MENU
klinika

Shekulli XVII

Restauruar, Kisha e Shën Premtes

03.08.2021 - 12:35

         E restauruar tanimë plotësisht, kisha e vjetër është kthyer në një stacion të ri, përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.

Kryeministri Rama, ndau pamjet nga kjo kishë, shpallur monument kulture i Kategorisë I, pasi iu nënshtrua restaurimit tërësor, duke mos rrezikuar më shembjen.

“Mirëmëngjes dhe me Kishën e rilindur të Shën e Premtes në Lukovë, monument i shek. XVII, tani gati për të pritur miqtë vizitorë, ju uroj një ditë të mbarë”, – janë fjalët përshëndetëse, të Kryeministrit.


Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për resturim dhe ruajtje, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e mëparshme.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli i XVII.  E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet, pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë.

Në të mund të hyhet prej dy dyerve, njëra në anën jugore dhe tjetra në atë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit, në vitin 1695, që u zhduk në 1967-ën, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesante që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës.