së tij janë gjetur dhe 52 kg të tjerë kanabis dhe fidanë të mbjellur. Ai e furnizonte serën me energji elektrike përmes lidhjes së paligjshme e për pasojë është arrestuar punonjësi i OSHEE-së Gramoz Islamaj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Çairet”. Shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.

Vihen në pranga kryeplaku i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe një punonjës i OSHEE-së, për veprën “Shpërdorimi i detyrës”. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 262 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Çairet”.

Si rezultat i operacionit u bë shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, shtetasve F. K., 45 vjeç, E. K., 22 vjeç dhe K. K., 20 vjeç, banues të tre në fshatin Kaninë. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi , në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit F. K., u gjetë dhe u sekuestrua 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe një sasi prej 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proçes tharje.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit, A. T., 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe G. I., 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Të dy këta shtetas, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Vjedhje e energjisë elektrike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë u gjet në Vlorë e Berat

Shqiponjat e RENEA zbresin në terren

Arrestohet 29-vjeçari në Vlorë

Snajper, dhjetëra fishekë e drogë në shtëpi