MENU
klinika

Plani buxhetor i qeverisë

Rritet numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike

02.08.2021 - 12:59

Qeveria ka vendosur të rrisë numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike në 3 vitet e ardhshme. Është publikuar në Fletoren Zyrtare versioni përfundimtar i planit buxhetor afatmesëm 2022-2024.

Ky plan paraqitet optimist nëse pandemia vijon drejt shuarjes dhe ekonomia fillon të rimarrë veten, por ajo që bie më shumë në sy është se qeveria parashikon një përqindje më të lartë për numrin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, për numrin e personave me aftësi të kufizuar që përfitojnë pension kujdesi si dhe shtesë të numrit për ata persona që përfitojnë rimbursim barnash. Referuar të dhënave, përgjatë viteve të ardhshme do të rritet me 96% numri i familjeve që trajtohen me asistencë sociale. Konkretisht, nga 63 mijë familje do të përfitojnë mesatarisht 66 mijë familje.

“Në fushën e mbrojtjes sociale synohet zbatimi me sukses i reformës në tre shtylla kryesore: Ndihma ekonomike, paaftësia e kufizuar dhe shërbimet sociale. Më konkretisht, numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 66 mijë përfitues në vit përgjatë periudhës 2022-2024. Ky zbatim do të sjellë saktësisht, rritjen me 96% të përfituesve të varfër që marrin ndihmë ekonomike mbi totalin e aplikuesve”, thuhet në dokument.

Ndërkohë, një rritje e konsiderueshme parashikohet edhe për numrin e personave me aftësi të kufizuar që përfitojnë pension social. Sipas planit, në vitin që vjen numri i tyre do të shkojë në 167 mijë persona dhe në 2024 do të shtizohen edhe 7 mijë përfitues të tjerë. Gjithashtu, parashikohet që të rritet edhe numri i familjarëve që kujdesen për ta. “Numri i personave nga PAK dhe kujdestarëve të tyre parashikohet të shkojë në 167 mijë në 2022 dhe në 174 mijë në 2024. Saktësisht, synohet që të rriten me 70% të numrit të personave me aftësi të kufizuara që janë komisionar”, thekson plani.

Rimbursimi i barnave

Në këtë plan, qeveria parashikon që të rrisë në vitet e ardhshme edhe numrin e personave që përfitojnë rimbursim barnash. Sipas të dhënave të publikuara, parashikohet që në çdo vit të përfitojnë rimbursim ilaçesh të paktën 400 persona. Gjithashtu, do ketë edhe rritje të numrit të atyre personave që marrin trajtime në paketa të tjera shëndetësore si për dializën, check-up, për të cilët parashikohet të paktën rritje të përfituesve me të paktën 50 deri në 120 në vit.

“Synohet trajtimi me recetë rimbursimi i mesatarisht 400 mijë pacientëve në vit, përgjatë periudhës 2022-2024. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë check-up për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit. Rritet numri i pacientëve që përfitojnë nga shërbimi i dializës në 2022 parashikohet mbi 1.500 persona e çdo vit shtohen rreth 120 pacientë”, thuhet në dokument.

Ndër të tjera qeveria parashikon që, të implementojë në tregun e punës persona me aftësi ndryshe apo ato që vijnë në familje të varfra nëse mund të bëjnë një punë të përshtatshme. Sipas planit, të paktën çdo vit të punësohen 200 persona që vijnë nga familje të varfra. Ndërsa parashikohet që do të rritet edhe numri i nënave që janë kryefamiljare dhe përftojnë asistencë sociale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë thotë raporti për koncesionet?

BB kërkon përmirësim të skemës së pensioneve

Nga Bloomberg/ Sektori i shërbimeve është vendimtar!

Çfarë do e shpëtojë ekonominë nga pandemia?