MENU
klinika

Analiza nga The Economist

Pse fundi i Perandorisë Amerikane nuk do të jetë paqësor

26.08.2021 - 17:29

Nga Niall Ferguson “The Economist”

“Turmat mbetën të zhytura në injorancë…dhe udhëheqësit e tyre, që u kërkonin atyre votën, nuk guxuan që t’i përçmojnë”.Kështu shkroi Winston Churchill mbi fituesit e Luftës së Parë Botërore në librin me kujtime “Stuhia e pritshme”. Ai kujtoi me hidhërim “refuzimin për t’u përballur me faktet e pakëndshme, dhe dëshirën për popullaritet dhe sukses elektoral, pavarësisht nga interesat jetike të shtetit”.

Lexuesit amerikanë që shohin largimin e turpshëm të qeverisë së tyre nga Afganistani, dhe që dëgjojnë përpjekjet e sforcuara të presidentit Joe Biden për të justifikuar kaosin që ka shkaktuar ky akt, mund t’i cilësojnë si të drejta disa nga kritikat e Churchill-it ndaj Britanisë midis 2 luftërave botërore.

Gjendja shpirtërore e Britanisë së Madhe, ishte produkt i kombinimit të rraskapitjes kombëtare dhe “shtrirjes perandorake”, sa për të përdorur një frazë të Paul Kennedy, historian në Universitetin e Jeilit. Që nga viti 1914, ky vend ishte përballur me luftën, krizën financiare dhe gjatë viteve 1918-1919 me një pandemi të tmerrshme, Gripin Spanjoll.

Ekonomia ishte rënduar nga një mal me borxhe. Edhe pse vendi mbeti emetuesi i monedhës që dominonte globin, nuk po kishte më rolin e dikurshëm. Një shoqëri shumë e pabarabartë, i frymëzoi politikanët e majtë të kërkojnë rishpërndarjen e pasurisë, në mos edhe një socializëm të plotë.

Një pjesë e konsiderueshme e inteligjencës shkoi më tej, duke përqafuar komunizmin ose fashizmin. Ndërkohë, klasa politike tradicionale preferoi të injoronte një situatë ndërkombëtare të përkeqësuar. Dominimi global i Britanisë po kërcënohej në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Sistemi i sigurisë kolektive, i bazuar tek Lidhja e Kombeve, që ishte krijuar në vitin 1920 si pjesë e zgjidhjes së paqes së pasluftës,ishte duke u rrënuar, duke lënë vetëm mundësinë e aleancave për të plotësuar disi burimet perandorake të përhapura sa andej-këtej.

Rezultati ishte një dështim katastrofik për të njohur shkallën e kërcënimit totalitar, dhe për të grumbulluar mjete për të penguar diktatorët. A na ndihmon përvoja e Britanisë të kuptojmë të ardhmen e fuqisë amerikane?

Amerikanët preferojnë të nxjerrin leksione nga historia e SHBA-së. Por mund të jetë më e dobishme që vendi të krahasohet me paraardhësin e tij si një hegjemon anglofon global, pasi sot në shumë aspekte Amerika i ngjan Britanisë në periudhën e luftës.

Ashtu si të gjitha analogjitë e tilla historike, edhe kjo nuk është e përsosur. Përzierja e madhe e kolonive që sundonte Britania në vitet 1930, nuk kanë asnjë ngjashmëri me SHBA-në aktuale. Kjo gjë i jep mundësi amerikanëve ta bindin veten se nuk kanë një perandori, edhe kur tërheqin ushtarët dhe civilët e tyre nga Afganistani pas një pranie 20-vjeçare atje.

Pavarësisht vdekshmërisë së lartë nga Covid-19, Amerika nuk ka përjetuar traumën e Britanisë gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u vranë një numër i madh të rinj (gati 900.000 të vdekur, 1.7 milionë të plagosur). Po ashtu Amerika nuk po përballet me një kërcënim aq të qartë dhe të pranishëm sa Gjermania naziste ndaj Britanisë.

Gjithsesi, ngjashmëritë janë të habitshme dhe shkojnë përtej dështimit të të dyja vendeve për të vendosur rendin në Afganistan. Dhe pasojat për të ardhmen e fuqisë amerikane janë shqetësuese. Së pari janë malet me borxhe. Borxhi publik i Britanisë pas Luftës së Parë Botërore u rrit nga 109 për qind e PBB-së në vitin 1918, në gati 200 për qind në vitin 1934.

Borxhi federal i Amerikës është i ndryshëm në disa aspekte, por mbetet i krahasueshëm në madhësi. Ai do të arrijë gati 110 për qind të PBB-së këtë vit. Ndërsa Zyra e Buxhetit e Kongresit, vlerëson se borxhi mund të tejkalojë 200 për qind të PBB-së deri në vitin 2051.

Një ndryshim thelbësor midis Shteteve të Bashkuara sot dhe Mbretërisë së Bashkuar afro një shekull më parë, është se borxhi amerikan sot është shumë më i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të normave të interesit sesa ishte ai britanik.

Një rënie relative ekonomike në krahasim me vendet e tjera, është një pikë tjetër e ngjashmërisë. Sipas vlerësimeve të historianit ekonomik Angus Maddison, ekonomia britanike deri në vitet 1930 ishte tejkaluar për sa i përket prodhimit jo vetëm nga Amerika (që në vitin 1872), por edhe nga Gjermania (që nga vitit 1898) dhe Bashkimi Sovjetik (nga viti 1930).

Amerika ka sot një problem të ngjashëm me rënien relative të prodhimit ekonomik. Bazuar tek barazia e fuqisë blerëse, e cila mundëson çmimet më të ulëta të shumë mallrave kineze, PBB-ja e Kinës e arriti atë të Amerikës në vitin 2014.

Bazuar tek kursi i dollarit aktual, ekonomia amerikane është ende më e madhe, por hendeku parashikohet që të ngushtohet. Këtë vit PBB-ja e Kinës do të jetë rreth 75 për qind e asaj të Amerikës. Ndërsa deri në vitin 2026, do të jetë 89 për qind. Nuk është një sekret që Kina paraqet sot një sfidë më të madhe ekonomike sesa dikur Bashkimi Sovjetik

Dhe as nuk është një informacion i klasifikuar se Kina po kërkon të arrijë Amerikën në shumë fusha teknologjike me aplikime të sigurisë kombëtare, nga inteligjenca artificiale tek llogaritjet kuantike. Dhe janë të njohura ambiciet e udhëheqësit të Kinës, Xi Jinping, së bashku me përtëritjen e armiqësisë ideologjike të Partisë Komuniste Kineze ndaj lirisë individuale, sundimit të ligjit dhe demokracisë.

Ndjenja e amerikanëve ndaj qeverisë kineze është përkeqësuar ndjeshëm 5 vitet e fundit.

Por kjo nuk duket se po përkthehet në një interes publik për të luftuar në mënyrë aktive kërcënimin ushtarak kinez.

Nëse Pekini pushton Tajvanin, shumica e amerikanëve me siguri do t’i bëjnë jehonë kryeministrit të dikurshëm britanik, Neville Chamberlain, që e përshkroi aneksimin e Çekosllovakisë në vitin 1938 nga Gjermania naziste si “një grindje në një vend të largët, midis njerëzve për të cilët ne nuk dimë asgjë”.

Të majtët dhe të djathtët në Amerikë, tani e përqeshin ose e nënçmojnë vazhdimisht idenë e një projekti perandorak. Dhe kjo qasje u shijon kinezëve. Megjithatë perandoria amerikane mbetet. Sigurisht, SHBA ka pak koloni të vërteta:Porto Riko dhe Ishujt e Virgjër në Karaibe, Guam dhe Ishujt e Marian në Paqësorin Verior dhe Samoa Amerikane në Paqësorin jugor.

Por prania ushtarake amerikane është pothuajse aq e kudogjendur sa ishte dikur ajo e Britanisë. Personeli i forcave të armatosura amerikane gjendet në më shumë se 150 vende. Numri i përgjithshëm i trupave të vendosura përtej kufijve është rreth 200.000.

Por siç e dëshmon në mënyrë të përkryer dështimi në Afganistan, tërheqja nga dominimi global i një superfuqie është rrallë një proces paqësor. Sido që ta kryesh atë, bërja me dije se po heq dorë nga lufta jote më e gjatë është pranimi i humbjes, dhe jo vetëm në sytë e talebanëve.

Kina po vëzhgon nga afër ngjarje, dhe po kështu edhe Rusia. Nuk ishte aspak rastësi që Moska ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë dhe Siri vetëm disa muaj pas heqjes dorë nga Obama nga të qenit “xhandari global”. Vitet e fundit, udhëheqësit amerikanë janë shumë të dhënë pas ëndrrave, nga fantazia e “dominimit të spektrit të plotë” të neokonservatorëve nën George W.Bush, deri tek makthi i errët i “masakrës” amerikane të krijuar nga Donald Trump.

Ndërsa po afrohet një stuhi tjetër globale, mund të jetë koha për t’u përballur me faktin që Churchill e kuptoi shumë mirë:fundi i perandorisë është rrallë një proces që kalon pa dhimbje.

Shënim: Niall Ferguson është anëtar i Institutit Huver, dhe drejtues i “Greenmantle”, një kompani këshilluese politiko-ekonomike. Libri i tij i fundit titullohet “Apokalipsi:Politika e katastrofës”.

“S’ka rëndësi numri i prokurorëve apo gjykatësve”

Ambasadori rumun në Shqipëri: Reforma në Drejtësi, t’i drejtohet qytetarit

Bosi i Camorra-s nis bashkëpunimin me drejtësinë

Dorëzohet pas 26 vitesh në burg “Sandokan”

Juristi: Në ruspën e madhe të pushtetit mund të bjerë kushdo

Kryetarja e bashkisë Himarë u zgjodh edhe me tre vota të “rrjedhura” nga opozita